Ndërlidhjet

BINÇA –MODEL BASHKËJETESE


Bekim Bislimi, Binçë-Viti

Ditë më parë në fshatin Binçë të komunës së Vitisë, është themeluar këshilli i fshatit i cili është paraparë që të drejtohet nga përfaqësuesit e tre komuniteteve etnike, të komunitetit shqiptar, të cilët i takojnë besimit katolik, komunitetit serb dhe atij kroat, të cilët jetojnë në këtë fshat. Kryetari i Kuvendit komunal të Vitisë, Musa Misini, thekson se përmes këtij këshilli, banorët e Binçës do të vënë kontakte më të afërta me institucionet komunale, të cilat sipas tij do të bëjnë përpjekje për gjetjen e mundësive për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të këtij lokaliteti.
“Ne jemi të bindur se kjo nismë do të ndikojë edhe te lokalitetet e tjera ku ka përbërje të shumta etnike, ngase popullata shumicë është e gatshme që të pranojë komunitetet joshqiptare për një bashkëjetesë dhe është e gatshme që t’ua ofrojë mundësinë që për shkaqe humane të jetojnë afër njëri-tjetrit."
Drane Simoni, e cila është zgjedhur kryetare këshillit shumetnik të Binçës, thotë se ky këshill është formuar me ndihmën e përfaqësuesve të kuvendit komunal të Vitisë, trupave paqeruajtëse të KFOR-it si dhe të famulltarit të kishës katolike të Binçës, Dom Lush Gjergjit.
“Përfaqësuesi serb nuk ka ardhur edhe pse ka pasur iniciativë prej nesh. Përfaqësuesi kroat dhe kroatët janë përgjegjur. I kemi lënë dy vende të lira për bashkësinë serbe. Prej shtatë anëtarësh është i përbërë këshilli, 4 shqiptarë, 1 kroat dhe 2 serbë”.
Ndryshe, përfaqësuesi i serbëve të fshatit Binçë, Zoran Marinkoviç, thotë se bashkëkombasit e tij në këtë fshat nuk kanë marrë pjesë në themelimin e këshillit shumetnik dhe rrjedhimisht nga ky fakt, ai nuk është anëtar i këshillit. Sipas tij, refuzimi i pjesëmarrjes së serbëve në themelimin e këshillit rezulton për shkak të, siç tha ai, diskriminimit të serbëve në çdo aspekt. Zoti Marinkoviç, thotë se edhe ngjarjet e marsit në Kosovë kanë ndikuar që serbët e Binçës, ta humbin besimin në konceptin e shumetnicitetit, pavarësisht se nuk kanë pasur asnjë telash gjatë trazirave.
“Më 17 dhe 18 mars kanë ndodhur ngjarjet dhe thjesht, gjatë atyre dy ditëve, sipas mendimit tim, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kontroll mbi ngjarjet që ndodhnin”, tha zoti Marinkoviç.
Ndërkaq, Dom Lush Gjergji, famullitar i kishës katolike në Binçë, thekson se këshilli shumënacional është rrjedhojë e vullnetit të mirë për fqinjësi me komunitetet tjera e banorëve shqiptarë shumicë në Binçë.
“Kemi dashur që t’i respektojmë dhe të jenë vetë ata të cilët thonë se cilat janë nevojat e tyre, që të mos i interpretojmë ne dhe ata të jenë pjesëmarrës në të mirat, ashtu edhe në të vështirat. Aty- këtu ka manipulime, fatkeqësisht, prej jashtë dhe mendojnë se me mbyllje apo me mospjesëmarrje në diçka do të arrijnë pak më tepër”.
Në anën tjetër, në një bisedë në mes banorëve serbë të Binçës thuhej se për pjesëmarrjen e tyre në këshillin shumënacional nevojitet, siç thonin ata, pëlqimi nga lart, por ata refuzonin që biseda e tyre të regjistrohej. Ndryshe, Dragi Llukiç, serb nga ky fshat, thotë se serbët nuk kanë liri të lëvizjes jashtë Binçës dhe si pasojë e kësaj, nuk mund t’i kultivojnë pronat e tyre që i kanë jashtë këtij fshati. Ai thotë se për këtë problem i janë drejtuar forcave paqeruajtëse.
“Kemi biseduar me KFOR-in, por kur vjen okupuesi ai nuk vjen për të mirë. Ai ka ardhur që të dëbojë të gjithë serbët”, tha zoti Llukiç.
Ndërkaq, Dom Lush Gjergji thekson se fshati Binçë duhet të shërbej si model i bashkëjetesës.
“Binça dhe rrethi, mund të jetë një lloj modeli i bashkëjetesës së tashme dhe të ardhme, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmojmë se ne kemi kuptuar nga historia, kemi kuptuar nga e kaluara dhe nuk jemi ata që dëshirojmë në asnjë mënyrë të hakmerremi apo ta kthejmë të keqen me të keqe”.
Ndërkaq, zoti Marinkoviç, pohon :
“Nuk jam kundër atij këshilli dhe unë do të bashkëpunoj edhe pse nuk jam brenda tij. Do të funksionoj e gjithë kjo dhe do të jetë dëshmi se njerëzit këtu jetojnë së bashku”, tha zoti Marinkoviç, duke shtuar se konstituimi i këshillit duhet lënë për më vonë, sepse në rrethanat aktuale, këshilli do të jetë, siç tha ai, shkronjë e vdekur në letër.



XS
SM
MD
LG