Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KËSHILLI I SIGURIMIT DISKUTOI PËR GJENDJEN NË KOSOVË


Kreu i misioneve paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara Jean Marie Guehenno i ka kritikuar ashpër liderët shqiptarë të Kosovës për dështimin e tyre në pengimin e dhunës ndaj pakicës serbe, muajin e kaluar.
Guehenno i tha Këshillit të Sigurimit se përgjigja fillestare e qeverisë së Kosovës ndaj dhunës ishte e papërgjegjshme.
"Ajo që nevojitet qartë është që liderët e Kosovës t'i identifikojnë zyrtarët e nivelit lokal dhe qendror, të cilët mund t'u kenë dhënë mbështetje aktive apo pasive ekstremistëve, dhe të cilët mund t'i kenë shfrytëzuar këto ngjarje për ta promovuar jotolerancën në Kosovë. Liderët e Kosovës nuk duhet të lënë fije dyshimi në përkushtimin e tyre të përzemërt për konfrontimin e ekstremizmit", tha Guehenno.
Në ngjarjet më të dhunshme në Kosovë prej përfundimit të luftës në vitin 1999, u vranë 19 ndërsa u plagosën mbi 900 njerëz.
Guehenno tha se zyrtarët e Kombeve të Bashkuara do ta çojnë përpara planin, i cili bën thirrje për reforma në përmirësimin e kushteve të pakicave dhe çështjeve tjera, përpara përcaktimit të statusit final të Kosovës.
"Përveç masave të menjëhershme që duhet të ndërmerren për t'u adresuar pasojat e ngjarjeve të dhunshme, ekziston nevoja e përpjekjes kolektive për adresimin e shkaqeve të tyre. Liderët e Kosovës mbajnë përgjegjësi në këtë drejtim dhe do të vlerësohen sipas mënyrave të veprimit", tha mes tjerash Guehenno.
Në diskutimet që vijuan, zëvendës ambasadori britanik Adam Thompson tha.
"Nëse Kosova bëhet demokraci e vërtetë, liderët e saj duhet të mësojnë si të qeverisin. Ne duhet të marrim parasysh që atyre t'u japim një rol më të madh në çështjet si energjia, ekonomia dhe drejtësia. Ndërkaq politikanët e Kosovës duhet ta bëjnë të qartë se e pranojnë këtë proces", tha britaniku Thompson.
Duke folur për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë, përfaqësuesja e unionit Serbi-Mali i Zi Roksanda Ninçiç tha.
"Është e qartë se ajo që po ndodh në Kosovë nuk është mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, por më tepër sigurimi i mbijetesës fizike. Në rrethana të tilla, është e vështirë të paramendohet zbatimi i konceptit të shoqërisë demokratike dhe shumëetnike", tha Ninçiç.
Ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Agim Nesho ndërkaq shprehu shqetësime për strukturat paralele serbe në Kosovë.
"Ngjarjet e Marsit në Kosovë, zoti president, ishin të dënueshme dhe jotolerante, por ato nuk duhet të keqpërdoren për t'i justifikuar strukturat paralele, e as si justifikim për politikën nacionaliste apo për t'ju shmangur problemeve të brendshme politike", tha ambasadori i Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG