Ndërlidhjet

SCHEFFER: ZGJIDHJA PËR KOSOVËN GJENDET TEK PËRGJEGJËSIA E DREJTUESVE TË SAJ


Alma Çupi, Tiranë

Zgjidhja për Kosovës gjendet tek përgjegjësia e lidershipit. Kjo vlen jo vetëm për Kosovën por për të gjitha vendet e rajonit, të cilat duhet të integrohen në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ky ishte mesazhi që përcolli në Tiranë mëngjesin e sotëm, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, gjatë një takimi me Shoqatën Shqiptare të Atlantikut. Në këtë takim merrnin pjesë studentë, ushtarakë dhe pedagogë. Pas fjalimit që mbajti Sekretari Scheffer, një nga studentët ka kërkuar prej tij një përgjigje direkte se si e shikon ai situatën aktuale në Kosovë dhe cila është e ardhmja e integrimit të Kosovës në Aleancën Atlantiko-Veriore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në përgjigje të pyetjes, u shpreh se lidershipet e Shqipërisë dhe Kosovës, së pari duhet të tregojnë përgjegjësi në qeverisje.
"E them këtë, sepse Shqipëri dhe Kosova kanë një rol stabilizues në rajon. Stabiliteti në rajon është gjëja e parë që do të sjellë sigurinë dhe paqen. Më pas, kur të arrihen këto, ju do të shikoni se NATO do të bëjë përpjekjen e vet për të përfshirë në radhët e saj Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë, si dhe vendet e tjera. NATO që unë përfaqësoj është në krye atje, për të gjetur zgjidhjen për Kosovën. NATO është atje me forcat e saj, për të vendosur sigurinë dhe stabilitetin dhe për të bërë të mundur që partitë atje dhe komuniteti ndërkombëtar, të gjejnë zgjidhjet për problemet aktuale të komplikuara dhe zgjidhjet fillojnë me sjelljet përgjegjëse të udhëheqësve shqiptarë ndaj shqiptarëve dhe minoriteteve. Pra këtu fillon tek përgjegjësia e politikës. Kur komuniteti ndërkombëtar pa djegiet dhe manastireve, kishave dhe shtëpive në Kosovë, na u duk se përgjegjësia nuk egzistonte. Dhe ne kemi thënë standardet. Mendoj se ne të gjithë e dimë se çdo të thotë egzaktësisht standarde, sepse këto standarde nuk janë asgjë tjetër, veçse standarde në një vend demokratik". Më tej Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer, tha se serbët dhe kosovarët duhet të marrin pjesë së bashku për të gjetur zgjidhjen për Kosovën dhe theksoi se gjetja e zgjidhjes në Kosovë, do të çojë edhe në një zgjidhje për rajonin.
Ardhjen e Sekretarit të Përgjithshëm e përshëndeti edhe kryetari i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut Arjan Starova. Ai në fjalën e tij tha:
"Unë do të dëshiroja që në këto pak fjalë të miat t'ju shpreh në emër të Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, mirënjohjen e paharruar për rolin që ka luajtur NATO në rajonin tonë, jo vetëm për t'u dhënë fund konflikteve të përgjakshme etnike, por edhe për të krijuar kushtet për çuarjen deri në fund të procesit të demokratizimit të të gjithë rajonit tonë".
Më tej në lidhje ne Shqipërinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se "NATO-ja e mbështet dhe do ta mbështesë fort Shqipërinë në ambicjen e saj për anëtarësim në këtë Aleancë. Shqipëria ka një ambicje të fortë për t'u integruar në NATO dhe në Evropë, por ne së bashku do të luftojmë për të gjetur këto vlera që i nevojiten Shqipërisë. NATO në samitin e Stambollit që do të mbahet së shpejti, shpresoj se do të dërgojë shenjat e inkurajimit të Shqipërisë dhe të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, një iniciativë kjo politike mjaft e rëndësishme. Unë mendoj se samiti i Stambollit do të japë dritën jeshile të inkurajimit. Kjo Aleancë është një aleancë e vlerave, dhe është shumë e rëndësishme që të thellohen vlerat demokratike të sigurisë dhe të paqes. Shqipëria ka bërë hapa në reforma, por ka ende një rrugë të gjatë për të përfunduar reformat e nisura. Unë i them Shqipërisë kurajo të mirë, dhe kurajo për të gjitha sukseset që ju keni nevojë me qëllim që NATO t'ju bëjë pjesëtare. Ju tashmë jeni në krye të vëmendjes së Aleancës, ju jeni në krye të ambicjeve të drejta, ju jeni në krye të rrugës për në NATO, një organizatë kjo që po bën transformime themelore, që NATO më përpara nuk i ka parë.," përfundoi Scheffer.
XS
SM
MD
LG