Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

UNMIK-U HEDH POSHTË INFORMACIONET PËR LARGIMIN E HOLKERIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Prokurori ndërkombëtar që ka kryer hetimet në lidhje me incidentin e armatosur më 17 prill në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë, përmes zyrës për informim të UNMIK-ut, i ka bërë publike rezultatet e hetimeve, dhe ka konstatuar se katër policët jordanezë që janë mbajtur në paraburgim do të lirohen, sepse nuk ka dëshmi që ata janë përfshirë në sulmin, që një bashkëkombas i tyre kishte ndërmarrë atë ditë ndaj kolegëve të tij nga Shtetet e Bashkuara. Nga ky incident humbën jetën dy policë amerikanë, sulmuesi jordanez si dhe u lënduan 11 policë të tjerë, prej të cilëve njëri vdiq më vonë.
Sipas zëdhënësit të policisë së UNMIK-ut Neeraj Sing, prokurori ndërkombëtar ka konstatuar se katër policët jordanezë, të cilët kanë qenë në orarin e punës më datën 17 prill, kur ndodhi incidenti, nuk kanë marrë pjesë në këtë sulm:
"Këta katër polic janë hetuar nëse kanë marrë pjesë apo kanë ndihmuar në sulmin e asaj dite, kurse njëri prej tyre është hetuar nëse ai ka ndihmuar në vrasje”, tha Sing, duke sqaruar më pas se prokurori ndërkombëtar ka konkluduar se nuk ka dyshime që këta katër policë jordanezë kanë ndërmarrë çfarëdo sulmi, prandaj ata janë liruar nga paraburgimi. Po ashtu, para 15 ditësh nga paraburgimi janë liruar dhe tre policë të tjerë jordanezë që ndodheshin në orarin e punës në ditën kur ndodhi incidenti.
Po sot, zyrtarët e UNMIK-ut edhe njëherë i kanë përgënjeshtruar disa njoftime që vijnë qoftë nga Kosova apo edhe jashtë saj, se largimi i djeshëm i Harri Holkerit për në Helsinki mund të jetë dhe dhënie fund misionit të tij si shef i administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Mathdild Heneke, zëdhënëse e UNMIK-ut, tha shkurt se zoti Holkeri ka shkuar për një pushim në Helsinki dhe se ai do të kthehet përafërsisht për një javë apo më tepër. Sidoqoftë, spekulimet se largimi i djeshëm i Holkerit për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, mund të jetë fund i misionit të tij në Kosovë kanë vazhduar të trajtohen edhe mediat vendore, pavarësisht se zyrtarët e UNMIK-ut i përgënjeshtrojnë këto spekulime.

XS
SM
MD
LG