Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT E SERBËVE NUK KTHEHEN NË INSTITUCIONE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit e bashkësisë etnike serbe të Kosovës nuk kanë ndërmend të kthehen në institucione dhe në proceset e tjera si ai i përmbushjes së standardeve, pasi ndihen të injoruar dhe të mbivotuar. Gojko Saviç, anëtar i kryesisë së kuvendit të Kosovës tha se bashkësia serbe, jo që nuk ka sjellë ndonjë vendim për rikthim në institucione, por pret që të krijohen kushtet për kthim.
"Kjo do të thotë se pas ngjarjeve të marsit, asgjë pozitive nuk është bërë në këtë plan përveç premtimeve", tha Gojko Saviç, sipas të cilit nuk ka patur ndonjë hap pozitiv për t'i bindur serbët që të rikthehen në institucione. Serbët e Kosovës kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e Kosovës pasi në hollin e Kuvendit ishin vendosur murale me pamje nga historia e popullit shqiptar. Pas mbulimit të muraleve, serbët vazhduan bojkotin ndërkohë që trazirat e marsit penguan në një masë përpjekjet për rikthimin e serbëve. Sllaxhan Iliç, kryetar i komunës së Shtërpces në Kosovën jugore me shumicë serbe tha se gjatë katër viteve të pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës, përfaqësuesit serbë nuk kanë mundur t'i mbrojnë në mënyrën e duhur interesat e bashkësisë serbe.
"Kur them kështu mendoj se përfaqësuesit politikë të të dyja bashkësive etnike në Kosovë, ende janë së tepërmi të ngarkuar me nacionalizëm", tha Iliç, duke parë si rezultat të e kësaj faktin se asnjë nga amendamentet e palës serbe në Kuvendin e Kosovës, nuk ka kaluar për shkak të mbivotimit të shqiptarëve. Prandaj, tha ai duhet shtruar pyetja nëse ka ndonjë kuptim pjesëmarrja e mëtejshme në Kuvend. Qëndrim të njëjtë kanë përfaqësuesit serbë edhe lidhur me përfshirjen e tyre në grupet punuese në përjetësimin e standardeve. Vetë dokumentin për standardet Saviç e quajti joserioz, pasi ai është hartuar pa shfaqur ndonjë dëshirë për përfshirjen e vetë serbëve të Kosovës në procesin e strategjisë së standardeve.
"Sipas meje nuk ka ndonjë dëshirë të vërtetë për përfshirjen e serbëve në proces, por egziston një përpjekje për të futur dikë nga bashkësia serbe në këto grupe, i cili nuk do të kishte ndikim real", tha Saviç, sipas të cilit largimi i Holkerit nuk do të ndikojë keq për proceset e përgjithshme, pasi Holkeri duhet të kishte dhënë dorëheqjen që më herët", tha ai.
Zoti Iliç ndërkaq tha se çështja e përmbushjes së standardeve nuk është aq e rëndësishme sa është politizuar. "Përmbushja e standardeve para statusit, sipas tij nuk është politikë e mirë, pasi qoftë njëra qoftë pala tjetër mund të krijojë pengesa të ndryshme për këtë arsye, prandaj statusi duhet parë i ndarë nga standardet", tha Iliç duke shtuar:
"Sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës, mendoj se bisedimet për këtë çështje duhet të fillojnë sa më shpejt."
Një nga kërkesat e serbëve të Kosovës është decentralizimi, për ç'gjë janë propozuar modele të ndryshme. Gojko Saviç tha se nuk ishte i kënaqur nga modelet e ofruara deri më tani.
"Ajo që mua më irriton më së shumti është që në modelin e decentralizimit, duket se bashkësia shqiptare do të jetojë në qytete, ndërsa serbët në zona rurale", tha Saviç, duke hedhur poshtë koncepte të tilla të decentralizimit. Ndërkaq Sllaxhan Iliç tha se modeli më i mirë është modeli i shumë komunave dhe decentralizimi teknik, me qëllim që administrata të jetë më afër qytetarëve. Mirëpo sipas tij, aktualisht nuk është i mundur funksionimi i institucioneve shumëetnike, prandaj shqiptarët dhe serbët duhet të kenë sipas tij administrata të ndara.


XS
SM
MD
LG