Ndërlidhjet

SERWER:"TRAZIRAT NË KOSOVË - TRAGJEDI PËR TË GJITHË"


Daniel SERWER, drejtor i Nismave Ballkanike në Institutin e SHBA-ve për Paqë

RADIO EVROPA E LIRË
Për një kohë të gjatë ju ishit në situatë për t'i vëzhguar zhvillimet në Ballkan. Nga ky këndvështrim, si i shpjegoni zhvillimet e javës së kaluar në Kosovë?

DANIEL SERWER
Ngjarjet e javës së fundit do t'i përshkruaja si një tragjedi…tragjedi për shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës, për Beogradin dhe për komunitetin ndërkombëtar. Është një situatë humbëse, humbëse…

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shpjegoni pra ngjarjet e këtilla?

DANIEL SERWER
Është e paqartë për mua si t'i shpjegoj ato. Është e paqartë për mua se në çfarë shkalle ishte spontane, në çfarë shkalle ishte e organizuar. E vetmja gjë që është e qartë për mua është se ato ishin kriminale dhe një budallallëk.

RADIO EVROPA E LIRË
Po e parashtroj këtë pyetje sepse disa analistë thonë se kishte sinjale të qarta se Kosova ishte e harruar nga Bashkësia ndërkomëtare. Çfarë është komenti juaj?

DANIEL SERWER
Nuk mendoj se Kosova ishte harruar. Përkundrazi, ka marrë shumë ndihma dhe ishte në rrugë mjaft të qartë drejt negociatave për statusin final, rrugën që është mjaft qartë e shoqëruar me rishikimin e standardeve në vitin 2005. Mendoj që është vërtetë jokorrekte të sugjerohet që komuniteti ndërkombëtar e kishte harruar Kosovën. Mendoj se disa kosovarë…pra disa kosovarë, jo të gjithë, harruan mënyrën e sjelljes korrekte.

RADIO EVROPA E LIRË
Posa e përmendët statusin final të Kosovës dhe procesin lidhur me këtë çështje. Si i parashihni zhvillimet e ardhshme...veçanërisht në këtë fushë?

DANIEL SERWER
Nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë. Ajo që më duket e qartë është se të gjitha këto ngjarje e çojnë Kosovën në drejtim të kundërt të arritjes së standardeve. Është shumë e vështirë të përcaktohet si mund të vihen gjërat sërish ne vend para vitit 2005. Është bërë një dëm i madh material dhe fizik, por ajo që është e rëndësishme, është dëmi i shumë i madh psikologjik ndaj minoritetit më të madh në Kosovë – serbëve, dhe do të jetë shumë e vështirë për ta të pranojnë nocionin që duhet të kthehen dhe të jetojnë në shtëpitë e tyre, sidomos ata që jetonin në komunitete pak a shumë të integruara. Është një katastrofë e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur deklarime të analistëve se ngjarjet në Kosovë tregojnë se politikë-bërësit atje duhet të jenë më efikas se sa që ishin gjatë pesë viteve të kaluara. Sipas jush, çka do të thotë kjo?

DANIEL SERWER
Mendoj se kjo do të thotë që ata duhet të bëjnë progres drejt standardeve shumë më shpejt se që kanë qenë të vullnetshëm që këtë ta bëjnë në të kaluarën. Liderët kosovarë kanë qenë mjaft të kënaqur, jo të gjithë por shumica prej tyre, të flisnin për pavarësinë sa që harruan për standardet dhe tashmë është mjaft e qartë që gjëja më urgjente është arritja e standardeve dhe pastaj të flitet për pavarësinë. Mendoj se ka disa përjashtime dhe veçanërisht kryeministri Bajram Rexhepi ka qenë shumë i qartë në përkushtimin e tij për arritjen e standardeve, por ai nuk gjendet në një rrugë të lehtë politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj ta citoj tash të përditshmen "International Herald Tribune" që para disa ditësh shkruajti se "nuk do të ketë stabilitet në Kosovë pa një strategji zhvillimore të besueshme ekonomike, pavarësisht se çfarë do të jetë statusi final". Si e komentoni ju këtë çështje?

DANIEL SERWER
Mendoj që është e vërtetë për gjithë Ballkanin që situata e keqe ekonomike po vështirëson përparimin drejt demokracisë dhe një tranzicioni të plotë demokratik. Por më duhet të them që Kosova në këtë aspekt është pak më mirë se disa pjesë të Ballkanit, sepse ka një popullsi në rritje dinamike të zgjuar, që ka qenë e aftë të përfitojë nga numri i madh i ndihmave nga jashtë, dhe këto kushte nuk ekzistojnë në gjithë Ballkanin. Mendoj që Kosova nuk është një model i mirë ekonomik, por nuk është fatkeqësia më e madhe në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë duhet të bëhet që në Kosovë të kthehet normaliteti?

DANIEL SERWER
Mendoj që e para gjë është ndalja e dhunës. E dyta duhet që qeveria të vërë në zbatim një plan të qartë duke përdorë fondet e saj për të riparuar dëmin e shkaktuar. Megjithatë nuk ka kuptim riparimi i dëmit nëse të dy komunitetet, shqiptarët dhe serbët nuk përmirësojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është pika ku Instituti i Shteteve të Bashkuara për paqe dhe shumë organizata të tjera duhet t'i dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre dhe kuptimin mes komuniteteve që njerëzit të jetojnë në të njëjtin vend dhe të gëzojnë liritë demokratike pa frikë.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG