Ndërlidhjet

DUBLIN


Dhjetë shtete i janë shtuar Bashkimit Evropian edhe zyrtarisht në ribashkimin historik të Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore, 15 vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Në mesnatë, tetë ish-vende komuniste, Republika Çeke, Polonia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Sllovakia dhe Sllovenia, si dhe Qiproja e Malta janë bërë anëtare të BE-së.
Në zgjerimin më të madh në historinë e tij, Bashkimi Evropian është bërë me 25 anëtarë. Ky Bashkim tani ka rreth 450 milionë njerëz, që e bëjnë atë zonën me të madhe të tregtisë së lirë në botë.
Presidenti i Komisionit Evropian me këtë rast ka thënë: "Është dashur guxim, vendosmëri dhe shumë perpjekje nga anëtarët e rinj, për të ardhur këtu", ka thënë Prodi për të shtuar se ky është një vizion dhe zemërgjerësi edhe nga ana e anëtarëve aktualë të BE-së.
Hyrja në BE është kremtuar me muzikë, fishekzjarre dhe fjalime solemne në të gjitha vendet e reja anëtare.
Kurse në Dublin të Irlandës është zhvilluar ceremonia zyrtare e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Irlandës, vendi i të cilit ka kryesinë e rradhës së Bashkimit Evropian në ceremoninë e mirëseardhjes tha:
"Ne mirëpresim 10 vendet e reja në Bashkimin Evropian, cfarë shënon një fillim të ri për evropianët. Do të përfitoja nga ky rast për të theskuar se për qindra miliona njerëz në gjithë Evropën kjo ditë, 1 maji 2004, është ditë shpresash dhe mundësish".
Ndërsa kryetari i Parlamentit Evropian Pat Cox, ka nënvizuar rolin e brezit të ri të udhëheqësve në vendet që kanë hyrë sot në BE.
XS
SM
MD
LG