Ndërlidhjet

PËRUROHET KOMPLEKSI I APARTAMENTEVE TË RIPARUARA NË ULPIANË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi dhe zëvendës-shefi i UNMIK-ut Charles Brayshaw, të shoqëruar nga përfaqësuesit e vendeve të kuintit, kanë përuruar sot kompleksin e apartamenteve të riparuara në lagjen Ulpiana të Prishtinës, pas dëmtimeve të tyre gjatë trazirave të marsit. Në këto apartamente jetojnë rreth 150 pjestarë të komunitetit serbë, të cilët qenë detyruar të largohen pas të trazirave të marsit, me ç’rast disa prej këtyre apartamenteve u ishte vënë zjarri. Kryeministri tha, se pamjet e këtyre ndërtesave u ngjanin skenave nga Iraku, kurse sot pas riparimit të tyre, ato janë sërish të gatshme për banim.
“Kemi qenë shumë të prekur gjatë vizitës me zotin Harri Holkeri me kërkesën e banorëve të këtyre apartamenteve, të cilët kanë kërkuar që sa më shpejt t’u krijohet mundësia për kthim në banesat e tyre, dhe këtë ne e kemi kryer në kohën më të shpejtë rekord dhe jemi të kënaqur se me këtë kemi dëshmuar se qeveria është e gatshme të marrë përgjegjësi, kompetenca dhe t’i realizojë ato në formën më të mirë," tha kryeministri Rexhepi.
Ndërsa zëvendës-shefi i UNMIK-ut, Brayshaw tha se e çmonte përkushtimin e qeverisë për sanimin e dëmeve të shkaktuara duke sugjeruar që krahas kthimit të mbi 4 mijë personave të zhvendosur pas trazirave të fillojë dhe dialogu ndërmjet liderëve të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë, për rikthimin e besimit të humbur.
Brayshaw tha se ishte tejet i kënaqur me reagimet pozitive të të gjithë përfaqësuesve kosovarë me të cilët kishte biseduar këto ditët e fundit, që krahas riparimeve të dëmeve të shkaktuara duhet riparuar dhe dëmi moral, apo dëmi i shkaktuar në prishjen e marrëdhënieve ndër-etnike gjithashtu.
Lidhur me dialogun ndëretnik në Kosovë, kryeministri Rexhepi u shpreh i gatshëm ta pranojë, duke shtuar se ky takim është shumë afër, por për suksesin e tij, tha ai, duhet vullnet i dyanshëm.
“Ne kërkojmë që jo vetëm UNMIK-u, por edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta inkurajojnë komunitetin serb se problemet mund të zgjidhen në Prishtinë dhe jo në Beograd. Prandaj ata duhet të orientohen drejt Prishtinës, sepse ne jetojmë këtu dhe askush nuk i pengon që të kenë raporte të mira dhe konsultime me Beogradin, por e potencoj se problemet zgjidhen në Prishtinë dhe jo në Beograd”, tha Rexhepi.
Ndërkohë nga vendet e pesëshes, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marsie Riss tha se riparimi i këtyre ndërtesave është një hap i mirë pas gjithë asaj që ngjau në trazirat e marsit:
“Vetëm dua ta përgëzoj kryeministrin dhe ata që u angazhuan me përkushtim që punimet të kryhen mjaft shpejt dhe kjo ishte një çështje mjaft e rëndësishme”, tha zonja Riss. Ndërsa një banor serb i kësaj lagjeje, Dragan Stoliç tha se e përgëzonte qeverinë për punën e bërë, por kushtet që ofrojnë këto apartamente tani, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme për banorët e lagjes që të kthehen e të jetojnë aty. Mirëpo, kërkesa kryesore e serbëve, për t’u kthyer në këto ndërtesa, tha ai, është që ato të sigurohen nga KFOR-i:
“Banorët nuk janë kthyer dhe mendoj se është mendimi i tyre që KFOR-i të ruajë dhe sigurojë sikurse ishte në fillim. Edhe pse kjo është çështje individuale, mendoj se shumica nuk do të kthehet nëse nuk do të vijë KFOR-i për t’i ruajtur ata”, tha ky qytetar.
Lidhur me këto kërkesa, Charles Brayshaw tha se UNMIK-u dhe KFOR-i, po i shqyrtojnë masat që mund t’i ndërmarrë forca e KFOR-it për të krijuar kushte sigurie për qytetarët që e kërkojnë atë.
Riparimet në lagjen Ulpiana kanë kushtuar rreth 75 mijë euro, të cilat janë ndarë nga buxheti i Kosovës. Sipas kryeministrit Rexhepi, fondi i qeverisë prej 5 milion euro, është i dedikuar fillimisht për riparimin e ndërtesave të banimit, ndërsa në fazat e tjera, tha ai, do të shikohen mundësitë buxhetore për riparimin e objekteve të tjera të dëmtura, ku përfshihen dhe objektet fetare.





XS
SM
MD
LG