Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

GEDMIN:"STATUSI I KOSOVËS NUK MUND TË ZHAGITET PËRGJITHMONË"


Jefry GEDMIN, drejtor i Institutit ASPEN me seli në Berlin

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni shkaqet e protestave të dhunshme që ndodhën javën e kaluar në Kosovë? Nga ana tjetër njerëzit që janë të familjarizuar me Kosovën kanë thënë se ishte diçka që pritej të ndodhte, duke patur parasysh që situata në Kosovë 5 vjet pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s ka ngrirë, por nuk është zgjidhur....

XHEFRI GEDMIN
Ajo që bëmë (në vitin 1999) ishte se ne i dhamë fund derdhjes së gjakut dhe në mënyrë tepër sinjifikative ulëm nivelin e konfliktit. Ne (komuniteti ndërkombëtar) jemi përpjekur ta bëjmë këtë gjë në Ballkan 10 vjetët e fundit dhe kemi patur sukses të konsiderueshëm. Megjithatë qëndron fakti që plagët që janë hapur, gjakderdhja, gjaku i derdhur, asgjë nga këto nuk shërohet lehtë. Asgjë nuk mbyllet shpejt. Dhe në rastin e Kosovës, në rastin e këtij konflikti kemi plagë shumë të thella dhe gjurmë të tmerrshme. Ndërsa mbështjella politike e tyre është çështja e pazgjidhur e statusit. Marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, NATO-n Bashkimin Evropian, Serbinë, fqinjët është e paqartë. Kosova nuk është një entitet i pavarur që të vetëmbahet politikisht dhe ekonomikisht, pavarësisht se cili është statusi i saj. Gjithashtu mbetet ende një punë e jashtëzakonshme për t'u bërë. Ne vërtetë kemi ngrirë gjendjen, por kjo ishte pozitive sepse ulëm në masë të madhe gjakderdhjen. Por a zgjidhëm gjithçka? Jo aspak, shumë punë mbetet për t'u bërë ende.


RADIO EVROPA E LIRË
Cili mund të jetë hapi që duhet ndërmarrë në këto rrethana? A mund të zgjidhet kjo krizë me vazhdimin e bisedimeve që tashmë kishin filluar?

XHEFRI GEDMIN
Sipas mendimit tim duhet të kemi parasysh dy gjëra. E para është detyrimi që ne si faktor i jashtëm kemi për të mbajtur ligjin dhe rendin, të ndihmojnë kosovarët të mbajnë rregullin dhe ligjin. Shumica e njerëzve që jetojnë në Kosovë jam i sigurt janë të interesuar në një ambient të lirë dhe të sigurt, në të cilin të mund të rritin fëmijët e tyre, të shkojnë në punë dhe të jetojnë një jetë të mirë. Gjëja e parë është siguria, ligji dhe rregulli dhe gjëja e dytë që është paralele me të parën, është besoj që duhet të ndërpresim së gjuajturi kanoçet përgjatë rrugës dhe duhet të pyesim vetveten a do i lejojmë një shumice njerëzish në këtë vend të quajtur Kosovë të drejtën për pavarësi? Po apo jo? Mendoj që të gjithë NATO, Amerika, Bashkimi Evropian, të gjithë kanë arsye për përmbajtje, sepse situata është e vështirë, plot sfida - por nëse më pyesni për mendimin tim personal unë them: çështja e statusit, përkatësisht pavarësia nuk është zgjidhje e gjitha këtyre problemeve, por është një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes. Kjo do të thotë se kosovarëve duhet t'u thuhet - nëse doni pavarësi duhet ta meritoni atë, duhet të jetë një proces transparent, duam të shohim një Kosovë që është ekonomikisht e qëndrueshme dhe me demokraci të shëndoshë, që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve brenda kufijve të saj. Çdo shqetësim legjitim i fqinjëve apo atyre që jetojnë brenda Kosovës, përfshirë serbët, me kalimin e kohës duhet të adresohet. Pra, mendoj se duhet që në mënyrë më të hapur, më të ndershme dhe më të guximshme të shtrojmë çështjen e statusit të Kosovës dhe si të arrihet deri te ai. Nuk besoj se dikush beson se kjo çështje mund të zhagitet përgjithmonë. Thjesht, shumë kosovarë, pas gjithë asaj nëpër çka kanë kaluar, një gjë të tillë nuk do ta pranojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, për ta përmbledhur mendoni se është e rëndësishme të përmbushen disa standarde para fillimit të negociatave për statusin final?

XHEFRI GEDMIN
Mendoj që në mënyrë inteligjente mund të kombinohen të dyja. Mund të krijohet një plan, mendoj që mundet t'u thuhet kosovarëve që nëse pavarësia është me të vërtetë ajo që dëshironi, ky është plani i hartuar që do t'ju ndihmojë ju të rriteni ekonomikisht dhe në planin demokratik, një plan i hartuar që do t'ju ndihmojë që përgjatë rrugës t'u përgjigjeni shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar, të pakicave brenda vendit tuaj, dhe të fqinjëve, që ky entitet i ri do të ketë respekt për të drejtat politike, respekt për të drejtat civile, dhe të jetë një partner i mirë dhe demokratik për vendet e tjera.

XS
SM
MD
LG