Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI REXHEPI PËRFUNDON VIZITËN E TIJ NË SHKUP


Sefer Tahiri, Shkup

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi pas takimit që pati me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, i cili ishte takimi i fundit që realizoi sot në Shkup theksoi se vizita e tij ishte mjaft e suksesshme.
"Kryesisht unë e informova për ngjarjet që ndodhën, në çfarë gjendje është tani Kosova që po shkon drejt normalizimit, cilat janë sfidat për Kosovën në të ardhmen, po ashtu në Maqedoni se si shkon implementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe procesi i decentralizimit. Kemi shumë interesa të përbashkëta dhe në stilin e veprimit kemi shumë ngjashmëri", tha Bajram Rexhepi. Ndërkaq kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, nënvizoi se me zotin Rexhepi është rënë dakort që bashkëpunimi me institucionet e Kosovës në të ardhmen të jetë më i frytshëm.
"Rezultate ka në këtë drejtim. Në veçanti do të kisha theksuar bashkëpunimin në mes të dy ministrive të arsimit. Çdo rritje e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë është një element mjaft i fuqishëm që gjithmonë do të prodhojë stabilitet, paqe, jo vetëm në mes dy vendeve tona, por edhe për rajonin më gjerë", tha zoti Ahmeti ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen se kur do të hapet zyra e Maqedonisë në Prishtinë theksoi:
"Është çështje kohe dhe tani nuk mund të them nëse do hapet sot apo nesër, dhe pritet akti i hapjes".
Ndërkohë përfaqësuesi i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Tito Petkovski tha se problemet mund të zgjidhen vetëm përmes komunikimit të ndërsjelltë. Ai apeloi për intensifikimin e takimeve dypalëshe.
"Sinqerisht mendoj se duhet të ketë komunikim më të shpeshtë dhe shkëmbim të mendimeve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë zgjidhje të problemeve nëse për to bisedojmë", tha Petkovski, sipas të cilit shmangia e komunikimit mund të krijojë vetëm ndarje dhe asgjë më shumë. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike Shqiptare Zamir Dika u shpreh:
"Ishte një bisedë e hapur e sinqertë. Nga të dyja anët u shpreh kënaqësia për prezencën e kryeministrit të Kosovës në Maqedoni. E inkurajuam që ky nivel i bashkëpunimit ë rritet mundësisht edhe në nivel institucional, në mënyrë që të mund të materializohen këto vizita nga aspekti i kortezisë në aspektin e bashkëpunimit praktik".
Përfaqësuesi i Partisë së Prosperitetit Demokratik Ismet Ramadani, tha se kryeministri Bajram Rexhepi ishte i hapur për të gjitha çështjet, ndërsa veçon atë që ka të bëjë me përcaktimin e vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës.
"Kryeministri ishte i qartë për atë që të mos biem pre e provokimeve të Serbisë, në lidhje me demarkacionin e kufirit Kosovë-Maqedoni. Është e diskutueshme ajo që është në pjesën e Debëlldesë dhe Tanushës, mirëpo ne gjithnjë jemi të përgatitur që për këtë të bisedojmë më tutje dhe ta bëjmë punën në mënyrë që të gjithë të jemi të kënaqur ", tha zoti Ramadani duke konstatuar se për këtë çështje duhet të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme sepse vetëm në këtë mënyrë do të kontribuoet në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.



XS
SM
MD
LG