Ndërlidhjet

(RI)BËRJA E TOLERANCËS SË RRËNUAR


MILAZIM KRASNIQI, PRISHTINË

Vizita e përbashkët e Ministrit britanik të Shtetit, Denis McShane dhe e kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova, në kishën e dëmtuar orthodokse serbe në Prishtinë, është një rast që tenton çbllokimin e mendësisë dhe të sjelljes së ngurtësuar politike dhe qytetare në Kosovë. Ministri britanik u përpoq të prishë skemën arkaike të të menduarit, kur tha se këtu u shkatërrua një pjesë e kulturës evropiane. Duke e vënë në kontekstin e vlerave evropiane, ministri britanik synoi që të përçojë idenë se vlerat e dëmtuara dhe të shkatërruara nuk i përkasin vetëm komunitetit serb, por mbarë bashkësisë evropiane. Ky kontekstualizim i vlerave të objekteve kishtare në përmasën evropiane të vlerave, mund të ketë efekte në mendësinë e njerëzve të Kosovës, të cilët kulturën dhe identitetin evropian, i përjetojnë në mënyrë instinktive si vlera që u përkasin edhe vetë atyre. Kjo do të thotë se ministri britanik ka lancuar një ide të re, e cila sulmon skemën e ngurtësuar të të menduarit për vlerat kulturore dhe qytetëruese, sipas klisheve të ngurta politike. Prishja e skemës nga ana e kryetarit të Kosovës, pati të bëjë me vetë faktin se mori mundimin të dilte nga një lagje e Prishtinës në lagjen përballë për të parë nga afërsia dëmin e shkaktuar në faltoren orthodokse. Ndërsa mesazhi për tolerancën proverbiale fetare të shqiptarëve ishte brenda kornizës së njohur para se t'u dilte flaka dhjetra objekteve fetare orthodokse para kamerave televizive.
Në një reagim që i ka dërguar zyrës britanike në Prishtinë, Dioqeza e Kishës Orthodokse serbe, këtë vizitë e ka quajtur marketing politik, duke shfaqur habinë se pse ata nuk janë ftuar që të marrin pjesë në këtë vizitë. Dhe në këtë pikë argumenti i tyre nuk mund të kontestohet sepse një vizitë e përmasave më të gjëra, do të mund të përçonte një mesazh edhe më të fuqishëm tek qytetarët e Kosovës. Megjithatë vizita e ka rëndësinë e vet në funksion të ridimensionimit të konceptit për kulturën dhe tolerancën ndërkulturore në Kosovë. Të vështruarit e këtyre vlerave në një kontekst evropian, nëse stimulohet si duhet mund të relaksojë tensionet egzistuese.
Ministri britanik Denis McShane, u bëri një shërbim të mirë qytetarëve të Kosovës duke u shpalosur një vizion evropian për veten e tyre. Por shndërrimin e këtij vizioni në një sjellje të përditshme duhet ta stimulojë vetë politika e Kosovës. Ajo duhet të gjejë më shumë ide krijuese që do të stimulonin sjelljen korrekte dhe do të motivonin tolerancën ndëretnike. Është e qartë se nuk mjaftojnë vetëm fjalët e thëna me gjysëm zëri, por kërkohen veprime konkrete, të cilat nga qytetarët e Kosovës do të përjetohen si standarde që duhet të pasohen edhe prej tyre. Rrjedhimisht nuk mjafton vetëm që të rindërtohen objektet e ndërtuara. Puna më e rëndë është që të ribëhet toleranca ndëretnike dhe ndërfetare. Ajo vërtet ka egzistuar në të kaluarën, kur shqiptarët vetë i kanë ruajtur objektet orthodokse, por në kohën e luftës toleranca është dëmtuar rëndë dhe riparimi i saj është një proces mjaft i vështirë, por ai duhet të fillojë dhe të ribëhet. Në këtë drejtim, konteksti evropian i vlerësimit të vlerave fetare dhe kulturore kosovare, do të ndihmonte shumë.
XS
SM
MD
LG