Ndërlidhjet

KOSOVA DUHET TË BALLAFAQOHET ME FENOMENIN NË RRITJE TË VETËVRASJEVE


Bekim Bislimi

Dy të rinj, njëri 30 vjeç nga Sllatina e komunës së Fushë Kosovës dhe tjetri 20 vjeç nga Gjakova, si dhe një e re 25 vjeçare nga Prishtina, janë tre viktimat e fundit të akteve të vetëvrasjeve, të cilat kanë ndodhur vetëm gjatë një jave në Kosovë. Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se vetëvrasjet janë duke u bërë një dukuri mjaft shqetësuese në shoqërinë kosovare. Psikologu, Pajazit Nushi, thotë se sipas statistikave, të vitit 1978, në Kosovë ka pasur 0.002 vetëvrasje në 100 mijë banorë, ndërkaq në vitin 2003, në 100 mijë banorë janë shënuar 2. 6 vetëvrasje. Krahasimi i këtyre shifrave, sipas zotit Nushi tregon se numri i vetëvrasjeve në Kosovë është duke u shtuar.
“Ky numër është alarmant, e alarmi mund të jetë edhe më e madh për një shkak tjetër. Tendenca e rritjes së këtij numri është e madhe. Një vetëvrasje në Gjakovë, një vetëvrasje në Prishtinë dhe një vetëvrasje e dytë në Prishtinë brenda vetëm 7 ditësh, besoni se, presim që brenda këtij viti, numri i vetëvrasjeve do të jetë më i madh”.
Sipas psikologut Nushi, gjatë periudhës së pasluftës deri në fund të vitit 2003 janë evidencuar 256 raste të vetëvrasjeve. Ndërkaq, dr. Ismet Abdullahu, psikiatër si dhe drejtues i Departamentit për shëndetin mendor në Ministrinë e Shëndetësisë, thekson se dukuria e vetëvrasjeve, është duke marrë përmasa shqetësuese.
“Vetë fakti se ne kemi një numër shum të madh të këtyre rasteve, domethënë se duhet të sensibilizojë opinionin tonë dhe duhet që në nivelin institucional të ndërmerren hapa në drejtim të analizës, së pari, të këtij fenomeni dhe kësaj dukurie dhe normalisht, në hapat e mëtejshëm, të përcaktohet cila do të jetë strategjia jonë në parandalimin, zbutjen apo redukimin e numrit të vetëvrasjeve”.
Dukuria e vetëvrasjeve, sipas psikologut Nushi, është paraqitur në të gjitha rajonet e Kosovës, tek të dy gjinitë dhe tek grupmoshat e ndryshme, por megjithatë, të dhënat tregojnë se grupmosha e të rinjve është më e sulmuara nga ky fenomen.
“Supozoj se kushtet e kufizuara dhe perspektiva e ngushtuar e zhvillimit dhe afirmimit të individualitetit të njeriut dhe të aftësive të tij në mjedisin aktual dhe në këto raporte ekonomike dhe politike, po i detyron individët që të ndërmarrin një akt, i cili është i padëshirueshëm për krejt shoqërinë tonë e sidomos për individin. Po dominon depresioni disa minutësh për t’ia marrë individit jetën”.
Për tu ballafaqur me ketë dukuri, sipas dr. Abdullahut, nevojitet qasje profesionale e ekspertëve, ndërkohë që resurset humane në këtë drejtim janë të pakta.
“Janë një kompleks i faktorëve, prandaj ne duhet ta analizojmë tërë kompleksitetin e vetëvrasjes, si në aspektin psikologjik, si në aspektin social dhe vetë natyrën biologjike. Ne mund të ndërmarrim hapa në ato rrethana dhe kushte të cilat janë sociale, në të cilat mund të intervenohet”.
Ndërkaq zoti Nushi, thotë:
“Fenomeni është i ndërlikuar e njerëzit profesionalë dhe shkencëtarët nuk janë të gatshëm që t’i qasen këtij fenomeni. Më me ëndje, bie fjala, i është qasur një psikofiziolog nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetvrasjeve në Kosovë, se sa i jemi qasur ne psikologët që jemi vendorë, që jemi lindur dhe jemi zhvilluar këtu dhe i dimë fort mirë rrethanat, raportet dhe kushtet në të cilat zhvillohen dhe janë zhvilluar të rinjtë tonë”.
Sidoqoftë, fenomeni i vetëvrasjeve në Kosovë, sipas dr Abdullahut, i ka gjetur të pafuqishme institucionet kosovare që të përballen me këtë dukuri.
“Po, është e vërtetë që ne, në një mënyrë, jemi të pafuqishëm përderisa ne nuk kemi mundur të marrim ndonjë hap konkret dhe përderisa ende nuk kemi filluar të ballafaqohemi me këtë dukuri. Pak a shumë jemi, të themi, në një gjumë. Edhe pse ne e diskutojmë në një mënyrë, por hapa konkretë nuk kemi ndërmarrrë. Kërkohen angazhime në të gjitha nivelet, jo vetëm prej shëndetit mendor, por prej të gjitha institucioneve. Duhet të ballafaqohemi me këtë”.





XS
SM
MD
LG