Ndërlidhjet

UNIVERSITETI I TETOVËS PRET 3000 STUDENTË TË RINJ


Sefer Tahiri, Shkup

Në Universitetin e Tetovës në vitin akademik, 2004-2005 pritet që të regjistrohen afro 3000 studentë, por për këtë çështje duhet të diskutojë qeveria në bashkëpunim me komisionin për implementimin e ligjit për zyrtarizimin e tij, tha rektori i këtij institucioni të arsimit të lartë Nexhmedin Beadini.
"Duke marrë parasysh kuotat që shteti ka ndarë për dy universitetet egzistuese shtetërore në Maqedoni, të cilat kapin shifrën mbi 10 000 studentë dhe duke marrë parasysh numrin e studentëve, që kemi regjistruar në vitet e kaluara akademike, të cilët kanë qenë diku afro 3 000, ne mendojmë që ky numër edhe këtë vit akademik nuk do të zvogëlohet, por ka tendenca që të rritet".
Rektori Beadini thotë se komisioni për zbatimin e ligjit për legalizimin e Universitetit të Tetovës angazhohet intensivisht për njohjen e diplomave të 650 studentëve që kanë mbaruar studimet në këtë universitet.
"Kjo procedurë do të jetë e përshpejtuar, duke u formuar një komision special për verifikimin e diplomave, i cili do të verifikojë dosjen personale të secilit kandidat si dhe ecurinë e tij."
Para disa kohësh Universiteti i Kosovës shpalli një konkurs për pranimin e kuadrove të reja.
"Në këtë konkurs u paraqitën një numër shumë i madh i të interesuarve, rreth 600 veta. Prej këtij numri do të bëhet një përzgjedhje e drejtë dhe do të zgjidhen ata që plotësojnë kriteret dhe kushtet për të qenë profesorë universitarë", tha zoti Beadini, duke shtuar se 2 milion eurot e ndara nga buxheti shtetëror për Universitetin e Tetovës, janë për t'u përshëndetur, por nuk i plotësojnë nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të tij.
"Ne do të kërkojmë që mjetet dhe buxheti i Universitetit të Tetovës të jenë buxhet proporcional, ashtu sikur qeveria ndan buxhet për dy universitetet e tjera egzistuese shtetërore në Maqedoni".
Rektori i Universitetit të Tetovës Nexhmedin Beadini, theksoi se ky universitet ka bashkëpunim shumë të mirë me Universitetin e Kosovës dhe me ato të Shqipërisë, por edhe me shumë universitete të tjera në botë.
Sipas tij një bashkëpunim i tillë do të vendoset edhe me dy universitete të tjera shtetërore në Maqedoni, atë të Shkupit dhe të Manastirit dhe me Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Pas funksionimit 10 vjeçar si institucion arsimor që nuk njihej nga shteti, Universiteti i Tetovës u zyrtarizua me miratimin e ligjit për themelimin e tij si universiteti i tretë shtetëror në janar të këtij viti. Në kuadër të tij janë legalizuar Fakulteti i Shkencave Humanitare dhe Arteve, ai i Shkencave Matematikore dhe Natyrore, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe një Qendër e arsimit sipëror për Studime Politeknike.





XS
SM
MD
LG