Ndërlidhjet

MINISTRAT E JASHTËM TË NATOS DISKUTUAN PËR SITUATËN NË KOSOVË DHE NË BALLKAN


Augustin Palokaj, Bruksel

Ministrat e jashtëm të 26 vendeve të NATO-s kanë disktuar sot edhe për situatën në Kosovë, në takimin e tyre të zhvilluar në Bruksel, që ishte dhe takimi i parë kur të barabartë morën pjesë edhe ministrat nga 7 shtetet e reja, që këtë javë hynë në anëtarësi të plotë në këtë Aleancë.
Që në hapjen e takimit të Ministrave, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, i ka përkujtuar ata se dhuna e fundit në Kosovë ka dëshmuar edhe njëherë se bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka përfunduar punën atje. Ai ka thënë se me angazhimin e NATO-s dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, megjithatë është arritur përparim i dukshëm në Kosovë dhe më gjërë në Ballkan. Duke folur më vonë para gazetarëve pas takimit të Ministrave dhe duke përmbledhur edhe qëndrimin që është dëgjuar në këtë takim, Scheffer ka thënë se është e domosdoshme që nga ky takim, liderët kosovarë ta kuptojnë qartë se duhet të punojnë në arritjen e standardeve para statusit, dhe se dhuna e para dy javëve nuk do ta ndryshojë kursin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Çështja e Kosovës është diskutuar edhe në takimin e ministrave të NATO-s me Rusinë, që është zhvilluar po sot. NATO-ja përndryshe vlerëson se situata në Kosovë është vënë nën kontroll edhe falë reagimit të shpejtë të shteteve të Aleancës, që pas shpërthimit të dhunës ndëretnike të para dy javëve, të dërgohen përforcime të shpejta atje. Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Collin Powell ka thënë se vendi i tij ka shprehur keqardhje për dhunën në Kosovë, por ka përshëndetur reagimin e shpejtë të NATO-s, që dëshmon se Aleanca është e gatshme dhe e vullnetshme të mbajë stabilitetin dhe sigurinë në kontinentin evropian.
" Shprehim keqardhje për dhunën në Kosovë por njëherësh përshëndesim edhe aksionin e shpejtë të NATO-s për vendosjen e rregullit atje," ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Powell, duke folur para gazetarëve pas takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel. Në këtë takim është thënë edhe njëherë se të akuzuarit për krime lufte në Ballkan, duhet të çohen në Hagë dhe shprehu keqardhje për shkak të dështimit të aksionit që ditëve të fundit u ndërmorr nga ana e ushtarëve të NATO-s për arrestimin e Karaxhiçit. Serbisë dhe Malit të Zi i është bërë e ditur se nuk mund të llogaritin në anëtarësim të plotë në Partneritet për Paqe, nëse nuk bashkëpunojnë tërësisht me Tribunalin e Hagës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Scheffer është shprehur se në këtë moment nuk po vijnë kurrfarë sinjalesh të mira nga Beogradi për bashkëpunim me Hagën, por po ndodh e kundërta, që vetëm e largon Serbinë dhe Malin e Zi nga ky qëllim.



XS
SM
MD
LG