Ndërlidhjet

STEPHENS: NUK ËSHTË KOHA PËR TË FOLUR PËR STATUSIN FINAL.


KATHY STEPHENS, NDIHMËS NËNSEKRETARJA AMERIKANE E SHTETIT

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Stephens, ju keni qenë së fundi në Prishtinë, ku keni marrë pjesë në themelimin e Grupit mbështetës për Kosovën. Cfarë do të bëjë konkretisht ky Grup mbështetës dhe kush është në përbërje të tij?

KATHY STEPHENS
Grupi mbështetës në fakt është Grupi i Kontaktit, që mori vendim të takohet rregullisht në Prishtinë në muajt e ardhshëm. Grupi i Kontaktit u takua në Bruksel më 21 mars, pak pas dhunës së 17-18 marsit, dhe mendoi që ishte e rëndësishme të shkohej në terren, të shihej situata nga afër dhe të angazhoheshim rregullisht. Pra kjo është përpjekja jonë e parë që të realizojmë këtë vendim. Duke e realizuar dhe duke mbajtur parasysh disa nga gjërat që Nënsekretari amerikan i Shtetit Grossman diskutoi kur ishte në rajon, pak më vonë gjatë muajit mars, ne u përpoqëm që të zgjeronim dialogun, takimet tona dhe të flisnim me një mori njerëzish në Prishtinë, nga UNMIK-u, nga KFOR-i, si dhe nga institutcionet e Kosovës dhe nga komunitete të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë roli i institucioneve kosovare dhe i UNMIK-ut brenda këtij Grupi?

KATHY STEPHENS
Ajo që kemi ndërmend të bëjmë si grup kontakti është që duke u mbledhur në Prishtinë çdo 6 javë, të krijojmë një ide të saktë për atë se cilat janë përparësitë dhe si mundemi të ndihmojmë të arrihen ato. Ne i identifikuam prioritetet duke patur dhe miratimin e autoriteteve vendore, dhe të UNMIK-ut. Në të vërtetë përparësitë duhet të jenë sanimi i efekteve imediate të dhunës dhe kjo do të thotë arrestimi dhe sjellja para drejtësisë e atyre që janë përgjegjës për dhunën, si për shkatërrimet e drejtpërdrejta dhe për nxitjen e tyre, rindërtimi i menjëhershëm i shtëpive të shkatërruara, kishave dhe objekteve të tjera të dëmtuara, dhe mundësimi i kthimit të njerëzve të zhvendosur në banesat e tyre. Një tjetër përparësi, që kërkuam edhe nga personat me të cilët u takuam, ishte një raport vlerësues, se cilat janë arritjet e bëra dhe ku qëndrojnë problemet dhe pengesat. Ky raport duhet të jetë gati para takimit tjetër. Dhe ne do të përpiqemi të japim gjithë mbështetjen tonë për tejkalimin e atyre pengesave.
Takimi i ardhshëm do të jetë në fillim të qershorit ndoshta më 5 ose 6 qershor në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët ndërkombëtarë për rajonin thonë se dhuna e marsit nxorri në pah nevojën për politika të reja ndaj Kosovës. Bazuar në këtë cfarë do ndryshojë në politikën amerikane për Kosovën?

KATHY STEPHENS
Sa i përket si politikës së Shteteve të Bashkuara ashtu dhe bisedimeve që patëm brenda Grupit të Kontaktit por dhe me palë të ndryshme, si dhe me KFOR-in e NATO-n, pasi ata luajnë një rol shumë të madh, arritëm në konkluzionin se standardet janë e vetmja rrugë që con përpara. Rikonfirmuam zotimin tonë se si SHBA dhe Grupi i Kontaktit do punojmë në mënyrë që politika e standardeve të jetë funksionale e me rezultate pozitive. Duke reflektuar mbi mësimet e dhunës, kuptuam se duhet të identifikonim brenda standardeve prioritetet parësore si dhe ato që u dëmtuan më së shumti apo patën një kthim prapa nga ajo që ndodhi në mars. Dhe sigurisht këto janë standarded që lidhen me shtetin ligjor, me aftësinë e të gjitha komuniteteve e të gjithë qytetarëve në Kosovë që të kthehen në shtëpitë e tyre, të lëvizin të lirë, të jetojnë në siguri pa patur frikë. Këto janë standardet që janë prioritet dhe që duam t'u kushtojmë vëmendjen më të madhe, derisa lëvizim përpara në procesin e standardeve. Ende besojmë se jo vetëm që përparimi është i mundur, por mendojmë se është thelbësor. Këtë e mësuam mjaft mirë nga dhuna. Në të njëjtën kohë po shikojmë edhe për disa masa të tjera që do duam të ndërmarrim për të lehtësuar dialogun dhe për të ndërtuar besimin. Diskutuam rëndësinë e ndërmarrjes së hapave për gjetjen e mënyrave për të institucionalizuar si një qeverisje efektive qëndrore dhe një qeverisje efektive vendore, komunale. Në këtë kontekst ne biseduam me palët e ndryshme, që të na japin idetë e tyre se si të plotësohen që të dyja këto objektiva lidhur me qeverisjen efektive qëndore dhe vendore. Pas takimit të Grupit të Kontaktit në Prishtinë, unë dhe kolegët e mi nga BE-ja dhe NATO-ja mbajtëm diskutime të mëtejme në Prishtinë dhe në Beograd, se si pjesë plotësuese e rëndësishme për procesin e standardeve do përpiqemi që të lehtësojmë një dialog intensiv, i cili do të trajtojë disa nga këto çështje, atë të sigurisë, çështjen e besimit, veçanërisht pas shpërthimit të dhunës, dhe çështjet që lidhen me një qeveri efektive vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta vlerësonit kontributin e përfaqësuesve politikë të Kosovës gjatë takimeve që patët me ta?

KATHY STEPHENS
Mendoj se patëm një shkëmbim idesh. Vlerësuam letrën e udhëheqësve politikë shqiptarë në fillim të prillit, ku mendoj se u tha shumë qartë dhe në një mënyrë që ne sigurisht e mbështetëm, detyrat që duhen plotësuar për të adresuar dhunën, për t'ju qasur problemit. Ne kërkuam që para se të takohemi sërisht në Prishtinë të marrim prej tyre një raport të atyre gjërave që janë kryer dhe të atyre që duhen kryer.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në rekomandimet e bëra në raportin e fundit ka kërkuar nga Qeveria amerikane që të emërojë një të dërguar të posacëm për Kosovën. Cili është qëndrimi i administratës suaj lidhur me këtë cështje?

KATHY STEPHENS
Mendoj se i kemi identifikuar mekanizmat që mendojmë se do të jenë më efektivët në sjelljen e energjisë dhe vëmendjes për situatën dhe siç e përmenda pak më parë, kjo konsiston në këto takime të rregullta të Grupit të Kontaktit në Prishtinë çdo 6 javë, së bashku me nxitjen e një dialogu intensiv, i cili do të lehtësohet nga SHBA-të duke punuar së bashku me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ne do të kthehemi në rajon pas tre javësh që të vazhdojmë këtë dialog intensiv dhe për të vazhduar me takimin e Grupit të Kontaktit. Pra mendoj se jemi angazhuar në mënyrë mjaft intensive dhe do vazhdojmë ta bëjmë atë.

RADIO EVROPA E LIRË
A planifikoni të diskutoni në takimet tuaja praninë e UNMIK-ut, apo riorganizimin e tij?

KATHY STEPHENS
Ne u takuam me zotin Holkeri dhe me stafin e tij të lartë gjatë takimeve tona në Prishtinë dhe do takohemi sërisht kur të kthehemi. Dëgjuam disa mendime fillestare nga zoti Holkeri dhe stafi i tij për mënyrën se si të ecet përpara me standardet, rrugën përpara për UNMIK-un dhe mezi presim ta diskutojmë më tej me ta. E dimë që janë të angazhuar në një sërë dialogjesh serioze dhe janë duke reflektuar mbi pasojat dhe mësimet nga ngjarjet e marsit. Presim me padurim që të dëgjojmë më tepër se çfarë kanë ndërmend të bëjnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pasiguria për të ardhmen nuk ndihmon zhvillimin e Kosovës, madje as përmbushjen e standardeve thonë analistët. C'do të thoshit ju lidhur me statusin përfundimtar?

KATHY STEPHENS
Nuk mendojmë se është koha për të folur për statusin final. Mendojmë se ajo që ndodhi në mars është diçka që na kujton se pavarësisht se cili do jetë statusi i ardhshëm i Kosovës disa kushte thelbësore duhet të plotësohen. Dhe këto kushte apo standarde përpiqen të sigurojnë një nivel bazë sigurie dhe besimi për të gjithë komunitetet dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mendoj se nëse do bëhet përparim drejt këtyre gjërave, të parashtruara në politikën tonë të vlerësimit të standardeve, që u shpall nga Këshilli i Sigurimit dhjetorin e kaluar, ajo do të krijojë terrenin bazë që do të na mundësojë të adresojmë pastaj çështjen e statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u larguar nga zhvillimet e momentit, popullsia shqiptare në Ballkan, dhe këtu kam parasysh Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë është nga popullsitë më pro amerikanë në botë. Nga ky këndvështrim, cilat janë politikat afatmesme dhe afatgjata të Shteteve të Bashkuara në rajon, duke pasur parasysh dhe globalizmin apo luftën kundër terrorizmit?

KATHY STEPHENS
Ne vlerësojmë shumë lidhjet e miqësisë që ndajmë me shumë vende në rajon, përfshirë Shqipërinë që po bën një kontribut mjaft të dukshëm në luftën globale kundër terrorizmit, një kontribut mjaft kurajoz. Shikojmë që një progres është bërë në Maqedoni në krijimin e një shoqërie multietnike, ku ka siguri dhe mundësi për të gjitha komunitetet dhe vlerësojmë kontributin e mjaft komuniteteve përfshirë atë shqiptar në këtë progres. Dhe sigurisht në Kosovë ne kemi një lidhje mjaft të veçantë me popullin e Kosovës dhe e vlerësojmë që është diçka reciproke. Ajo që shpresojmë për njerëzit në Shqipëri, e për shqiptarët e Kosovës, dhe ajo që shpresojmë për të gjithë njerëzit në rajon, është një e ardhme që lidhet me strukturat transatlantike. Me këtë mendoj një të ardhme që është brenda Evropës, një të ardhme, që nëse do e dëshirojnë, do t'i lidhë me institucionet transatlantike si NATO, si dhe që përfshin ekonomi të fortë dhe lidhje të tjera me Shtetet e Bashkuara. Mendojmë se lidhjet e miqësisë që ndiejmë me popujt në rajon janë diçka që duam të zhvillojmë më tej.


Intervistoi Iliriana A. BAJO

XS
SM
MD
LG