Ndërlidhjet

METEORI- PËRGJEGJËS PËR "VDEKJEN E MADHE" PARA 250 MILION VJETËSH


Askold Krushelnycky

Shkencëtarët besojnë se mund ta kenë identifikuar vendin ku para 250 milionë vjetësh një meteor gjigand goditi planetin tonë.
Shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë thonë se kanë gjetur dëshmi se një meteor i madh ka qëlluar Tokën afër bregdetit veriperëndimor të Australisë.
Ata besojnë se kjo mund të ketë lidhje me shkatërrimin e përgjithshëm të jetës në Tokë, 250 milion vjet më parë.
Besohet se kombinimi i një meteori gjigand që është përplasur në vendin që sot njihet si Meksiko, me shpërthimin masiv të vullkanit, ka zhdukur shumë qenie të gjalla, përfshirë dinosaurët, rreth 65 milionë vjet më parë.
Por, shkaku i kësaj katastrofe është debatuar gjatë nga shkencëtarët.
Tani, pas 5 vjet hulumtimi dhe gjurmimi , një ekip shkencëtarësh amerikanë, beson se kanë gjetur dëshmi se shkatërrimi i mëhershëm ishte shkaktuar nga një varg ngjarjesh.
Kryesuesja e ekipit është Luann Becker nga Departamenti i Gjeofizikës në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara. Ajo thotë se efekti i meteorit, që vlerësohet me një rreze rreth 200 kilometra dhe pluhuri i ngritur nga shpërthimet vullkanike, mund ta kenë penguar me vite diellin të depërtojë në Tokë dhe gjithë kjo mund të ketë shkaktuar të ashtuquajturën 'Vdekje e Madhe', siç e kanë cilësuar periudhën në fjalë gjeologët End dhe Permian.
"Kjo periudhë para 250 milionë vjetësh është shuarja më masive në historinë e planetit tonë. 90 për qind të të gjithë organizmave ujore , 70 deri në 80 për qind të shtazëve tokësore dhe bimëve, u zhdukën në një mënyrë shumë të shkurtër dhe menjëherë," thotë Beker.
Sipas saj, edhe pse dëshmitë e mbledhura i theksojnë efektet e meteorit, nuk dihet kur është bërë goditja.
"Gjëja e qartë që njerëzit na kanë pyetur ka qenë, se ku gjendet krateri i kësaj goditjeje dhe nëse mund ta gjejmë atë", thotë Becker.
Ajo thotë se shkencëtarët kanë bërë një hartë si dukej bota para 250 milionë vjetësh, atëherë kur ishte vetëm një pjesë e tokës e madhe e quajtur Pangea. Ata caktuan vendet si Kina, Antarktiku dhe Australia, ku janë gjetur më së shumti dëshmi.
Shumë shkencëtarë i mohojnë sugjerimet e Beckerit se aktivizimi i vullkaneve ishte shkaktuar ose rritur nga efekti i meteorit. Madje, disa e kundërshtojnë teorinë e saj se një meteor ishte përfshirë në atë që quhet "Vdekja e Madhe"
David King nga Universiteti i Arizonës thotë se të gjitha dëshmitë mund të shpjegohen pa përfshirë ndonjë efekt jashtëtokësor. Për shembull, fragmentet e meteorit mund të kenë qenë copëza të ndonjë meteori të vogël, si ato që rregullisht e bombardojnë planetin tonë. Skeptikët e tjerë pyesin si është e mundur këto fragmente të meteorëve të ruhen aq mirë mbi 250 milionë vjet.
Becker dhe ekipi i saj kanë kundër argumente, por pajtohen se duhen berë më tepër hulumtime:
"Gjëja e ardhshme që duhet bërë është gjurmimi i këtyre kratereve nga perspektiva gjeofizike. Ne do të dëshironim ta përcaktojmë madhësinë e kraterit të tillë, por thjesht nuk kemi mjete", thotë Becker.
XS
SM
MD
LG