Ndërlidhjet

DIALOGU I BRENDSHËM- PRIORITET AKTUAL I KRYEMINISTRIT REXHEPI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dialogu i brendshëm ndëretnik në Kosovë është një prej prioriteteve të politikës së kryeministrit, Bajram Rexhepi, edhe pse aktualisht ka shumë probleme në afrimin e komuniteteve, thotë këshilltari i parë politik i kryeministrit të Kosovës, Ilir Dugolli. Kryeministri Rexhepi, pohon Dugolli, tashmë ka filluar serinë e vizitave nëpër komunat e Kosovës, ku po bisedohen çështje të ndryshme, përfshirë këtu dhe relaksimin e raporteve ndërmjet shumicës dhe pakicës serbe. Mirëpo, qysh tash, Dugolli vëren se ka dhe shumë probleme sidomos me ato komuna të cilat janë në afërsi territoriale me Serbinë dhe të cilat administrohen nga strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi. Detyra e jonë është që të gjejmë interesa të përbashkëta që i ndërlidhin shqiptarët dhe serbët, dhe kjo është çështje tejet e vështirë, thotë Dugolli:
"Problemi më i madh është se është vështirë vërtetë të gjejmë ndonjë lidhje, emërues të përbashkët të interesave, se ku qëndrojnë ato në mes komunitetit serb dhe atij shqiptar, kështu që në këtë formë të dialogut, ashtu siç është imagjinuar, ashtu siç është analizuar dhe paraprakisht kur janë analizuar krejt rreziqet është parë vërtet se ka vështirësi në gjetjen apo identifikimin e ndonjë elementi të përbashkët, përveç ndoshta elementit të bashkëpunimit ekonomik”, thekson Dugolli.
Në anën tjetër, deputeti i koalicionit “Kthimi”, Gojko Saviç, thotë se trazirat e marsit kanë ndikuar shumë në largimin e komuniteteve dhe se pa hapa konkretë të qeverisë dhe kryeministrit që sipas tij do të sanonin tërë atë që është rrënuar me protestat e dhunshme, nuk mund të flitet për ndonjë dialog të brendshëm, i cili do të sillte rezultate konkrete:
“Një dialog të tillë kishte dhe në muajin mars, por ai u zhvillua përmes shënjestrave dhe djegieve, prandaj si tani mund t’u kthehet besimi atyre njerëzve që të ulen e të bisedojnë?”, thekson Saviç.
Në anën tjetër, Ilir Dugolli, thotë se për kryeministrin nuk do të ishte aspak pengesë që në dialogun e nisur me përfaqësues shqiptarë dhe serbë në nivel lokal nëpër komuna, të kyçeshin dhe përfaqësuesit serbë në nivelin qëndrorë, të grumbulluar në koalicionin “Kthimi”:
“Kryeministri nuk ka ngurruar t’i thërrasë përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve edhe në momentet më të rënda, kështu që nëse e shohim se një ftesë e tillë do t’i ndihmonte dhe do të ishte element inkurajues, atëherë nuk shohim arsye pse mos të bëjmë edhe një gjë të tillë”, tha Dugolli.
Një dialog të mirëfilltë, nuk e kundërshton as Saviç, por si kusht për suksesin e tij, ai kërkon dhe rezultate konkrete në terren për përmirësimin e jetës së pjesëtarëve të komunitetit serb:
“Zoti Kryeministër ka filluar mirë, por të gjitha ato biseda nuk duhet të zhvillohen vetëm sa për një dialog që do t’i shërbënte një fotografimi dhe një pamjeje në television, që të thuhet se diçka po punohet”, thekson Saviç. Sipas tij, dialogu duhet të përcillet me rezultate konkrete, ku do të përfshiheshin rindërtimet dhe kthimi i njerëzve nëpër shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, Dugolli beson se dialogu patjetër se do të përcillet edhe me rezultate. Ai e kundërshton mundësitë që përmes decentralizimit, që nga shumë qarqe po vlerësohet si rrugë drejt zgjidhjes së problemeve ndërmjet komuniteteve, të mund të arrihet diçka, sidomos atij decentralizimi që do të ndante Kosovën në vija etnike. Një përmirësim i funksionimit të pushtetit është i mundshëm çdo herë, thotë Dugolli, por jo edhe kantonizimi i Kosovës:
“Besoj se në nivelin e institucioneve qëndrore nuk do të kishte, ndoshta ngurrim për të reformuar qeverisjen lokale aty ku është për t’u reformuar, ku ka nevojë për të ofruar sa më tepër qytetarëve, por asësesi të bëhet ndonjë farë lloj riorganizimi i bazuar në ndarje etnike e aq më pak ndonjë lloj decentralizimi drejt kantonizimit apo diçka tjetër të ngjashme”, pohon Ilir Dugolli.
Në kuadër të programit për inicimin e dialogut të brendshëm, kryeministri Rexhepi tashmë ka vizituar Fushë Kosovën dhe Gjilanin, kurse parasheh të vizitojë dhe komuna të tjera, të përfshira në trazirat e marsit, apo ato komuna ku jetojnë komunitete të ndryshme.



XS
SM
MD
LG