Ndërlidhjet

NISMË E RE PËR ZBARDHJEN E FATIT TË TË ZHDUKURVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Komisioni ndërkombëtar për personat e zhdukur ka inaguruar sot në Prishtinë fushatën për dhënien e mostrave të gjakut nga familjarët e të zhdukurve, me qëllim të identifikimit të kufomave të zbuluara të të vrarëve gjatë luftës në Kosovë dhe në trevat e tjera të ish-Jugosllavisë. Mbledhja e mostrave të gjakut do të bëhet në vendet e Bashkimit Evropian duke filluar me Gjermaninë, Suedinë dhe Austrinë, tha Asta Ziba, përfaqësuese e këtij komisioni.
"Qëllimi i komisionit ndërkombëtar për personat e zhdukur është informimi i familjeve se ata mund të bëjnë edhe diçka për të dashurit e tyre të zhdukur, që përfshin dhënien e mostrave të gjakut për të mundësuar identifikimin përmes ADN-së," tha Ziba, duke shtuar se me këtë bëhet përpjekje për t'i kontribuar të vërtetës dhe paqes në këtë rajon. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi e ka quajtur të rëndësishme këtë fushatë, pasi dhënia e mostrave të gjakut dhe krahasimi i tyre me të dhënat e kufomave të zbuluara, mund të rritë numrin e personave të identifikuar, pasi siç tha kryeministri Rexhepi, pavarësisht nga dhimbja dhe emocionet, e vërteta duhet të mësohet.
"Lufta gjithmonë le pasoja të rënda, hap plagë të dhimbshme për shumë familje. Fatkeqësisht pasojat e luftës nuk ndahen në mënyrë të barabartë. Ajo disa i godet shumë më rëndë. Popujt pjesëmarrës të luftës çdo herë e paguajnë një kosto të saj. Në këtë luftë pati shumë të rrëmbyer e të zhdukur, që sot e kësaj dite ende nuk ju dihen gjurmët. Nuk janë kthyer ende as trupat e atyre që dihet se janë të likujduar. Vonesa e kthimit të kufomave është e pajustifikueshme. Moskthimi i të pagjeturve e të rrëmbyerve pengon konsolidimin demokratik të Kosovës".
Kryeministri Rexhepi premtoi se qeveria do të jetë e angazhuar deri sa të kthehet edhe kufoma e fundit. Zyra e UNMIK-ut për të zhdukurit disa herë ka shfaqur pakënaqësi lidhur me ngadalësinë e procesit të identifikimit dhe kthimit të kufomave të shqiptarëve të zhvarrosur nga varret masive në Serbi, duke bërë përgjegjëse për këtë qeverinë e Beogradit. Mirëpo zonja Ziba tha se është vështirë të parashihet koha e kryerjes së identifikimit.
"Ne si dhe shumë agjenci të angazhuara në këtë proces do të donim që procesi të shkonte më shpejt dhe të përfundonte, mirëpo është vështirë të parashihet sa do të zgjatë ky proces edhe pse e dimë sesa e vështirë është kjo për familjet", tha Asta Ziba. Ndërkohë familjarët e të zhdukurve thanë se dhënia e mostrave të gjakut nuk zgjidh problemin, pasi edhe familjarët shqiptarë dhe ata serbë të të zhdukurve kanë dhënë tashmë mostrat e gjakut për analizat e ADN-së.
Mysrete Kumnova, kryetare e Shoqërisë së Familjarëve të të Zhdukurve, tha se nuk janë aspak të kënaqur me ritmin e identifikimit dhe kthimit të kufomave, pasi brenda 5 vjetësh janë kthyer nga Serbia vetëm 290 kufoma të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, ndërkohë që në Beograd janë 800 kufoma shqiptarësh, 500 prej të cilave janë të identifikuara.
"Kjo me siguri u leverdis të gjitha organizatave që punojnë diçka në këtë drejtim, sepse nuk është që ju ka munguar marrja e gjakut. Sa i përket Kosovës, të gjithë kemi dhënë gjak. Të gjitha familjet janë të interesuara dhe e kanë kryer me kohë, por identifikimi është shumë, shumë i ngadalshëm. Ndërkaq Milorad Trifunoviç, kryetar i Shoqatës së të Zhdukurve nga Mitrovica tha se 96 % e familjeve të të zhdukurve serbë dhe joshqiptarë kanë dhënë mostrat e gjakut, por deri më tani janë identifikuar vetëm 7.6 % e tyre.
"Nëse u them se vetëm 7.6% e serbëve dhe joshqiptarëve të zhdukur janë identifikuar, atëhere sigurisht që jam krejtësisht i pakënaqur me procesin, por nuk mund ta di se faji i kujt është," tha Trifunoviç.
Sidoqoftë ndërkohë që më shumë se 3500 persona nga Kosova llogariten të zhdukur, zyrtarët e Komisionit Ndërkombëtar për të Zhdukurit, thanë se nuk kishin informacione se sa kufoma të të zhdukurve nga Kosova nuk ishin identifikuar, për shkak të mungesës së mostrave të gjakut nga familjarët.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG