Ndërlidhjet

KAMERHOF DHE RUGOVA U SHPREHËN SE DUHET GJETUR MËNYRA E RIPAJTIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

“Përmes dhunës nuk mund të arrihen qëllimet tona, dhe siç thonë disa nga miqtë tanë, me dhunë nuk mund të arrihet pavarësia," tha sot presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Ai i bëri këto komente pas takimit me komandantin e KFOR-it Holger Kammerhof me të cilin ka shkëmbyer pikëpamjet për trazirat që ndodhën një muaj më parë.
“Ne të gjithë duhet të punojmë kundër dhunës dhe të hapim rugën dhe perspektivën për integrimin evropian,” tha presidenti Rugova duke shtuar se me komandantin e KFOR-it është pajtuar se tani është koha që të fillohet me procesin e ripajtimit dhe rindërtimit të asaj që u dëmtua muajin e kaluar.
“Të shikojmë mundësitë e pajtimit ndëretnik, të komunikimit ndëretnik dhe duhet të gjitha palët të tregojnë një vullnet edhe shumica kosovare edhe pakicat, që të vazhdojmë progresin e Kosovës”, tha Rugova.
Komandanti i KFOR-it gjenerali Holger Kammerhof thotë se pas trazirave të mesit të marsit që kanë qenë një hap prapa për Kosovën, tani duhet të ecet përpara me ato që njihen si standarde për Kosovën si dhe me procesin e ripajtimit dhe rindërtimit.
“Jam i vetëdijshëm për frustrimet e njërit apo grupit tjetër sa i përket papunësisë së madhe, sa i përket privatizimit, çështjeve sociale, por ne duhet të mendojmë se si të shpejtojmë procesin dhe se çka mund të bëjmë së bashku", tha Kammerhof, duke shtuar se kosovarët mund të llogarisin në trupat e KFOR-it, por sipas tij përgjegjës për sigurinë nuk janë vetëm ushtarët, por edhe vetë qytetarët e Kosovës së bashku me forcat tjera të rendit.
“Ne të gjithë duhet të kemi përgjegjësi për sigurinë dhe duhet të evitojmë atë që ka ndodhur në mesin e marsit, në mënyrë që të mos përsëritet më, ky është funksioni ynë," tha Kammerhof, i cili për të vlerësuar ngjarjet e 17 dhe 18 marsit është takuar edhe me kryeministrin Bajram Rexhepi. Por pas këtij takimi ata nuk janë prononcuar për gazetarët.



Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG