Ndërlidhjet

WILLIAMS:"SHBA-të TË MARRIN ROLIN PRIJËS NË KOSOVË"


Paul WILLIAMS, analist/profesor në Univesitetin e Washingtonit


RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Williams, në një editorial me zotin Hitchner ju keni thënë se Kombet e Bashkuara kanë dështuar në ndërtimin e një procesi për të zgjidhur çështjen e Kosovës?

PAUL WILLIAMS
Dështimin e shoh në faktin se katër vjet pas ndërhyrjes humanitare në NATO-s është bërë një përparim shumë i vogël ekonomik në Kosovë, ku ka 66 për qind papunësi, ku institucionet e Kosovës janë ndërtuar në kuptim të zgjedhjeve, mirëpo kryeministri dhe parlamentin kanë shumë pak pushtet politik dhe nuk ka pasur lëvizje serioze për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ekziston dialogu Serbi-Kosovë tash e pesë muaj dhe me sa di unë, palët janë takuar për pesë orë dhe kanë diskutuar për kodin e telefonit dhe për targat e veturave. Kur kjo krahasohet me Kroacinë dhe Slloveninë, që kanë bërë përparim substancial në katër pesë vjetët e fundit, atëherë dikush duhet të pyesë veten se sa efektive kanë qenë Kombet e Bashkuara në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë kritik edhe për politikën e ashtuquajtur "standardet para statusit". A mund ta eleboroni shkurtimisht qëndrimin tuaj?

PAUL WILLIAMS
Janë dy shqetësime që kam lidhur me qasjen "standardet para statusit". I pari është se këto standarde nuk janë realiste, por janë në fakt shumë idealistike. Në këtë kuptim ato bëhen pengese, pasi nuk është e mundur që kosovarët t'i përmbushin këto standarde së shpejti dhe, për të qenë i sinqertë, nuk besoj se shumë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë aftësi për t'i përmbushur këto standarde.
Shqetësimi im i dytë është se slogani "standardet para statusit" është shndërruar në një arsyetim për të shtyrë pafund statusin përfundimtar të Kosovës dhe kjo i ka forcuar fraksionet radikale dhe ekstreme në Kosovë dhe u ka dhënë njëfarë mbështetjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se është logjika e masave gjysmake dhe taktikës së shtyrjes. Cilat janë sipas jush arsyet e BE-së dhe të OKB-së për shtyrjen e përparimi në këtë aspekt?

PAUL WILLIAMS
OKB-së dhe BE-së u mungon të kuptuarit fundamental për mënyrën e skuarjes përpara drejt zgjidhjes së konfliktit të Ballkanit. Kur e shihni Kroacinë dhe Slloveninë, ato ishin shumë të suksesshme. Kur e shihni Bosnjën, suksesi ishte gjysmak. Ndërkaq, dështimet më të mëdha janë Serbia dhe Kosova. Në Serbi keni një qasje të çuarjes së plotë të duarve, që është dështim i plotë për çfarëdo përparimi, siç janë moderimi dhe ndalimi i korrupsionit e të tjera. Ndërsa në Kosovë kemi një proces të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara pa bartje të pushtetit dhe përgjegjësive te kosovarëve dhe siç e dimë shumë ndërmarrje të këtilla koloniale kanë rezultuar me dështim. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë një qasje strategjike, si ajo që është bërë në Maqedoni dhe Kroaci, që do të thotë një shkallë e kushtëzimit dhe e përkrahjes substanciale, duke punuar me palët pluraliste dhe të moderuara për të promovuar paqen dhe stabilizimin e rajonit dhe jo duke bërë të kundërtën e asaj që dëshirojnë njerëzit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te përfshirja ndërkombëtare, sidomos në Kosovë dhe në Bosnjë, disa analistë e kanë përshkruar këtë si një përkohësi institucionale. A do të pajtoheshit ju me këtë?

PAUL WILLIAMS
Ajo që kanë dashur të bëjnë është që të vënë një linjë ndërmjet konfliktit në Kosovë dhe atij në Bosnjë, përmes një pranie ndërkombëtare. Kjo ndoshta mund të funksionojë në planin e sigurisë, pasi KFOR-i në Kosovë dhe SFOR-i në Bosnjë janë të domosdoshëm, mirëpo kjo nuk është mënyra më e mirë për ta aplikuar në planin civil, pasi populli i Kosovës dhe ai i Bosnjës kanë nevojë për ndërtimin e kapaciteteve dhe jo për zhvendosjen e kapaciteteve vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë se është koha që SHBA të aktivizohen. Çka mendoni se do të mund t'i shtynte amerikanët të ndërhyjnë, duke pasur parasysh çështje shumë më të ngutshme dhe çfarë do të ndryshonte një angazhim eventual amerikan?

PAUL WILLIAMS
Për të qenë i sinqertë, dhuna e javëve të fundit do të duhej të ishte më se e mjaftueshme për t'i trimëruar Shtetet e Bashkuara që të aktivizohen dhe të marrin rolin udhëheqës apo së paku të parneritetit me BE-në. Unë jam skeptik nëse Departamenti i Shtetit e ka marrë mesazhin nga Kosova se politika e BE-së dhe të OKB-së në Kosovë kanë dështuar dhe se do të çojnë kah destablizimet e tjera në të ardhmen. Mirëpo, eshtë e qartë se SHBA-të janë të preokupuara me Irakun, Afganistanin dhe me Haitin, mirëpo Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në aspektin ushtarak dhe financiar në Ballkan dhe do të ishte një turp të ndodhte dështimi vetëm për shkak të mungesës së vëmendjes. Kjo nuk do të kërkojë aq shumë fuqi politike të SHBA për ta vënë gjithë procesin e stabilitetit ballkanik në rrugën e duhur – thjesht nevojitet një emisar special i SHBA që do të kishte kredibilitet te serbët te kosovarët dhe te Bashkimi Evropian që të fillojë një procesi të plokuptimtë për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe fuqizimin e kosovarëve për ta udhëhequr entitetin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju i referoheni dhunës së fundit në Kosovë, Kjo duket se u ka shkuar mirë përshtati atyre që përkrahin ndarjen e Kosovës. A është në të vërtetë një opcion i tillë në agjendë.

PAUL WILLIAMS
Ju keni të drejtë se kjo u ka shkuar përshtati atyre që e përkrahin copëtimin e Kosovës, prandaj edhe lidershipi kosovar duhet të bashkohet. Koha e ndarjeve politike ka kaluar dhe është me r¡ndësi që ata të bashkohen, si një entitet i vetëm, për ta hequr ndarjen nga tavolina e opcioneve dhe të përqendrojnë energjitë e tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për kthimin e refugjatëve, mbrojtjen e minoriteteve e të tjera. Ekziston brengosja se copëtimi është kthyer në agjendë, si te disa në Kosovë, ashtu edhe te disa në Serbi, por edhe në bashkësinë ndërkombëtare. Nëse ju kujtohet Bosnja, BE në fillim të konfliktit të Bosnjës ishte shumë i afërt me idenë e kantonizimit të Bosnjës sipas planit Vens-Oven që ishte formalisht një ndarje e Bosnjës dhe u arrit të krijohet një bindje dhe simpati në Bashkimin Evropian e madje edhe në disa qarqe në SHBA që e shihnin ndarjen si zgjidhje. Nëse fillohet coptimi i Kosovës, atëherë edhe vende të tjera fiqnje janë në këtë listë dhe do të ketë një destabizim të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkaq, pavarësia e Kosovës shpesh po lidhet me një kompensim territorial nga ana e Serbisë. Kjo ide është përkrahur nga qarqe të caktuara ndërkombëtare edhe pse duket si një rast i pashembullt. A mendoni se ky është një opcion i qëndrueshëm për të ardhmen?

PAUL WILLIAMS
Unë pajtohem se ekziston një botëkuptim që vetëvendosja i një grupi njerëzish kërkon kompensimin ndaj vendit nga i cili është shkëputur. Mendoj se në aspektin stretegjik dhe jo në aspektin emocional apo në aspektin nacionalist, çelësi i stabiliteti në Ballkan është Serbia e pavarur. Serbia ka plot probleme ekonomike dhe politike dhe duhet të transformohet shumëçka atje. Mali i Zi duhet të hiqet nga ky qark. Kosova duhet të hiqet nga qark dhe populli i Serbisë dhe qeveria duhet të përqendrohet në transformin e vet politik dhe ekonomik dhe jo në Republika Serpska apo në Kosovë. Dhe, unë përfundimisht mendoj se nuk duhet të ketë kompensim territorial apo tregti territoresh. Kështu ka filluar e gjithë kriza një dekadë më parë, prandaj duhet fokusuar në transformimin e brendshëm politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju dhe profesor Hitchner keni thënë se jemi në momentin kur mund të definohet historia e Ballkanit, Gjatë dhjetë vjetësh ka pasur plot raste të tilla, pse mendoni se tash është ndryshe?

PAUL WILLIAMS
Ndoshta keni të drejtë se në dekadën e fundit ka pasur plot momente përcaktuese, si rrethimi i Dubrovnkikut, bombardimi i Vukovarit, masakrat e shumta në Sarajevë dhe të gjitha janë momente përcaktuese, deri te masakra e Reçakut, kur bashkësia ndërkombëtare bëri gjënë e duhur dhe u angazhua me ndërhyrje humanitare. Janë bërë shumë gabime që e kanë minuar përparimin e deritashëm dhe ne sërish jemi në një moment përcaktues, sidomos për Serbinë, pasi kriza e Kosoves ktheu vëmendjen te Ballkani. Që të jemi të sinqertë, kriza e Kosovës mund të menaxhohet thjesht dhe shpejt me përcaktimin e statusit të Kosovës, me një lloj pavarësie të Kosovës, mirëpo problemi real është se nuk jemi përqendruar tek transformimi ekonomik dhe politik në Serbi ku në mënyrë rapide po përtërihen synimet nacionaliste të partive dhe do të kemi probleme serioze në dhjetëvjetëshin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG