Ndërlidhjet

PIEPER: FORCAT SERBE DUHET TË RRINË JASHTË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

“Është vetëm një marrëveshje me autoritetet ushtarake të Serbisë e Malit të Zi dhe ajo është që forcat serbe të rrinë jashtë Kosovës," thotë shefi për informim i KFOR-it Horst Pieper, pas disa njoftimeve se komandanti i KFOR-it Holger Kammerhof dhe Ministri i Mbrojtjes i Unionit Serbi- Mal i Zi, Boris Tadiç janë pajtuar që të ndërmerren një numër masash për të siguruar komunitetin serb në Kosovë.
“Nuk ka shumë masa për të cilën jemi pajtuar me ta, por, duhet ta dini se ne duhet të ketë marrëdhënie të mira pune me forcat e Serbisë dhe Malit të Zi," thotë koloneli Horst Pieper duke shtuar se KFOR-i i ka bërë të qartë autoriteteve të Serbisë e Malit të Zi se është i gatshëm të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Duke komentuar kërkesën e autoriteve ushtarake serbo-malazeze pas trazirave të para dy javëve për dërgimin e disa trupave ushtarake serbe, koloneli Pieper thotë se përvec KFOR-it asnjë forcë tjetër nuk është e lejuar që të jetë në Kosovë.
“Ka vetëm një marëveshje dhe ajo është, që forcat serbe duhet të rrinë jashtë Kosovës”, thotë Pieper.
Nga ana tjetër misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka ngritur masat e sigurisë përreth objekteve të këtij misioni. Afër selisë qendrore në Prishtinë është ngritur edhe një mur tjetër betoni i lartë mbi 2 metra, afër murit të vjetër të ngritur para disa muajsh.
Shefja e Departamentit për Informim e administratës ndërkombëtare në Kosovë, Hua Jiang thotë se trazirat e para dy javëve kanë bërë që masat e sigurisë të ngrihen afër çdo objekti të Kombeve të Bashkuara.
“Pas asaj që ka ngjarë javën e kaluar është e natyrshme që ne duhet t’i rritim masat e sigurisë në rrethinën ku janë të vendosur selitë e UNMIK-ut. Kjo është shumë e natyrshme dhe nuk ka nevojë që të shpjegohet”, tha Hua Jiang.
Ajo shtoi se jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon selitë e misioneve të Kombeve të Bashkuara janë sulmuar nga elemente të dhunës, kështu që sipas saj është e domdoshme që të mbrohet personeli nga dhuna.
Administrata ndërkombëtare ka marrë vendim që të rritë masat e sigurisë edhe në qytetete tjera të Kosovës ku janë të vendosura selitë e UNMIK-ut.
Ndërkohë shefi për informim i KFOR-it Horst Pieper thotë se tani për tani Kosovës nuk i kërcënohet ndonjë rrezik dhe situata e sigurisë mbetet e qetë.
“E dini se kanë arritur më shumë se 2000 ushtarë këtu për të përforcuar KFOR-in. Këta ushtarë janë trajnuar për 5 vjetët e kaluar dhe për çdo hap që e ndërmarrin janë të ushtruar," thotë Pieper duke siguruar se ushtarët e KFOR-it tashmë janë të gatshëm që të ballafaqohen me trazirat sikur të ato të 17 marsit.
Pas këtyre trazirave, që morën jetën e 20 personave, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i po ndërmarrin operacione të përbashkëta për të gjetur organizatorët. Deri tani policia e UNMIK-ut ka arrestuar rreth 200 persona, por ende nuk dihet nëse egzistojnë prova të mjaftueshme për të ngritur aktpadi kundër tyre dhe sa nga ta do të lirohen.

XS
SM
MD
LG