Ndërlidhjet

VENDET E NATOS PËRFORCOJNË TRUPAT NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Prishtinë

NATO-ja sot ka mbajtur disa takime të jashtëzakonshme për shkak të situatës së re në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës ndëretnike atje. Në një moment sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer e kishte shtyrë madje një vizitë në Sllovaki për shkak të situatës në Kosovë, por ajo u realizua më vonë. Pas kërkesës së komandantit të KFOR-it gjeneralit Kammerhoff, NATO-ja ka vendosur sot të dërgojë 3 çeta me nga 130-250 ushtarë secila në Kosovë. Dy prej tyre njëra amerikane dhe tjetra italiane do të zhvendosen nga Bosnje Hercegovina ku janë duke vepruar në kuadër të SFOR-it atje, ndërsa një njësi britanike do të niset direkt nga baza e tyre në Britani të Madhe. Në bazë të planeve operative të NATO-s, komandanti i trupave në terren ka të drejtë që të kërkojë përforcime sa herë që të paraqitet nevoja e jashtëzakonshme, dhe mësohet se këtë e ka bërë sot dhe komandanti i KFOR-it nga Kosova. Zyrtarët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian edhe sot nuk kanë dashur ende të spekulojnë për konotacionet politike të kësaj që po ndodh në Kosovë, ndonëse ishte e vështirë të besohej se fjala është vetëm për reagime spontane. Prioritet tani është që të qetësohet situata dhe të ruhen jetët e njerëzve dhe jeta të kthehet në normalitet në mënyrë që KFOR-i dhe UNMIK-u në bashkëpunim me kosovarët të mund të kryejnë punët e tyre në hetimet për rastet që kanë ndodhur, kanë thënë zyrtarët e NATO-s në Bruksel, dhe këtë mendim e përsërisin edhe në selinë e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG