Ndërlidhjet

HOLKERI ZHVILLON TAKIME NË KËSHILLIN E NATO-S


Augustin Palokaj, Bruksel

Gjatë qëndrimit të tij të sotëm në Bruksel, kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, ka patur takim me Këshillin e NATO-s në selinë e kësaj Aleance. Holkeri ambasadorëve u ka folur për ngjarjet e 17 dhe 18 marsit në Kosovë dhe u ka thënë se më parë nuk ka patur evidenca se mund të ndodhë një gjë e tillë. Ai tha se sipas burimeve diplomatike të NATO-s, mesazhet nuk kanë qenë të çuara si duhet në Kosovë, që dhuna nuk mund të ndihmojë në zgjidhjen e statusit. Sipas burimeve diplomatike të NATO-s, Holkeri ka folur edhe për disa shifra të dala pas trazirave të fundit në Kosovë, sipas të cilave 150 automjete janë shkatërruar, janë djegur 550 shtëpi, dhe mbi 28 manastire apo kisha serbe janë shkatërruar. Holkeri ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se ai shpreson se autorët e veprave të tilla, do të nxirren para drejtësisë. Po ashtu ambasadorët e NATO-s kanë patur shumë pyetje për Harri Holkerin, lidhur me zhvillimet e fundit dhe thuhet se që të gjithë janë pajtuar se duhet vazhduar me politikën standardet para statusit, dhe nuk duhet lejuar që me dhunë të ndryshohet ndonjë gjë në këtë politikë. Po ashtu ambasadorëve të NATO-s për situatën në Kosovë u ka folur edhe admirali Johnson, i cili ka folur më shumë për aspektin e sigurisë. KFOR-i po punon në bashkëpunim me UNMIK-un, në mënyrë që të tejkalohet ajo që ka ndodhur, ka thënë Johnson sipas burimeve diplomatike. Po ashtu është thënë se KFOR-i është duke nxjerrë mësime nga ngjarjet e fundit, të cilat do t'i shfrytëzojë në të ardhmen, kur të paraqitet nevoja. Sipas zyrtarëve diplomatikë të NATO-s KFOR-i në këtë moment nuk planifikon të zvogëlojë trupat në Kosovë, dhe do të mbajë numrin aktual. Po ashtu Holkeri gjatë pasdites viziton edhe selinë e Bashkimit Evropian. Ai pritet që të takohet me Havier Solanën, përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë. Njëlloj si NATO, edhe Bashkimi Evropian insiston që të vazhdohet politika standardet para statusit, dhe që liderët kosovarë të përqëndrohen më shumë në përmbushjen e standardeve që bashkësia ndërkombëtare i kërkon nga ata.





XS
SM
MD
LG