Ndërlidhjet

PËRÇAHET KOALICIONI "KTHIMI"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Roli i Beogradit dhe ndikimi i tyre mbi serbët e Kosovës ka bërë që koalicioni i serbëve "Kthimi" të pësojë çarje të madhe dhe madje të rrezikohet edhe vetë ekzistenca e tij, siç kanë thënë zyrtarë të "Kthimit", njëkohësisht deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Ndarja ndërmjet vetë përfaqësuesve të koalicionit është thelluar pas zgjedhjes së qeverisë së re të Serbisë e cila, sipas pjesës më të madhe të përfaqësuesve të koalicionit "Kthimi", pothuajse i ka shkëputur lidhjet me përfaqësuesit e vetëm të serbëve të Kosovës në institucionet vendore. Dragisha Kërstoviç, shef i grupit parlamentar "Kthimi" në Kuvendin e Kosovës, tha se ky koalicion është angazhuar për bashkërendim të veprimeve ndërmjet Beogradit dhe serbëve të Kosovës, por kjo nuk është përfillur nga Beogradi:
"Aktualisht, koalicioni "Kthimi"ka lidhje mjaft të dobëta me Beogradin, edhe pse koalicioni "Kthimi" është përpjekur që këto lidhje të jenë më të forta dhe të përditshme," tha Kërstoviç, duke e parë Beogradin si faktor të rëndësishëm për proceset në Kosovë, e sidomos për realizimin e synimeve të serbëve vendorë.
Mirëpo, Rada Trajkoviç deputete e koalicionit "Kthimi" dhe njëkohësisht edhe anëtare e udhëheqjes së ngushtë të Këshillit Nacional Serb, që nuk pranon institucionet e Kosovës, tha se qëllimi i Beogradit zyrtar nuk dallon nga synimi i serbëve të Kosovës:
"Serbët e Kosovës dhe organet shtetërore të Beogradit kanë qëllim identik që është lufta për ekzistencën e serbëve dhe gjithsesi ruajtja e interesit shtetëror në këto hapësira," tha Rada Trajkoviç, sipas të cilës, të gjitha projektet e lansuara së fundi nga Beogradi në fakt janë pjesë e interesit të serbëve të Kosovës dhe dalin nga dokumentat e këshillit Nacional Serb.
Mirëpo, Dragisha Kërstoviç ka hedhur poshtë këto pohime, duke thënë se Beogradi zyrtar nuk ka shfaqur ndonjë interesim për koordinim të veprimeve me koalicionin "Kthimi":
"Plani i qeverisë së Serbisë për Kosovën është hartuar dhe miratuar, duke qenë sekret shtetëror për koalicionin "Kthimi"," tha Kërstoviç, duke vërtetuar se një pjesë e madhe e koalicionit "Kthimi" për këtë arsye ka shprehur pakënaqësinë për shkak të qasjes së tillë të Beogradit zyrtar.
Koalicioni i serbëve "Kthimi" që nga shkurti i këtij viti ka bojkotuar pjesëmarrjen në Kuvendin e Kosovës. Dragisha Kërstoviç njëkohësisht ka shfaqur frikën se qasja e tillë e Beogradit, mund të shkaktojë ndarje edhe më të thella brenda për brenda vetë koalicionit.
Ndërkaq, Rada Trajkoviç e ka akuzuar koalicionin "Kthimi", duke e quajtur edhe inekzistent:
"Unë mendoj se problemi kryesor është që koalicioni "Kthimi" në të vërtetë nuk ekziston. E dini se koalicioni "Kthimi" e ka lëshuar parlamentin dhe kjo do të thotë se koalicioni nuk ekziston," tha Rada Trajkoviç, duke theksuar se serbët e Kosovës nuk duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së tillë institucionale, pasi me pjesëmarrjen e deritashme në institucione, Kosova vetëm sa është larguar nga Serbia.

XS
SM
MD
LG