Ndërlidhjet

BASHKIMI EVROPIAN MBËSHTET POLITIKËN STANDARDET PARA STATUSIT NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Luksemburg

Sot në Luksemburg u mbajt mbledhja e Ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët diskutuan për situatën në Ballkan e në veçanti për Kosovën dhe Maqedoninë. Gjatë këtij takimi janë miratuar edhe konkluzat e Bashkimit Evropian për situatën në Ballkan ku përmenden Kosova, Maqedonia dhe misioni ushtarak në Bosnje-Hercegovinë, që duhet të kalojë në duart e BE-së, pasi të përfundojë misioni i SFOR-it në Bosnje. Këshilli shprehu mbështetjen e plotë për politikën standardet para statusit dhe u bën thirrje institucioneve kalimtare të vetëqeverisjes në Kosovë, që të demonstrojnë një përkushtim dhe përgjegjësi për të arritur një përparim konkret në përmbushjen e standardeve, thuhet në këto konkluza. Më tej ata nënvizojnë rëndësinë e dialogut në mes të komuniteteve në Kosovë sikurse edhe mes Prishtinës dhe Beogradit, për të adresuar siç thuhet çështjet e rëndësishme me interes të përbashkët. BE-ja shprehet se do të jetë e gatshme të ndihmojë një dialog të tillë. As në këto konkluza Këshilli nuk ka lënë pa përmendur se është i përkushtuar për të krijuar një Kosovë të sigurtë, demokratike, multietnike dhe prosperuese. Këshilli i Bashkimit Evropian, po ashtu nënvizon se dhuna e fundit në Kosovë ka shënuar një kthim prapa dhe ka rrezikuar përparimin e arritur në vitet e fundit atje. Këshilli i BE-së rikonfirmon se pas kësaj dhune, prioritet duhet të jetë siguria, ndihma për kthimin e të zhvendosurve, rindërtimi i objekteve të shkatërruara dhe sjellja para drejtësisë e atyre që janë përgjegjës për këtë dhunë. Këshilli i BE-së kërkon nga të gjithë liderët e Kosovës, e posaçërisht ata shqiptarë, që të bashkëpunojnë ngushtë me UNMIK-un dhe KFOR-in, që të krijohet një siguri fizike dhe mbrojtje e plotë e të gjitha të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Po ashtu ministrat kanë diskutuar dhe për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve. Dalja masive e votuesve në këto zgjedhje në Maqedoni, do të përforcojë edhe më shumë procesin demokratik atje, thuhet në konkluzat e Ministrave të Jashtëm të BE-së. Disa diplomatë të Bashkimit Evropian, kanë tërhequr vërejtjen se në rastin e dështimit të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, ky shtet do të mund të rrezikonte edhe shpejtësinë e rrugës drejt Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG