Ndërlidhjet

PRESIDENTI MOISIU PËRFUNDOI VIZITËN NË KOSOVË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Nga Kosova po largohem me mbresat më positive, ka thënë sot presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, në përfundim të vizitës së tij dyditëshe në Kosovë, të cilën ai e vlerësoi të sukseshme. Vizitën në Kosovë, presidenti Moisiu e ka bërë me ftesën e shefit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, Harri Holkeri. Presidenti Moisiu theksoi se kjo vizitë ishte planifikuar të realizohej më parë, por situata solli që kjo të kryhet pas ngjarjeve që ndodhën gjatë muajit mars. Ai tha se kjo është positive në kuptimin e vlerësimit, evidentimit të mangësive që dolën gjatë këtyre ngjarjeve dhe problemeve që duhen parë dhe duhen zgjidhur.
“Pamë se autoritetet ndërkombëtare, pavarësisht nga ç’është thënë dhe si është thënë, po përpiqen të nxjerrin konkluzionet, ku i kanë të metat dhe dobësitë e tyre dhe çfarë duhet bërë më tej. Unë vërej, gjithashtu, një politikë energjike nga ana e qeverisë së Kosovës për të riparuar dëmet që u shkaktuan dhe për të ecur përpara drejt realizimit dhe arritjes së objektivave”.
Presidenti Moisiu, tha se kosovarëve u duhet një bashkëpunim më i mirë dhe më i fortë në mes vetes, për të arritur, siç tha ai, objektiva që janë madhore.
“Duhet një bashkëpunim më i mirë, më i fortë, për të arritur ato objektiva që janë madhore dhe njëkohësisht duhen kërkuar ato kompetenca që duhen për të drejtuar, do të thotë, sipas udhëzimit që japin organizmat ndërkombëtare”, tha presidenti Moisiu.
Ai, duke shprehur mendimin për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për misionin e UNMIK-ut, tha:
“Kosova që është sot, është sepse ne patëm ndihmën e NATO-s , SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Pa ndihmën e tyre, sigurisht që Kosova nuk do ta gëzonte këtë liri që gëzon sot dhe patjetër që ngjarjet e marsit treguan se disa gjëra duhen rregulluar, gjë të cilën e pranoi edhe vetë zoti Holkeri. Kjo do të thotë se ka gjëra për t’u parë”.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, ka vizituar institucionet më të larta ndërkombëtare dhe vendore. Ndërsa nga kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, ai është dekoruar me medaljen e artë “Lidhja e Prizrenit” e cila u jepet vetëm personaliteteve më të respektuara shqiptare.


XS
SM
MD
LG