Ndërlidhjet

.


MEHMET KRAJA: KLASA POLITIKE VENDNUMËRON

Evropa e Lirë
Zoti Kraja, zhvillimet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar saktësinë e disa vlerësimeve që i keni bërë në komentet në librin tuaj të fundit "Mirupafshinm në një luftë tjetër". Është ky vizion apo rastësi?

Mehmet Kraja
Nuk është puna aq shumë te vizioni, por më shumë te një kundrim pa paragjykime i problemit të Kosovës, i cili mbetet i hapur, dhe nuk është mbyllur akoma. Kosova gejndet në një udhëkryq të madh, Kosova është në një pikë ndoshta më kritike të këtyre viteve të pasluftës. Nuk më duket se ka një vizion të qartë klasa politike e Kosovës për një zgjidhje adekuate të kësaj situate, e aq më pak, bashkësia ndërkombëtare. Kam idenë se shqiptarët në Kosovë, me gjithë një periudhë të suksesshme, historikisht të suksesshmw, tani ndodhen në një fazë të rrezikshme dhe, për shumë arsye, do ta quaja këtë fazë si lojë me zjarrin, ku nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja.
Kjo duket situatë alarmante në dukje të parë, mirëpo, në fakt, shenjat janë mjaft negative.

Evropa e Lirë
A mendoni se kriza e tashme në Kosovë mund të tejkalohet pa thyerje të mëdha, qoftë në raportet e brendshme, qoftë në ato me bashkësinë ndërkombëtare?

Mehmet Kraja
Dy probleme i shoh gati të pazgjidhshme, ndoshta, për këtë rrethanë. Problemi i parë është një pamundësi e Kosovës që të dalë nga rrethi vicioz i zhvillimeve negative dhe e dyta është se Kosova po përjeton një krizë të identitetit të saj politik. Dhe, e treta që është edhe më e rëndësishmja, është se Kosova përjeton në një krizë të thellë sociale. Askush deri më tash këtë fakt, së paku nuk e theksoi në masën e duhur, as faktori vendor dhe as ai ndërkombëtar. Tani Kosova gjendet në një kolaps total ekonomik dhe kjo gjendje mund të prodhojë kriza të llojllojshme. Aktualisht, në ngjarjet e marsit, bunti i njerëzve u orientua në drejtim të kundërshtimit të veprimeve të Serbisë, të UNMIK-ut e të tjera, që do të thotë mori ngjyrime politike. Tani shtrohet pyetja - nëse nesër apo pas një kohe nuk e kemi më problemin UNMIK në Kosovë, i kemi edhe kompetencat, edhe vetëqeverisjen, edhe pavarësinë dhe nuk e kemi as Serbinë e cila është e gatshme të gjenerojë kriza të vazhdueshme në Kosovë, çka do të bëjmë me këta njerëz, me këtë krizë sociale dhe me këtë kolaps ekonomik që e kemi.

Evropa e Lirë
Çfarë mendoni, kush dhe ku ka dështuar?

Mehmet Kraja
Klasa jonë politike nuk është aq e përgatitur për t'u ballafaquar me këtë. Është situatë paksa e çuditshme, për mendimin tim. Kjo klasë politike duket se jeton në do ëndrra, sikur është shkëputur nga realiteti dhe ambiciet i ka shumë të mëdha - mendon se përmes pavarësisë dhe patriotizmave mund të zgjidhen një mori problemesh, por edhe ajo që është më me rëndësi, klasa jonë politike ka vendnumëruar për një kohë - nuk ka grupime të reja politike që do të ofronin programe. Hëpërhë, kështu siç është tani, ato fusha që i kanë kompetencat, tregojnë se punojnë shumë keq. Unë jam njeri i kulturës dhe merrem me problemet e kulturës. Në çështje të kulturës njeri i gjallë nuk përzihet nga bashkësia ndërkombëatre apo nga të huajt, që të themi se ata nuk na lënë të bëjmë atë që duhet të bëjmë.

Evropa e Lirë
A pajtoheni se në skenën politike kosovare ka gjithnjë e më pak intelektualë dhe ku janë rrënjët e këtij fenomeni?

Mehmet Kraja
Nuk është se nuk ka intelektualë, por problemi është se këta intelektualë sapo kalojnë nga fusha e dijes humanitare dhe kapërcejnë në politikë, tjetërsohen. Në anën tjetër, inteligjencia humanitare është përjashtuar nga proceset. Kjo është e kuptueshme, pasi është konsideruar se këto nuk janë momentet kur inteligjencia duhet të përfshihet në proceset politike. Institucionet tona kryesisht janë bërë vende ku grumbullohen ose njerëz të karrierës ose vende ku duhet të zgjidhen rastet sociale. Një inteligjencie me të tillë njerëz të cilët kërkojnë të zgjidhin çështjet pragmatike të jetës së tyre, nuk kanë idealizëm dhe duan të përvetësojnë pushtetin, natyrisht se janë njerëz me të cilët inteligjencia humanitare nuk mund të vërë kontakte të rregullta dhe të përlqyeshme me këtë klasë dhe shtresë politike, pasi pragmatizmi i kësaj klase është tepër bizar. Është një përjashtim, se nuk është që inteligjencia ik nga këto probleme apo nga dhënia e mendimit publik për këto, por askush nuk e kërkon mendimin e saj dhe asnjeriu nuk i duhet kjo. Kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme, sepse është e qartë se kjo klasë politike nuk është në gjendje të çojë proceset përpara. Dhe, kështu do të vijmë në një situatë që ishim në fillim të viteve '90, kur klasa politike do ta braktisë këtë popul dhe do ta lërë në mëshirën e rrugëve dhe të thotë se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë, urdhëroni ju dhe bëjeni. Atëherë do të jetë tepër vonë.

Evropa e Lirë
A mendoni se është koha për një mobilizim të sërishëm gjithëkosovar, si në fillim të viteve '90 apo tash një gjë e tillë është e pamundur dhe e panevojshme?

Mehmet Kraja
Nuk them se situatat mund të jenë krejt identike, por megjithatë situatat janë situata krize. Situatat e fillimit të viteve '90 nuk kanë qenë të këtilla, pasi nuk kemi pasur institucione, ndërkaq tash kemi institucionet tona. Nuk them se tash duhet një mobilizim, sepse nuk është koha për mobilizime të natyrës populiste apo kushedi se çfarë, por them se klasa politike duhet të kthjellet dhe të mendojë më ndryshe nga ç'ka menduar deri më tash. Ngjarjet e fundit kanë dëhsmuar se askush nuk e di se nga mund të shkojë nesër mllefi i masës - mund të shkojë kah vilat e udhëheqësve dhe kah rezidencat e tyre. Askush deri tash nuk u ka ofruar asgjë këtyre njerëzve, përveç retorikës patriotike, shpesh pa asnjë vlerë, askush asgjë nuk u ka ofruar këtyre njerëzve pas luftës dhe kjo mungesë e rezultateve të prekshme mund të çojë nesër në lëvizje që mund të jenë tepër negative dhe tepër të pakontrollueshme.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG