Ndërlidhjet

ERLANDSON: DHUNA E KA DËMTUAR PROGRESIN NË KOSOVË


Albana Isufi, Bondsteel

“Dhuna e shkaktuar para tre javësh e ka kthyer Kosovën prapa, ndoshta jo sa në vitin 1999, por e ka dëmtuar progresin që është arritur për 5 vjet,” vlerëson komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes gjenerali amerikan Rick Erlandson.
Gjenerali Erlandson thotë se Brigada Shumëkombëshe e Lindjes do të mundohet të identifikojë dhe të arrestojë të gjithë personat që kanë qenë të përfshirë në trazirat e 17 dhe 18 marsit, qofshin ata nga Kosova apo nga jashtë. Ai tha se KFOR-i amerikan ka ndaluar deri tani 9 persona, 3 nga të cilët i janë dorëzuar Shërbimit Policor të Kosovës. Erlandson përjashtoi mundësinë që të ndaluarit i takojnë ndonjë organizate ose partie politike.
“Ne në Brigadën Shumëkombëshe të Lindjes nuk kemi indikacione për emra apo njerëz që i përkasin partive politike," tha Erlandson.
Gjenerali amerikan Rick Erlandson vlerëson se tani situata është e qetë, por mjaft e brishtë. Për këtë arsye në sektorin lindor që kontrollohet nga forcat amerikane edhe më tej do të mbesin në fuqi masat e sigurisë, siç është ora policore dhe ngritja e pikave të kontrollit.
“Që nga ndalja e dhunës ne kemi marrë hapa duke punuar drejpërdrejt me autoritetet civile për ta marrë përsëri kontrollin si dhe me banorët vendas, për t’ia demonstruar fqinjëve, Evropës dhe botës se Kosova respekton sundimin e ligjit dhe është një vend i tolerancës. Të rifitohet suksesi që Kosova e arriti prej 1999 deri më 2004 do të marrë kohe. Nuk do të jetë proces brenda nate”, thotë Erlandson duke shtuar se e vetmja shpresë që Kosova të bëhet një shoqëri të pranuar nga fqinjët e saj është që të ndjek rrugën ku respektohet rendi dhe ligji.
Gjenerali Erlandson thotë se do heqë orën policore atëherë kur të jetë i sigurt se gjakërat janë ftohur dhe kur situata t’i jetë kthyer të zakonshmes.
“Këto masa vërtet e pengojnë lirinë e lëvizjes, por janë çështje të rëndësishme për përparimin e Kosovës. Masat e mia janë të përkohshme dhe do të forcojnë një ambjent të qetë e të sigurt. Kur të hiqen këto masa unë pres që të ketë liri të plotë të lëvizjes për të gjithë njerëzit, posaçërisht për pakicat," tha gjenerali Erlandson.
Erlandson thotë se gjatë trazirave të 17 dhe 18 marsit ushtarët e Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes kanë qenë të kërcënuar, ndërkaq një ushtar amerikan ka marrë edhe lëndime të lehta. Ai thotë se ushtarët janë të përgatitur mirë dhe në çdo moment kur të paraqitet ndonjë lloj kërcënimi ata do të reagojnë.
Komandanti i trupave amerikane në Kosovë Rick Erlandson ka kërkuar nga komunat që veprojnë në kuadër të sektorit lindor të bëjnë më shumë në riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë trazirave.
Numri i ushtarëve amerikanë ka mbetur i njëjtë edhe pas trazirave të 17 dhe 18 marsit. Ndërkaq 100 ushtarët që qenë dërguar si përforcim janë kthyer sërish në Bosnje.




XS
SM
MD
LG