Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

REAGIME TË NDRYSHME LIDHUR ME SISTEMIN E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË


Bekim Bislimi

Vendimi i shpallur sot i Shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkeri, se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahen më 23 tetor të këtij viti në bazë të sistemit proporcional me lista të mbyllura, është pasuar nga reagime të ndryshme të përfaqësuesve të partive politike si dhe organizatave joqeveritare. Lulzim Zeneli, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti, edhe më parë ka pasur qëndrimin që sistemi i zgjedhjeve të jetë konform rrethanave aktuale dhe ka mbështetur sistemin proporcional me lista të mbyllura.
“Në këtë drejtim, kujtoj, se vetë formula e cila është përcaktuar dhe vendosur nga vetë kryeadministratori Holkeri, përputhet me vetë realitetin dhe rrethanat aktuale”.
Bujar Dugolli, deputet nga Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, theksoi se saktësimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme nga zoti Holkeri është mirëpritur nga partia e tij, për shkak se, siç tha ai, kjo u ka dhënë fund spekullimeve të atyre që kërkonin shtyrjen e afatit të zgjedhjeve. Ndërkaq, sa i përket vendimit që sistemi zgjedhor të jetë proporcional me një zonë dhe me lista të mbyllura zoti Dugolli tha se:
“Është një lloj arbitrariteti, kur dihet fakti se tashmë nuk ka qenë vetëm një forcë politike, që i ka kërkuar listat e hapura, por kanë qenë një sërë partish politike dhe shoqëria civile dhe mendoj që është një vendim i padrejtë në këtë aspekt, sa i përket listave. Sido që të jetë, unë mendoj që listat dhe vendet e rezervuara janë një shkelje e demokracisë zgjedhore apo demokracisë së mirëfilltë”.
Zoti Dugolli, shtoi se listat e mbyllura dhe vendet e rezervuara në Parlament janë shkelje e demokracisë zgjedhore. Ndërkaq, Leon Malazogu nga Instituti kosovar për Zhvillime dhe Kërkime Politike, organizatë kjo joqeveritare në kuadër të koalicionit të shoqërive civile “Reforma 2004”, thotë se vendimi i shefit të administratës ndërkombëtare për sistemin e zgjedhjeve me lista të mbyllura është i dëmshëm për Kosovën.
“Nuk e shpërblen llogaridhënien individuale, nuk i shpërblen politikanët, të cilët e kërkojnë besimin direkt të votuesve, por shpërblen politikanët të cilët më tepër u shkojnë për shtat liderëve të partive. Është shumë dëshprues fakti që Përfaqësuesi Special nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e shoqërisë civile dhe mendoj se do të ketë pasoja mjaft të mëdha, në përgjithësi, për demokratizimin e Kosovës, por edhe në afat më të shkurtër për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë”.
Sidoqoftë, kohët e fundit ka pasur mjaft reagime dhe kërkesa të një numri të madh të subjekteve politike kosovare si dhe organizatave joqeveritare që zgjedhjet e përgjithshme të mos bëhen me sistemin e listave të mbyllura.


XS
SM
MD
LG