Ndërlidhjet

REXHEPI: STATUSI I KOSOVËS STABILIZON RAJONIN


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Përballë sfondit mes etniteteve në të kaluarën tani kemi të bëjmë me një klimë të re politike për tërë rajonin, atë të bashkëpunimit, është shprehur kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi në kuadër të debatit të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike Forum.
"Gjithashtu kemi synimet analoge, përkatësisht vizion të përafërt për të ardhmen e vendeve tona si pjesë integrale të NATO-s dhe Bashkimit Evropian", tha Bajram Rexhepi.
Është në interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës por të tërë rajonit përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës, si burim i stabilitetit për Ballkanin në përgjithësi, ka vlerësuar kryeministri i Kosovës duke shtuar:
"Është dhe në interes të Maqedonisë dhe të rajonit që Kosova të fitojë një status definitiv që do të jetë burim i stabilitetit në rajon dhe jo i destabilitetit. Prandaj ne presim me të drejtë që edhe më tutje edhe institucionet edhe liderët maqedonas ta dëshmojnë këtë vullnet. Ne jemi të kënaqur me prononcimet e tyre, të cilat janë mjaft inkurajuese edhe për ne, që do të jetë domosdoshmëri që edeh statusi i Kosovës të definohet në kohën optimale si është paraparë të fillojë në mesin e vitit 2005", është shprehur kryeministri Bajram Rexhepi duke shprehur që më pas se në interes të dy vendeve fqinje është krijimi i një ure të fortë të bashkëpunimit, në drejtim të këmbimit të përvojave në procesin e Stabilizim Associimin.
I pyetur nga ambasadori i NATO-s në Maqedoni Nikolas Bigman nëse Marrëveshja e Ohrit mund të paraqesë model për zgjidhjen e problemeve të hapura ndëretnike në Kosovë, kryeministri Rexhepi u përgjigj:
"Në kohën kur ne kemi disa ngjashmëri me komunitetet etnike, mund të shërbejë një pjesë e madhe e kësaj marrëveshjeje, mund të gjejë vend edhe në strategjinë për zgjidhjen e çështjeve të komuniteteve minoritare në Kosovë".
Ndërkohë i pyetur nga Tito Petkovski, zyrtar i lartë i Lidhjes Socialdemokrate në pushtet pse për Prishtinën zyrtare është kontestuese marrëveshja e arritur mes Shkupit dhe Beogradit për shënimin e vijës veriore kufitare të Maqedonisë, kryeministri i Kosovës tha:
"Sigurisht se forma e arritjes së marrëveshjes nuk ka qenë më e mira, për arsye se është arritur marrëveshja mes Maqedonisë dhe konkretisht Serbisë e në një mënyrë janë injoruar institucionet e Kosovës, në një mënyrë ka qenë e injoruar edhe prezenca e KFOR-it, NATO-ja në Kosovë dhe misioni i UNMIK-ut. Vetëm sa për t'ju përkujtuar fillimisht reagimi i përfaqësuesve të KFOR-it ishte se vetëm ata janë përgjegjës për kufijtë e Kosovës. Nëse vazhdojmë me krijimin a raporteve shumë të mira të bashkëpunimit mund të ulemi dhe më herët dhe ta definojmë atë pjesë që nuk duhet të jetë problem ose mollë sherri por përkundrazi mos kemi kurrfarë kundërshtimesh mes dy vendeve".
Pyetjes së Miriana Malevskës, profesoreshë e Universitetit të Evropës Juglindore, se sa mund të evitohen ngjarjet si ajo e marsit dhe si i sheh ai në relacionin standardet- statusi i Kosovës kryeministri Bajram Rexhepi u përgjigj:
"Kjo është një formulë më e pranueshme që standardet të shkojnë bashkë me statusin, e jo të kushtëzohet vetëm niveli i caktuar i standardeve për fillimin e definimit të statusit. Sa i përket standardeve, institucionet e Kosovës, liderët politikë dhe qytetarët i kanë përvetësuar këto standarde si standardet tona që janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha etniteteve, por për fat të keq nga Beogradi ata nuk e shohin si diçka pozitive dhe në forma të ndryshme e refuzojnë dhe humbin një shans shumë të mirë që të jenë pjesë e procesit", nënvizoi Bajram Rexhepi.



XS
SM
MD
LG