Ndërlidhjet

AI: NDËRKOMBËTARËT TË PËRFSHIRË NË RRJETIN E TRAFIKUT TË FEMRAVE


Eve Lester hartuese e raportit të AI-së

RADIO EVROPA E LIRË
Keni marrë pjesë në hartimin e raportit për trafikimin e grave dhe vajzave në Kosovë. Cilat janë gjetjet kryesore dhe çfarë ka të re ky raport krahasuar me raportet e mëparshme të përgatitura dhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare?

EVE LESTER
Mendoj se çështja kryesore që doli nga ky raport është se ka një lidhje të qartë mes operacionit paqeruajtës të pas konfliktit në Kosovë dhe çështjes së trafikimit. Doli e qartë se ka pasur rritje të jashtëzakonshme të numrit të kafeneve dhe të bareve, në të cilat gjenden gra dhe vajza të trafikuara gjatë 5 viteve të fundit. Ky numër ka shkuar nga 18 në 200 kafene, që kur në Kosovë kemi prani ndërkombëtare, pra 5 vitet e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas raportit tuaj anëtarë të UNMIK-ut dhe KFOR-it janë në mesin e klientëve të grave dhe vajzave të trafikuara. A mund të na shpjegoni diçka më shumë në këtë drejtim dhe cili ka qenë reagimi i tyre gjatë kontakteve që keni pasur?

EVE LESTER
Ka disa çështje. Prania ndërkombëtare në Kosovë ka ndikuar në tre mënyra në rritjen e trafikut të grave dhe të vajzave. Së pari ka pasur një rritje të madhe të të ardhurave financiare në Kosovë me mbërritjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo ndikoi në rritjen e industrisë së seksit. Tjetër mënyrë është rritja e kërkesave për industrinë e seksit në Kosovë dhe e fundit është se anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në trafik.
Sa i përket reagimeve që morëm nga KFOR-i dhe UNMIK-u mbi këtë problem, ato ishin të ndryshme. Ka pasur nga ata që e kanë hedhur poshtë këtë dukuri, një pjesë e njohën problemin dhe disa të tjerë donin të merrnin hapa konkretë. Doja të theksoja se në Kosovë ka ligje të mira në këtë drejtim, por zbatimi i tyre është problematik. Mungesa e efikasitetit të zbatimit të ligjit krijon probleme, pavarësisht faktit se janë hartuar ligje të mira.
Mesazhi ynë është se mbrojtja e të drejtave të këtyre grave dhe vajzave që janë trafikuar nuk është privilegj, por e drejtë. Ato janë të pambrojtura dhe bëhet një mori shkeljesh të të drejtave të tyre. Nëse duam që të trajtohet problemi si duhet, duhet të pranojmë të drejtat e tyre dhe mbrojtja e këtyre të drejtave duhet të vihet në qendër të çdo strategjie anti-trafik. Kjo në praktikë do të thotë se të nxjerrim para drejtësisë trafikantët, si dhe ata që i përdorin shërbimet e femrave të trafikuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur thoni se bashkësia ndërkombëtare është e përfshirë në trafik do të thotë se ka prej tyre që janë të përfshirë në rrjetin e trafikantëve?

EVE LESTER
Ka prova për këtë, por e sigurt është se pjesëtarët e bashkësisë ndërkombëtare po shfrytëzojnë shërbimet e ofruara nga gratë dhe vajzat e trafikuara. Megjithatë më duhet të theksoj se ka nga anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare që janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në trafik.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë mundësi që kësaj dukurie t'i jepet fund ose së paku të kufizohet sa më shumë?

EVE LESTER
Në fakt duhet ta bëjmë një gjë të tillë. Ka probleme që duhen adresuar. Ashtu siç thashë dhe më parë të drejtat dhe mbrojtja e të drejtave të femrave të trafikuara duhet të jetë në qendër të çdo strategjie anti-trafik. Kjo do të thotë se mbrojtja e të drejtave të grave dhe vajzave të trafikuara ka nevojë të përfshijë mbrojtjen e dëshmitarit, masat efikase për rikthimin në jetën e përditshme dhe masa në kuadër të gjithë shoqërisë, e cila duhet të luftojë fenomenin.
Një tjetër mënyrë që duhet adresuar ky problem është dhe nga këndvështrimi i ofertës dhe kërkesës. Çfarë do të thotë kjo? Sa i përket ofertës duhet të shohim shkaqet që i çojnë këto femra të gjenden në kurthin e trafikantëve dhe shkaqet ekonomike sociale që i bën ato pre të lehta për trafikantët. Është themelore të trajtojmë këtë problem ashtu siç është e rëndësishme që të shohim dhe kërkesën. Me këtë kuptoj që para drejtësisë nuk duhet të shkojnë vetëm ata që e realizojnë trafikun, por dhe ata që përfitojnë apo përdorin shërbime të ofruara nga gratë dhe vajzat e trafikuara. Një nga çështjet kryesore lidhur me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë është çështja e imunitetit. Ky i fundit nuk mund të hiqet në Kosovë për një numër përfaqësuesish të bashkësisë ndërkombëtare. Për shembull anëtarët e KFOR-it kanë mbrojtje, e cila mund t'u hiqet vetëm nga vendet që i kanë dërguar dhe ata mund të dalin vetëm para drejtësisë së vendeve të tyre. Kjo çështje krijon probleme.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG