Ndërlidhjet

KORRUPSIONI PLAGË (EDHE) E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Policia e UNMIK-ut ka arrestuar javën e kaluar zyrtarë të lartë institucionalë, të cilët dyshohet se janë marrë me korrupsion. Arrestimi i tre zyrtarëve të lartë të PTK-së dy vendës dhe një ndërkombëtar është rasti i dytë që administrata e UNMIK-ut ka ndërmarrë, që kur ish shefi i UNMIK-ut Mihajl Shtajner i shpalli luftë korrupsionit me politikën “zero tolerancë për krimin”.
Ndërkohë, njohës të rrethanave ekonomike, por edhe qytëtarët thonë se pavarësisht nga ky fakt korrupsioni është shumë i pranishëm në shoqërinë kosovare.
Artan Mustafa: "Korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë së Kosovës dhe është bërë dukuri. Pushteti është i korruptuar, një pjesë e madhe e njerëzve që hyjnë në poste publike po hyjnë për të shpërlarë para ose për të depërtuar deri te ndonjë tender, dhe çfarë është më së shumti e dhimbshme edhe shoqëria civile është e korruptuar”.
Qytetarja Shukrie Syla thotë se shihet qartë se në shoqërinë kosovare ka korrupsion."Ka, sepse korrupsioni po shihet qartas”.
Ndërkaq , Blerim Krasniqi nga Prishtina beson se korrupsioni ka zënë rrënjë edhe pse siç thotë ai nuk është dëshmitar i kësaj dukurie.
“Rrethanat dhe rrjedhat që asgjë nuk shkon në rregull, ka ndërtime pa leje, prandaj lë hapësirë të dyshuar se ka korrupsion, përndryshe nëse do t’i përmbaheshin ligjeve, nuk do të ishte ky kaos.”
Qytetarët mendojnë se korrupsioni duhet të luftohet nga brenda, nga vetë institucionet në të cilat dyshohet se kryhen aktivitete joligjore.
“Ka korrupsion të hapur dhe të ndërlikuar që qytetari nuk ka mundësi ta vërejë, por organet vendimarrëse në Kosovë duhet ta vërejnë dhe ta luftojnë atë”, thotë Ndue Kalaj.
Zëdhënësi për drejtësi dhe polici i UNMIK-ut Neeraj Singh, thotë se Mekanizmi Hetues Kundër Korrupsionit i krijuar në tetor të vitit të kaluar ka një mandat mjaft të gjerë për të hetuar të gjitha keqpërdorimet dhe rastet e korrupsionit në UNMIK, qeverinë e Kosovës si dhe në të gjitha ndërmarrjet publike. Por, përveç arrestimit të tre zyrtarëve të lartë të PTK-së, punën e të cilëve e ka hetuar Guardia di Finanza, administrata ndërkombëtare nuk është duke hetuar keqpërdorimet në institucionet e tjera, që sipas vëzhguesve dyshohet të jenë kryer ose kryhen aktivitete joligjore.
“Duhet thënë se këto janë hetime shumë komplekse dhe marrin shumë kohë. Nuk duhet vetëm të kontrolloni dokumentet, të flisni me dëshmitarët, por duhet të kryhen ekspertiza ligjore të këtyre dokumenteve nga ekspertë të kësaj fushe. Kjo merr kohë të gjatë së paku një ose dy vjet për të kryer pastaj arrestimet e mundshme,” thotë Singh.
Dënimi maksimal për të kryesit e veprave penale ekonomike, sipas kodeve të reja penale të Kosovës është 10 vjet, thotë avokati Tomë Gashi.
“Në ato vepra penale kundër ekonomisë së Kosovës përfshihen shumë vepra dhe secili që vjen në kundërshtim me përafërsiht me 20 ose 30 vepra penale të Kapitullit 22 të Kodit Penal, mund të dënohet, përafërsisht deri në 10 vjet," tha Tomë Gashi.
Zëdhënësi për polici dhe drejtësi Neeraj Singh thotë se pavarësisht nga pozita të cilën e mban personi i cili dyshohet se është i përfshirë në korrupsion, ai do të hetohet pa kurrafë kufizimesh.
Mekanizmi Hetues kundër Korrupsionit ka të drejtë që të hetojë të gjitha objektet, dokumentet, inçizimet, materialet, pajisjet dhe informacionet tjera, të atij personi të dyshuar se është i përfshirë në korrupsion.


XS
SM
MD
LG