Ndërlidhjet

BAGDAD


Forcat e Shteteve të Bashkuara u kanë ofruar armëpushim kryengritësve në qytetin me shumicë shiite Fallujah në Irakun qendror.
Por zëdhënësi, gjeneral brigade Mark Kimmit tha se trupat amerikane e ruajnë të drejtën për vetëmbrojtje.
"Ky aksion është ndërmarrë në bazë të vlerësimeve se edhe elementët armiqësorë në Fallujah gjithashtu do ta respektojnë armëpushimin. Pavarësisht nga armëpushimi, forcave të koalicionit u mbetet e drejta për të reaguar në vetëmbrojtje", tha gjeneral brigade Mark Kimmit.
Një delegacion i liderëve irakienë hyri në Fallujah me shpresë për të negocuar që t'i jepet fund dhunës.
Ndërkohë, Këshilli Qeverisës i Irakut i ka cilësuar si "ndëshkime kolektive" operacionet e ushtrisë amerikane për çrrënjosjen e kryengritësve nga qyteti, dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në tërë vendin.
"I dënojmë operacionet luftarake të kryera nga forcat amerikane, sepse ato në fakt paraqesin ndëshkim kolektiv për banorët e Fallujas", tha anëtari i Këshillit, Adnan Pachachi.
Uashingtoni nuk i komentoi protestat e anëtarëve të Këshillit, por zyrtarët amerikanë thanë se dhuna e fundit në Irak është e paparë prej Majit të vitit të kaluar, kur u shpall përfundimi i operacioneve kryesore luftarake.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush u zotua se forcat e koalicionit do t'i mundin guerilët që po bëjnë kërdi në Irak, dhe i mbrojti planet për bartjen e pushtetit te qeveria e përkohshme e Irakut deri në 30 Qershor, ndërsa sekretari i shtetit Colin Powell deklaroi se "kjo ishte një javë e vështirë".
"Ajo që pamë në ditët e shkuara ishte më e fortë se gjithçka që kishim parë. Më duhet të pranoj se është më shumë se ç'kam pritur", tha Powell.
Operacionet amerikane në Fallujah u ndërmorën pasi javën e kaluar turrma irakiene vrau dhe sakatosi 4 kontraktorë të perëndimit.
Në përleshjet që vijuan, raportohet se u vranë mbi 400 irakienë dhe dhjetra ushtarë amerikanë.
Gjetkë, mbështetësit e liderit radikal shiit Moqtada al-Sadr thanë se i kanë pezulluar sulmet kundër forcave të koalicionit në qytetin e shenjtë Qerbela deri në përfundim të festës fetare që mbahet këtë fundjavë.
Sot u raportua për luftime ndërmjet militantëve dhe forcave amerikane edhe në zonën sunite në veriperëndim të Bagdadit, ndërkaq mbrëmë në qytetin Baquba u raportua për 40 irakienë të vrarë.
XS
SM
MD
LG