Ndërlidhjet

GJENDJE MË E QETË NË MITROVICË PAS PROTESTAVE TË DHUNSHME


Rrahman Paçarizi, Mitrovicë

Së paku shtatë persona të vrarë është bilanci aktual tragjik i trazirave të dhunshme që kanë shpërthyer sot në qytetin e Mitrovicës, kur protestat nga të dyja anët e lumit Ibër që ndan qytetin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, kanë eskaluar në përleshje të armatosur.
Një zëdhënës i UNMIK-utnë Mitrovicë, Gyorgy Kakuk, tha se informacionet e UNMIK-ut nuk mund të ishin krejt të sakta për shkak të situatës tepër të vështirësuar të lëvizjes dhe të komunikimit:
"Janë së paku 200 persona të lënduar, kemi katër të vdekur në jug dhe dy në veri dhe kjo mund të ndryshojë, pasi disa persona janë në gjendje të rëndë," tha Gyorgy Kakuk. Ai tha se në mesin e të lënduarve ka pasur edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë:
"Me sytë e mi i kam parë policët e plagosur të UNMIK-ut dhe të SHPK-së, ndërsa KFOR-i thotë se dy ushtarë të KFOR-it kanë lëndime serioze në kokë," tha Kakuk. Protestat e sotme në Mitrovicë kanë nisur qetësisht kur një grup nxënësish shqiptarë, kanë protestuar për shkak se një natë më parë tre fëmijë shqiptarë nga fshati Çabër i Zubin Potokut kishin humbur jetën në lumin Ibër, kur ishin detyruar të hidhen për t’u shpëtuar siç thuhet, dy serbëve që po i ndiqnin bashkë me qenin e tyre. Më pas, turma protestuesisht shqiptarë dhe serbë nga të dyja anët e lumit Ibër janë grumbulluar duke hedhur gurë kundër njëri-tjetrit. Përleshja ka filluar në pjesën veriore ndërmjet dy grupeve kundërshtare, ndërsa situata ka eskaluar shumë shpejt dhe kanë filluar të shtënat nga të dyja palët.
Këto të shtëna që kanë ardhur nga pjesa veriore kanë lënë së paku pesë persona të plagosur dhe një të vdekur në vend, ndërsa më pas e vetmja gjë që është dëgjuar në Mitrovicë kanë qenë të shtënat nga armë të ndryshme dhe shpërthimet e bombave, si dhe boritë e autoambulancave që çonin të plagosurit në shtëpinë e shëndetit në Mitrovicë, ku ishte formuar shtabi emergjent i krizës. Shefi i këtij shtabi Dr. Adem Nura tha se rreth 300 persona kanë kërkuar ndihmë në këtë shtëpi shëndeti në pjesën jugore, disa prej të cilëve kanë vdekur:
"Aktualisht unë posedoj të dhënën se janë katër persona të vdekur dhe që të gjithë janë të vrarë me armë zjarri".
Protestat dhe përleshjet me policinë kanë vazhduar përgjatë gjithë zonës së mirëbesimit që shtrihet përgjatë lumit Ibër dhe pasi policia ka arritur t’i shtyjë protestuesit në thellësi të pjesës jugore, është shpallur edhe ora policore, tha zëdhënësja e policisë në Mitrovicë, Tracy Baker:
"Ne do ta mbyllim zonën e mirëbesimit që nga stacioni jugor dhe në të dyja anët e lumit Ibër dhe kjo orë policore që fillon sonte në orën shtatë, do të vazhdojë pandërprerë pakufishëm," tha zëdhënësja Tracy Baker.
Qytetin e Mitrovicës e ka ngrysur muzgu i sontëm me të shtëna të vazhdueshme dhe të mbuluar nga gazi lotsjellës që është hedhur papushim për disa orë. Turmat e protestuesve aktualisht janë zvogëluar dhe situata duket të jetë tani nën kontrollin e policisë.



XS
SM
MD
LG