Ndërlidhjet

PETER STRUCK PËRJASHTON MUNDËSINË PËR NDARJEN E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Derisa të gjendet një zgjidhje politike,Bashkimi Evropian duhet të marrë më shumë përgjegjësi për Kosovën,tha gjatë vizitës së tij njëditore në Kosovë Ministri gjerman i Mbrojtjes Peter Struck.
Ministri gjerman i Mbrojtjes,i cili qëndroi në Kosovë për t’u informuar me gjendjen e krijuar pas trazirave të 17 dhe 18 marsit tha se këto trazira nuk kanë ndryshuar misionin e Kombeve të Bashkuara dhe se me zgjidhjen e statusit final të Kosovës do të merren të gjithë ata që janë pjesë e këtij misioni.
“Aktorët kryesorë do të jenë Kombet e Bashkuara, NATO, kurse Bashkimi Evropian duhet të marrë më shumë përgjegjësi për të kontribuar në këtë rajon. Pas kësaj do të ketë takime të përbashkëta në mes të BE-së, Kombeve të Bashkuara dhe të çdokujt që merr pjesë në këtë mision për të gjetur një zgjidhje politike për rajonin," tha Peter Struck, duke përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës .
“Misioni ynë nuk është që të ketë kurrfarë ndarje në Kosovë. Por misioni ka për qëllim krijimin e një klime ku të gjitha komunitetet, shqiptarët dhe serbët të jetojnë së bashku në paqe,” tha Struck.
Por, Struck thotë se para se të mendohet për statusin duhet të përmbushen standardet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare dhe përmbushja e tyre sipas Ministrit gjerman të Mbrojtjes do të bëhet në bashkëpunim më BE-në dhe me bashkësinë ndërkombëtare.
"Roli i politikanëve këtu si të atyre në nivelin lokal ashtu edhe të atyre të nivelit qendror është, që t’i zgjidhin problemet politike dhe derisa nuk zgjidhen çështjet politike ne do t’i mbajmë trupat tona këtu," tha Struck.
Ministri Peter Struck thotë se Gjermania do të vazhdojë përkrahjen e saj për KFOR-in duke kontribuar me rreth 4000 trupa gjermane.
Peter Struck pas takimit me komandantin e KFOR-it Holger Kammerhof, ka vizituar edhe kontigjentin gjerman të stacionuar në Prizren.




XS
SM
MD
LG