Ndërlidhjet

MYERS: SHBA-TË MBETEN TË PËRKUSHTUARA NË KOSOVË


Albana Isufi, Bondsteel

Shefi i Shtatmadhorisë së forcave amerikane gjenerali Richard Myers, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Gjenerali Myers tha se liria dhe demokracia për miqtë kosovarë si dhe stabiliteti i Ballkanit është një nga prioritetet e larta ushtarake të SHBA-ve.
Këto komente gjenerali Myers i bëri gjatë vizitës së tij në kampin ushtarak amerikan Bondsteel, afër Ferizajt.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për suksesin e NATO-s në Ballkan, pasi stabiliteti në Ballkan ka një rol kryesor në luftën kundër terrorizmit”, tha gjenerali Myers.
Ai ka siguruar se roli i forcave amerikane në Kosovë nuk do të ndryshojë pavarësisht nga angazhimet e SHBA-ve në vatrat tjera të krizës, veçanërisht në Irak.
“Nuk do të ketë ndryshime. Tani për tani kemi 1800 trupa këtu. Ne jemi pjesë e forcave të NATO-ë , ndërkohë që janë duke u përgatitur trupat e tjerë që do të zëvendësojnë brigadën që ndodhet në Kosovë," tha Myers.
Gjenerali Myers tha se sfidë për forcat amerikane mbetet konflikti ndëretnik mes komuniteteve më të mëdha në Kosovë.
Ai tha se ngjarjet e marsit kanë qenë befasuese edhe për forcat amerikane, duke hedhur poshtë kështu akuzat e shefit të UNMIK-ut Harri Holkeri se NATO nuk e ka paralajmëruar misionin e OKB-së për shpërthimin e dhunës.
“Atë që di nga komandantët e mi ushtarakë është se kjo situatë parimisht i ka befasuar edhe vetë ushtarakët," tha Myers duke shtuar se për forcat amerikanë ky lloj konflikti paraqet një nga sfidat më të mëdha.
“Është kjo një sfidë, me të cilën duhet të ballafaqohen shumë grupe, forcat ushtarake, misioni civil i OKB-së, por edhe vetë qyetarët e Kosovës. Kjo përgjegjësi u takon të gjithëve," tha Myers.
Gjenerali Myers gjatë qëndrimit disaorësh në kampin ushatarak Bondsteel është takuar me komandantin e forcave amerikane në Kosovë, gjeneralin Rick Erlandson, si dhe ka dekoruar disa pjesëtarë të forcave amerikane në Kosovë.

XS
SM
MD
LG