Ndërlidhjet

POLITIKANËT SHQIPTARË KUNDËRSHTOJNË PADINË E KRYEMINISTRIT NDAJ DEPUTETIT LESI


Alma Çupi, Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, së bashku me bashkëshorten e tij Xhoana Nano, ka hapur padi gjyqësore ndaj botuesit të gazetës së përditshme Koha Jonë dhe deputetit Nikollë Lesi. Nga Kuvendi i Shqipërisë Kryeministri kërkoi heqjen e imunitetit të zotit Lesi si deputet dhe gjykatës i ka kërkuar dëmshpërblim prej 4 milion lekësh nga ana e të akuzuarit Lesi. Ky reagim i kryeministrit u bë pas disa shkrimeve të botuara në gazetën Koha jonë, ku familja Nano akuzohej për biznese të paligjshme të përfituara nga posti. Në lidhje me këto akuza botuesi i gazetës Koha Jonë Nikollë Lesi thotë për Radion Evropa e Lirë, se sulmi i kryeministrit është politikë.
"Është një padi që është në thelb një hakmarrje politike dhe kryeministrore, pasi ai nuk u ka dhënë shpjegime të gjitha akuzave të mia për bizneset e të shoqes, për bizneset e veta, për shfrytëzimin e postit për disa vendime qeverie. Unë kam të drejtë qoftë si gazetar, qoftë si deputet që kam imunitet që të kërkoj shpjegime nga kryeministri i vendit tim për shumë gjëra, për shumë akuza. Dhe ai po të jetë transparent dhe i ndërgjegjshëm dhe i pastër del në mënyrë politike dhe shpjegon që këto gjëra nuk janë të vërteta".
Ndërsa kryetari i Partisë Demokrate të Reformuar, Dashamir Shehi, thotë se sulmi i kryeministrit ndaj një gazetari dhe një deputeti, nuk është i llogjikshëm.
"Kjo nuk është normale, nuk është llogjike. Një njeri që është kryetari i ekzekutivit, ka një mijë mjete të tjera publike për t'u mbrojtur dhe nuk ka nevojë që të vrapojë nëpër gjykata për mandate etj."
Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, një parti kjo aleate me socialistët, thotë se të dy palët nuk duhet të shpërdorojnë pozitën dhe pushtetin që kanë.
"Të dy palët duhet të jenë mjaft të vëmendshëm ndaj opinionit publik dhe askush nuk duhet të shpërdorojë pozitën e vet për të dëmtuar kundërshtarin politik. Në këtë rast abuzimi i pushtetit, se të dy palët përfaqësojnë një lloj pushteti të natyrës së vet është i dëmshëm".
Analisti Preç Zogaj, sulmin e kryeministrit dhe të bashkëshortes së tij ndaj botuesit dhe deputetit Lesi, e konsideron si një sulm politik.
"Është reagim ndaj një kundërshtari politik, jo ndaj atyre që i quan teprime apo shpifje. E ka parë Lesin si një kryetar të një partie të opozitës dhe si një botues të një gazete opozitare. Është pjesë organike e raportit të kryeministrit me median. Mediat kundërshtare opozitare i shikon si armike".
Ky rast hapi edhe njëherë debatin në Shqipëri sesa media është e lirë për të thënë fjalën e saj. Në të gjitha raportet e organizatave joqeveritare, të huaja dhe vendase, flitet se disa media në Shqipëri janë blerë nga shteti ndërsa disa tët jera nuk mund të thonë fjalën e lirë për shkak të sulmit që ndërmerret ndaj tyre. Në lidhje me lirinë e shtypit në Shqipëri, analisti Zogaj thotë më tej:
" Raportet e qeverisë me median janë raporte interesi. Qeveria mbron mendiat për të cilat ka interes dhe që e mbështesin dhe sulmon dhe ua bën jetën të pamundur mediave të tjera nëpërmjet politikës së reklamave dhe formave të tjera të panumërta që ka në dorë qeveria. Nga ana tjetër një mori pronarësh të mediave, botues pronarë janë në lidhje interesi me qeverinë dhe nuk mund të ushtrojnë lirinë e shtypit. Ka një pabarazi të madhe në trajtimin e mediave sa i përket privilegjeve që u krijon qeveria disa botuesve, duke cënuar në thelb pluralizmin e mediave".
Mënyra se si media në Shqipëri e përdor pushtetin e saj, sipas kryetarit të Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo, është jokorrekte.
"Media i ka të dy ekstremet. Është shpesh herë tejet e lirë dhe përtej caqeve të ligjit, të etikës dhe të moralit, ashtu sikurse në mjaft raste të tjera kur shkel në kallo, është e privuar nga kjo liri e domosdoshme dhe të kujton kohë të shkuara."
Edhe pse shumica e politikanëve dhe analistëve reagimin e kryeministrit dhe të bashkëshortes së tij e konsideron jo të drejtë, gjykata e Tiranës ka nisur dje procesin gjyqësor.
XS
SM
MD
LG