Ndërlidhjet

A. KASSOF: PA DIALOG TË DREJTPËRDREJTË MUND TË IMPONOHET ZGJIDHJE QË NUK KËNAQ ASNJË PALË


Allen Kassof, Drejtues i Projektit Për Marrëdhënie Ndëretnike

RADIO EVROPA E LIRË
Takimi "Shqiptarët dhe fqinjët e tyre" do të zhvillohet nesër. Cili është niveli i përfaqësimit i vendeve të ftuara dhe bashkësisë ndërkombëtare?

ALLEN KASSOF
Ne kemi ftuar përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe vendeve të rajonit dhe presim një pjesëmarrje të rëndësishme. Sa i përket agjendës së takimit ne do të diskutojmë një numër problemesh siç janë çështja e Kosovës apo zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe Mal të Zi. Pra ne do të kemi një pamje të përgjithshme të raporteve të fundit mes shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës, ndonëse ishin të ftuar nuk do të marrin pjesë në takim. Çfarë do të thoshit?

ALLEN KASSOF
Kemi pasur disa njoftime për mospjesëmarrje në momentin e fundit dhe nuk i dimë arsyet. Ka informacione se kjo ka ndodhur për shkak të preokupimeve që ata kanë në vend, por mund të jetë shkaktuar edhe nga fakti se ata nuk ndihen shumë mirë për momentin të përballen me partnerët e tjerë në debat, veçanërisht pas atyre që ndodhën në 17 mars. Por më duhet të theksoj se do të ketë përfaqësim të lartë nga Zyra e kryetarit të Kosovës dhe nga dy partitë politike kryesore. Natyrisht që është e rëndësishme përfshirja e institucioneve, por besoj se ata do të marrin pjesë në takimet e tjera, pasi ky është një proces që vazhdon.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se mospjesëmarrja e tyre do të ndikojë në rezultatet e takimit?

ALLEN KASSOF
Ne do të futemi menjëherë drejt e në temë dhe të gjithë pjesëmarrësit janë shumë mirë të informuar dhe të aftë të trajtojnë këto probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë synoni të arrini në fund të takimit dhe në afat të mesëm le të themi?

ALLEN KASSOF
Ne vazhdojmë përpjekjet tona që të krijojmë një atmosferë, në të cilën do të mund të zhvillohet një dialog serioz për të adresuar e zgjidhur këto çështje shumë të vështira. Në këtë proces ndodh që të ecet më shpejt në disa çështje e më ngadalë në disa të tjera. Do të veçoja për shembull, se nga takimi i fundit këtu në Lucernë është kërkuar të bisedohet mes partive shqiptare e maqedonase që janë pjesë e koalicionit qeveritar. Kjo çoi në një proces të suksesshëm i cili vazhdon edhe sot, çfarë është shoqëruar me suksese reale. Edhe në Mal të Zi ka pasur rezultate shumë pozitive veçanërisht në marrëveshjet për arsimimin e pakicës shqiptare atje, por edhe të tjera.
Natyrisht që çështja e Kosovës është më e vështira dhe shoqërohet me probleme nga të dyja palët. Kështu nga një anë kemi qeverinë në Beograd, e cila deklaron se po risheh qëndrimin ndaj Kosovës përmes platformave të ndryshme dhe nga ana tjetër kemi ngjarjet e 17 marsit. Mund të them se ky është dialogu më i vështirë për t'u rivendosur. Ndaj mendojmë se duhet ecur hap pas hapi për të arritur në një dialog mes palëve. Më duhet të shtoj se ne kemi filluar në takimin e fundit të Lucernës të parin dialog të drejtpërdrejtë mes dy zëvendësministrave të qeverisë serbe dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës përfshi dhe kryeministrin. Kjo shkaktoi një stuhi politike në të dyja palët, veçanërisht në Kosovë, ku siç duket faktorë të ndryshëm politikë, nuk ishin të përgatitur për zhvillime të tilla. Kështu që ka shumë gjëra që vetë palët duhet të bëjnë për t'i hapur rrugën një dialogu real. Droja ime është se nëse ky dialog nuk fillon herët a vonë, atëherë mund të ndodhë që të kemi një zgjidhje të imponuar nga bashkësia ndërkombëtare, zgjidhje e cila nuk do të kënaqë askënd. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që janë përfshirë në këtë dialog të bëjnë përpjekje, edhe nëse gjërat ecin ngadalë, që të mund të vijnë palët në këtë pikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni me një zgjidhje që vjen nga bashkësia ndërkombëtare. A mund të na sqaroni më shumë?

ALLEN KASSOF
Ajo që kam ndërmend është ajo se ka një sërë konsideratash që kanë dalë nga komuniteti ndërkombëtar, por kam frikë se me kalimin e kohës do të shfaqet padurim lidhur me këtë përrallë dhe në vend që të kërkohet një zgjidhje autentike që do të vinte nga pjesëmarrja e plotë e Beogradit dhe Prishtinës, çka do të ishte, sipas mendimit tim, mënyra më e vlefshme për të ecur përpara, mund të ketë një seri vendimesh arbitrare nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me ndarjen e territoreve, apo me ndarjen, që ndoshta nuk do të kënaqte asnjë. Prandaj do të ishte shumë herë më e mirë nëse do të shtynim Prishtinën dhe Beogradin deri në pikën ku do të flisnin direkt me njëri tjetrin, për të parë nëse egziston mundësia e një terreni të përbashkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kassof, pse vendosni të vini në qendër të kësaj iniciative shqipëtarët dhe fqinjët e tyre. Do të thotë kjo që ata janë problemi?

ALLEN KASSOF
Jo është interesante po reflektoja mbi këtë dje. Mund të quhej edhe fqinjët dhe shqiptarët e tyre, por kjo nuk tingëllon mirë në gjuhën angleze. Nuk janë shqiptarët, është sistemi ndëretnik në të gjithë fqinjësinë. Sigurisht shqiptarët janë një emërues i përbashkët, sepse janë pjesë e disa vendeve në të njëjtën kohë dhe thjesht është më e lehtë. Shqiptarët dhe fqinjët, por nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për të gjithë dhe mund të themi edhe fqinjët dhe shqiptarët.
Këtu askush nuk i vë nota kurrkujt se kush është përgjegjës dhe kush jo. Por është fakt se shqiptarët janë të vendosur në disa vende dhe është gjithashtu e njohur se në disa pjesë bashkëpunimi ka qenë më i suksesshëm dhe në disa të tjera jo. Por kjo nuk shihet si mënyrë për të vlerësuar, por si një çështje e përbashkët.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG