Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KOHA PËR TË ZGJIDHUR STATUSIN E KOSOVËS


WASHINGTON POST

Edhe një herë dhuna e bën politikën në Ballkan.
Përleshjet e fundit etnike në Kosovë janë më të rëndat nga prej luftës 1999, dhe i rrisin gjasat që Kosova përfundimisht të ndahet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë asnjëherë nuk kanë reaguar në Ballkan, përveç kur është dashur t'i përgjigjen dhunës. Ata i mbyllin veshët dhe thonë se gjithçka shkon mirë në këtë pjesë të botës. Në fakt, gjërat me vite nuk kanë shkuar mirë. Paqja e qëndrueshme dhe progresi në rajon nuk janë të mundshme derisa nuk zgjidhet çështja e Kosovës, sado e vështirë të jetë.
Dështimi në formimin e shtetësisë së Kosovës krijon pasiguri masovike në Ballkan, i acaron marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, i vonon investimet dhe zhvillimin, ndërsa Serbinë e mban të fokusuar në të shkuarën. Përpjekja kryesore e Bashkimit Evropian, viteve të fundit ishte ndihma për ta mbajtur gjallë të kaluarën duke insistuar që Mali i Zi t'i bashkangjitet Serbisë, kurse Kosova të mbetet e lidhur me Beogradin. Në të dyja rastet, administrata e Clintonit dhe Bushit e ndoqën vijën e unionit.
Në vetë Kosovën, administrata e pafat ndërkombëtare e drejtuar nga Nju Jorku ka rezistuar të bartë pushtetin tek kosovarët, të cilët eventualisht janë frustruar me administrimin kolonial. Kombet e Bashkuara formuan një qeveri të dobët dhe insistuan që ajo t'i përmbushë qëllimet e pamundshme politike dhe ekonomike përpara se të shqyrtohet statusi final i Kosovës. Administrata e Kombeve të Bashkuara ka dështuar të nxitë ndonjë investim serioz, duke e lënë papunësinë në Kosovë në nivelin rreth 60%.
Ndërkohë, ajo administratë me bekimin e Këshillit të Sigurimit e lejon Serbinë të formojë administratë të dyfishtë për popullatën serbe atje, duke i lejuar Serbisë kontrollin e një pjese të rëndësishme në veri të Kosovës, dhe de fakto duke i vënë bazat për ndarjen gjeografike.
Përfundimisht, administrata ndërkombëtare duke e synuar ruajtjen e Kosovës si shtet shumëetnik, u ka bërë shtypje kosovarëve të mbështesin kthimin e refugjatëve serbë, edhe pse si bashkësi ndërkombëtare nuk e bën të qartë nëse Kosova do të ishte një shtet i pavarur i udhëhequr nga shqiptarët e jo nga Beogradi. Nocionin e shtetit shumëetnik këtë javë e mori era.
Sa i përket Serbisë, edhe pas vrasjes së kryeministrit Xhingjiq, ajo ende nuk ka dalë përtej kufirit të shoqërisë kriminale, që e formoi Sllobodan Millosheviqi, e as që i ka hequr lidhjet nga ditët e Titos. Ajo ka halle serioze ekonomike. Serbia e mjerë e pa rindërtuar, në zgjedhjet e Dhjetorit u përcaktua për partitë nacionaliste. Ngjarjet e fundit me gjasë edhe më shumë do ta rritin ndikimin e tyre. Forca të errëta punojnë në Serbi dhe Kosovë. Megjithate, lirimi i Serbisë e Malit të Zi nga Kosova është esencial për reformat themelore dhe reduktimin e jostabilitetit në Ballkan.
Dhuna e fundit e nxorri në dritë dështimin e politikës së Perëndimit në Kosovë. Do të shohim nëse Perëndimi këtë e ka kuptuar, apo do t'i vazhdojë llafet për nevojat e Kosovës që t'i përmbushë standardet jorealiste dhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të misionit të Kombeve të Bashkuara. Dhuna e shqiptarëve, edhepse në një farë mase e planifikuar më parë, nuk mund të falet dhe duhet të ndalet. Por dhuna me gjasë nuk do të përfundojë përderisa Perëndimi vazhdon të mbështetet në supozimet jorealiste për Kosovën shumëetnike, dhe në fuqinë e Bashkimit Evropian që t'i zgjidhë të gjitha çështjet politike në Ballkan. Kjo kërkon që Perëndimi tani të fokusohet në statusin final të Kosovës, përpara se ekstremistët e të gjitha ngjyrave ta marrin situatën në dorë.
Nocioni i Kosovës shumëetnike mjerisht është bërë totalisht joreal, dhe mund të ketë ardhur koha për ndarjen e saj. Hutia dhe mungesa e sinqeritetit të perëndimit lejuan që ngjarjet në Kosovë të dalin jashtë kontrollit, dhe i ka rritur gjasat për dhunë jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnje dhe Maqedoni. Reduktimi i forcave të Perëndimit në Bosnjë dhe Kosovë është bërë më i vështirë. Zgjidhja e problemit të Kosovës është bërë çështje urgjente. Rruga për të ecur përpara duhet të jetë e qartë.

Autori Morton ABRAMOVITZ është anëtar i Bordit Ekzekutiv në Grupin Ndërkombëtar të Krizave
XS
SM
MD
LG