Ndërlidhjet

ÇËSHTJA E ZYRAVE NDËRLIDHËSE- E PAQARTË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata e UNMIK-ut, është në shqyrtim e sipër të rekomandimeve të kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, për hapjen e katër zyrave të reja ndërlidhëse në kuadër të kryeministrisë. Një zëdhënëse e UNMIK-ut, Mathild Heneke, tha se ekspertët ligjorë të UNMIK-ut, janë duke shqyrtuar bazën ligjore të funksionimit të tyre dhe nuk mundi të parashikojë se kur do të përmbyllet faza e vlerësimit, pavarësisht faktit se kryeministri Rexhepi, qysh më 18 maj pati deklaruar se ka marrë mbështetjen e ish-shefit të UNMIK-ut Harri Holkerit për hapjen e tyre:
“Ky proces po udhëhiqet nga ekspertët dhe mund të vendosin në çdo moment, por gjithashtu kjo procedurë mund të marrë më shumë kohë, kështu që ne duhet të presim dhe shohim se çdo të ndodhë”, thotë zëdhënëja Heneke. Sipas saj, kryeministri Rexhepi i ka kërkuar UNMIK-ut që ngjashëm me mënyrën se si është vepruar kur është hapur Zyra për Koordinim, Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Dialog Rajonal, të veprohet edhe për hapjen e këtyre katër zyrave. Këtu bëhet fjalë për Zyrën për Siguri Publike, e cila ka kohë që është hapur në kuadër të kryeministrisë por funksionimi i saj ka mbetur pezull për shkak të mungesës së bazës ligjore, pastaj është kërkuar dhe hapja e Zyrës për Integrime Evropiane, asaj për Planifikim dhe Strategji Politike dhe hapja e Zyrës për Energji.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, është i njoftuar me komplikimet dhe zvarritjet më të reja, kështu që sipas zëdhënëses Mimoza Kusari, Rexhepi tashmë i ka përsëritur kërkesën ushtruesit të detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshaw që të shpejtojë me procedurat për hapjen e këtyre zyrave:
“Aktvendimet për hapjen e këtyre zyrave ende nuk janë nënshkruar. Në takimin e fundit të kryeministrit me zotin Brayshaw është kërkuar dhe një herë që kjo të bëhet sa më shpejt për arsye se nuk do të ketë funksionin, apo rëndësinë e vet në kohën kur t’i vijë fundi mandatit të kësaj qeverie”, tha zëdhënësja Kusari.
Përndryshe, lidhur me funksionin e këtyre zyrave, sado që me emërimet e tyre, ato bien në fushat e përgjegjësive të rezervuara për shefin e UNMIK-ut, sipas zyrtarëve të administratës ndërkombëtare, ato do të kenë përgjegjësi vetëm koordinimin dhe këshilldhënien për kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës, por nuk do të kenë fuqi ekzekutive. Në anën tjetër, edhe në Parlamentin e Kosovës, grupet më të mëdha parlamentare, dy herë radhazi e kanë kundërshtuar idenë e hapjes së këtyre zyrave, duke i kërkuar kryeministrit që të angazhohet për hapjen e ministrive të reja. Por, sidoqoftë, përgjigja e qeverisë ka qenë se përderisa nuk ndryshohet së pari Korniza Kushtetuese, hapja e ministrive nuk është e mundshme dhe si alternativë është gjetur hapja e zyrave ndërlidhëse.


XS
SM
MD
LG