Ndërlidhjet

E.HOXHAJ: ËSHTË PËRPARËSI QË LIDERSHIPI YNË TREGON SHENJA SE ËSHTË I PËRKUSHTUAR PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Enver Hoxhaj, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, gjatë javës së shkuar dhe gjatë kësaj jave ka rifilluar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi për çështje teknike, përmes takimeve të grupeve për energjetikë dhe për të zhdukurit. Si e vlerësoni ju këtë fillim të dialogut teknik?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se ky dialog si instrument për krijimin e mirëbesimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është më se i nevojshëm. Sidomos çështja e të zhdukurve është aq e ndjeshme sa që procesi i tranzicionit nga sistemi totalitar në demokraci, varet shumë nga mënyra se si adresohet ky problem dhe është një problem që do ta përcjellë Kosovën edhe në të ardhmen. Mirëpo çështja është se sa këto takime do të sjellin rezultate konkrete dhe sa këto takime do t’i bindin qytetarët e Kosovës se është në interesin e tyre që të ketë një dialog teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, çështja e dialogut është cilësuar nga analistët më shumë si nevojë e përmbushjes së një standardi, sesa nevojë për dialog teknik me Serbinë. A është gadishmëria për dialog e mjaftueshme për ta vlerësuar këtë standard të përmbushur?

ENVER HOXHAJ
Kur është fjala te dialogu, mendoj se Kosova dhe kosovarët duhet ta shtrojnë shumë më thellë se çfarë presin nga një dialog i tillë, çfarë përfitimesh vërtet konkrete mund të nxjerrin nga një dialog i tillë dhe si do të mund ta përcjellin mesazhin te bashkësia ndërkombëtare se vërtet shteti i Kosovës dhe Prishtina si palë zyrtare, do të ishte ajo që hedh paragjykimet, sa karshi Beogradit, aq edhe ndaj vendeve të tjera në rajon. Mirëpo, mendoj se dialogu me Beogradin duhet të zgjerohet muajt e ardhshëm edhe në dialogun me Shkupin, meqë qytetarët në Maqedoni kanë përceptime jashtëzakonisht negative ndaj situatës politike në Kosovë dhe do të ishte mirë që këto përceptime politike dhe këto tensionime të rrejshme të tejkalohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë që është paralajmëruar se plani për implementimin e standardeve do të jetë i gatshëm shumë shpejt, ka mbetur pak më shumë se një vit deri në faktin e përcaktuar për përmbushjen e tetë standardeve. Si e shihni ju këtë çështje?

ENVER HOXHAJ
Çështja e përmbushjes së standardeve duhet shikuar nga një perspektivë shumë më e gjerë dhe jam më se i sigurt se ai dokument që është ofruar më dhjetë dhjetor, është pakëz vështirë të plotësohet deri në vitin 2005, nëse kemi parasysh se një pjesë e mirë e kohës do të konsumohet për përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve dhe sigurisht edhe për formimin e institucioneve të ardhshme. Por, në fund të fundit është një përparësi e madhe që çështja e përmbushjes së standardeve është e afatizuar, është një përparësi që lidershipi ynë në Kosovë tregon shenja se është i përkushtuar për përmbushjen e standardeve dhe në fund të fundit Grupi i Kontaktit ose Këshilli i Sigurimit ose UNMIK-u, bashkë me institucionet e Kosovës, do të vlerësojnë këtë përpjekje për përmbushjen e standardeve. Vetëm shpresoj se në fund do të vlerësohet përkushtimi i shoqërisë kosovare dhe përkushtimi i vullnetit të mirë të lidershipit në Kosovë, me qëllim që të nisë një proces politik që ndoshta mund të përfundojë pas një plani afatgjatë shtatëvjeçar ose dhjetëvjeçar.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht në opinionin kosovar po zhvillohen debate nëse partitë politike duhet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme me lista të hapura apo me lista të mbyllura. Cili është qëndrimi juaj dhe pse?

ENVER HOXHAJ
Të gjitha proceset politike që kanë filluar në Kosovë kanë treguar se UNMIK-u ka ndjekur një politikë afatshkurtër dhe ka ofruar një vizion disamujor ose njëvjeçar apo dyvjeçar për probleme të caktuara. Jam i mendimit që Kosova vërtet duhet të ketë mundësi të ndërtojë një demokraci të mirëfilltë. Nëse respektohet sistemi aktual që është aplikuar deri tani, ku kandidati nuk caktohet nuk votohet nga qytetarët e Kosovës, por propozohet nga kryetari i një partie politike, atëherë kemi të bëjmë me një problem parimor, pasi ai elementin e llogaridhënies e sheh si element që duhet t’i japë llogari kryetarit të partisë, por kurrsesi votuesve të tij dhe ky proces pikërisht është në kundërshtim me proceset demokratike dhe është një proces që do të pengojë që partitë tona politike të jenë në strukturën e tyre demokratike, madje do të funksionojnë edhe më tutje në parime jodemokratike dhe do të keqpërdoret vullneti i qytetarëve në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj është paralajmëruar se së shpejti do të dilni me nje parti të re politike. Pse do të bëni një parti politike dhe ku e shihni këtë parti në konstelacionin e tanishëm të forcave politike?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që këto vitet e fundit karakterizohen me një ndryshim të madh të politikës, qoftë në rrafshin global, qoftë në rrafshin kosovar. Pas pothuaj pesë vjetësh të vendosjes së administratës së UNMIK-ut dhe pas themelimit të institucioneve të Kosovës, Kosova ende ndodhet në udhëkryq dhe duket që as UNMIK-u dhe as lidershipi aktual në Kosovë nuk do të jetë në gjendje të ofrojë një vizion afatgjatë dhe të ofrojë një platformë politike që vërtet merret me zgjidhjen e problemeve konkrete. Kështu që, në atë drejtim është më se e nevojshme të paraqitet një grup i ri politik, që synon të ofrojë një vizion për Kosovën e shekullit XXI, i cili qëndron për reforma, synon të ndërtojë një shtet dhe shoqëri funksionale, synon ta përgatisë Kosovën të marrë pjesë në konkurrencë, qoftë rajonale, qoftë me vendet e tjera evropiane dhe i cili synon mbi të gjitha t’i zgjidhë problemet aktuale me të cilat ne merremi në Kosovë, pra çështjen e papunësisë, çështjen e reformimit të një sistemi edukativ, shëndetësor, promovimin e një drejtësie shoqërore. Në një vend që është karakterizuar me konflikt dhe në një vend që jeton në një varfëri të thellë, mendoj se duhet të ketë një drejtësi shoqërore dhe të ndodhë procesi i shpërndarjes së mirëfilltë të mirëqenies në të gjitha shtresat e shoqërisë. Në fund të fundit duhet të ekzistojë një lidership që këtij vendi ia rikthen optimizmin dhe shpresën, meqë jam shumë i sigurt se në këtë vend ekzistojnë potenciale të mirëfillta njerëzore. Kosova ka kapacitete të tilla, që nëse mobilizohemi në formë të mirëfillta, ndoshta në një periudhë afatmesme apo afatgjatë, ne do të mund të krahasohemi me shumë vende të tjera perëndimore, sa i përket stabilitetit politik dhe sa i përket mirëqenies ekonomike.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG