Ndërlidhjet

KATËR POLICËVE JORDANEZË U HIQET IMUNITETI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zyrtarët e administratës së UNMIK-ut në Prishtinë, kanë konfirmuar sot, se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, ka marrë vendim për heqjen e imunitetit katër policëve jordanezë, të cilët kanë qenë në detyrë në kohën e incidentit të armatosur që ndodhi të shtunën në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë, si pasojë e të cilit u vranë tre policë dhe 11 të tjerë u lënduan. Një zëdhënëse e UNMIK-ut, Izabela Karlovic, tha se sipas procedurës, prokurori ndërkombëtar në Kosovë tashmë i caktuar për këtë rast, i ka kërkuar kryeadministratorit Holkeri që t’i drejtohet departamentit të Drejtësisë në Nju Jork, për heqjen e imunitetit të këtyre policëve, në mënyrë që të mund të vazhdojnë procedurat hetimore ndaj tyre:
“Katër policëve jordanezë nga njësitë speciale të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes u është hequr imuniteti dhe si rezultat i këtij vendimi ata tani po mbahen në paraburgim dhe po merren në pyetje nga policia”, tha Karlovic. Dhjetë policët e plagosur amerikanë nga ky incident, janë dërguar në spitalin ushtarak në kampin e KFOR-it amerikan Bondstill, në pjesën lindore të Kosovës, kurse polici i plagosur austriak është dërguar në Austri. Sipas zëdhënësit të policisë së UNMIK-ut, Neeraj Sing, aktualisht në Kosovë shërbëjne 455 policë amerikanë dhe 145 jordanezë. Ai ka pohuar po ashtu, se edhe gjatë marsit të vitit të kaluar, një polic jordanez në Kosovë kishte vrarë së pari një kolegun e tij jordanez dhe më pas kishte bërë vetëvrasje.
Menjëherë pas heqjes së imunitetit, ndaj katër policët jordanez, tha Sing, po zhvillohen procedurat sipas kodeve penale të Kosovës, të miratuara ditë më parë.
Po ashtu, edhe eksperët vendorë, thonë se me vet faktin që Kosova është një vend ku ligjet dhe rregulloret në fuqi janë në harmoni me ato ndërkombëtare, si banorët e Kosovës, ashtu edhe stafi ndërkombëtar nga misioni civil i UNMIK-ut, përgjigjen dhe dënohen për veprat e tyre në Kosovë duke u bazuar në kodet penale të Kosovës.
Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, thotë se për gjykimin e personave nga stafi ndërkombëtar, atyre së pari duhet t’u hiqet imuniteti, që mund të bëhet vetëm me vendimin e zotit Kofi Anan:
“Për gjykimin e personave, të cilët eventualisht kryejnë vepra penale në Kosovë, qoftë ndaj kosovarëve apo ndaj ndërkombëtarëve, sipas rregullores numër 47 të vitit 2000 të UNMIK-ut, atyre personave së pari duhet t’u hiqet imuniteti dhe pasi t’u hiqet imuniteti ndaj tyre mund të zbatohen procedurat penale dhe të gjykohen në Kosovë dhe sipas të gjitha gjasave nga trupi gjykues ndërkombëtar të cilët janë duke punuar në Kosovë”, tha profesori Salihu.
Pas heqjes së imunitetit, lidhur me procedurat e mëtejme, profesor Salihu thotë se, nëse ata do të duhet të dalin para organeve të drejtësisë, atëherë mbetet të vendoset në ndonjë marrëveshje në mes UNMIK-ut dhe qeverisë jordaneze se ku do të mbahet gjykimi:
“Pasi që t’u merret imuniteti, këta persona mund të gjykohen në Kosovë ose mund të dërgohen, transferohen në vendin, shtetësinë e të cilit e kanë dhe në këtë rast në Jordani dhe atje të gjykohen. Kjo tani pas marrjes së imunitetit varet prej marrëveshjes ndërshtetërore midis Jordanisë dhe autoriteteve të UNMIK-ut këtu në Kosovë”, theksoi Salihu.
Kjo nuk është hera e parë që pjesëtarëve të stafit civil ndërkombëtar u hiqet imuniteti. Deri më tani, një polic egjiptian është gjykuar në Kosovë për veprën e tij, përderisa, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut, ndaj disa ish-zyrtarëve të tjerë nga ish-stafi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, aktualisht po zhvillohen procedura gjyqësore nëpër vendet e tyre.

XS
SM
MD
LG