Ndërlidhjet

SHQIPËRIA KUNDËRSHTON PLANET PËR KANTONIZIMIN E KOSOVËS


Alma Çupi, Tiranë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, ka marrë në Tiranë mbështetjen e autoriteve më të larta shqiptare për të përkrahur Kosovën në arritjen e standarteve për statusin e ardhshëm të saj.
Përfaqësuesit e shtetit shqiptar ashtu si gjatë vizitave të fundit në Prishtinë, kanë nxitur kryeparlamentarin Daci që kosovarët të japin në arenën ndërkombëtare imazhin e një populli evropian që jeton në paqe me minoritetin serb.
Tirana ka përfituar nga rasti për të përsëritur kundërshtimin e planit serb për kantonizimin e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Kastriot Islami, pas takimit me kryeparlamentarin e Kosovës tha:
"Jemi shprehur kundër planit të kantonizimit dhe çdo lloj plani tjetër që del në mënyrë të njëanshme, jashtë kuadrit të përcaktuar nga bashkësia ndërkombëtare".
Gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, tha për median se stabiliteti në Kosovë dhe Shqipëri do t’i ndihmonte rrjedhave në rajon.
"Është një kërkesë e përbashkët që stabilizimi politik, ekonomik dhe social në Kosovë, por edhe stabilizimi politik në Shqipëri, do t'i ndihmonte rrjedhave, jo vetëm në dy vendet tona, por edhe në rajon".
Të dyja palët ishin në një linjë të përbashkët se dhuna në Kosovë si ajo e para disa javëve është e papranueshme dhe pengon procesin integrues.
Gjithashtu kryeparlamentari Daci ka takuar po sot edhe presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu, kryeministrin Fatos Nano dhe kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha.
Presidenti Moisiu vërejti se në Kosovë ka përmirësime, por ekzistojnë akoma probleme, të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u zgjidhur dhe ritheksoi qëndrimin e tij të parashtruar edhe gjatë vizitës së parakohshme se Kosova nuk ka kthim pas dhe se zgjidhja e statusit të saj do të ngushtonte hapësirën për ekstremistët dhe do t’i shërbente stabilitetit në vetë Kosovën e në rajon.
Kreu i shtetit shqiptar siguroi për mbështetje në procesin e ndërtimit të institucioneve shoqërisë demokratike shumetnike në Kosovë dhe nënvizoi rëndësinë, që ka bashkëpunimi dypalësh në të gjitha nivelet e fushat.
Nga ana e tij, Kryetari i parlamentit të Kosovës, Daci shprehu mirënjohjen e Kosovës për qëndrimin konseguent të presidentit Moisiu në rrjedhat politike në Kosovë, Shqipëri e rajon. Ai e informoi presidentin Moisiu për zhvillimet në Kosovë dhe veçanërisht u ndal në domosdoshmërinë që ka transferimi i kompetencave nga ndërkombëtarët në organet lokale, në rritjen e kapaciteteve vetëqeverisëse, si dhe në raportet me UNMIK–un, përgjegjësinë e vetë qytetarëve të Kosovës në këtë proces etj.
Edhe në takimin që pati me kryeministrin Fatos Nano u fol për rëndësinë e stabilitetit në Kosovë dhe të statusit të saj. Gjithashtu Kryetari i kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, takoi edhe kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha ku i shprehu atij se Kosova nuk i dëshiron aktet e dhunës, por dëshiron paqen.
XS
SM
MD
LG