Ndërlidhjet

DISKUTOHEN RRUGËT PËR ZHBLLOKIMIN E PRIVATIZIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Forumi 2015 një koalicion i tre organizatave joqeveritare ka diskutuar sot statusin e pronës shoqërore, si njërin nga kontekstet e privatizimit. Në këtë tryezë është thënë se Kosova ka të drejtën e menaxhimit të pronës së saj shoqërore, duke hedhur poshtë arsyetimet e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit që po e mban të bllokuar prej mëse një viti procesin e privatizimit në Kosovë.
Avokati Nikë Lumezi tha se me kushtetutën e vitit 1974, Kosova ashtu si edhe të gjitha njësitë e tjera federative të ish-Jugosllavisë, kishte të drejtën e pamohueshme të menaxhimit të pronës shoqërore:
"Është konstatuar se edhe në këtë pikëpamje nuk ka pasur asnjë dallim në përcaktimin konceptual dhe përmbajtësor midis këtyre kategorive elementare të pronës shoqërore në Kosovë dhe në njësitë e tjera politiko-territoriale të ish-federatës Jugosllave.
Ndërkaq, Ilaz Ramajli ish-nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga viti 1990, tha se suprimimi i Kuvendit të Kosovës dhe i autonomisë së saj, ku e ka burimin e gjithë politika e mëvonshme serbe e tjetërsimit të pronës së Kosovës, ishte akt i paligjshëm dhe pa asnjë mbështetje ligjore
Prandaj, duke u nisur nga këto parametra, juristi Mehdi Hetemi tha se AKM-ja është shndërruar në fakt ngulfatës për ekonominë e Kosovës:
"Kisha propozuar që AKM-ja me sjelljet e saj deri tani është bërë faktori më keqbërës dhe më ngulfatës dhe më mospërfillës i zhvillimit të jetës së mëtejshme ekonomike," tha zoti Hetemi, duke tërhequr vërejtjen se shtrengesat sociale pothuajse kanë arritur kulminacionin në Kosovë dhe trazirat sociale janë të mundshme. Prandaj, tha ai, AKM-ja duhet të bëhet ministri i posaçme e Kosovës dhe të nxirret ligji për privatizim, i cili do të definojë të gjitha çështjet lidhur me privatizimin.
Neki Shehu, ekspert në Agjencionin Kosovar të Mirëbesimit tha se mungesa e imunitetit për zyrtarët e AKM-së, e dalë pas ndryshimeve që kanë ndodhur brenda shtyllës së katërt të UNMIK-ut e ka bllokuar privatizimin. Për ta zgjidhur nyjen aktuale të privatizimit, zoti Shehu propozoi:
"Njëra është që të ndërrohet rregullorja, por jo politikat operacionale dhe e dyta është që nëse kjo nuk është e mundur, atëherë çështja e përgjegjësisë të shtrohet ndryshe. Nëse nuk ka nga ndërkombëtarët persona që do ta marrin atë përgjegjësi, atëherë këto kompetenca duhet të transferohen te vendorët."
Publicisti Veton Surroi, ndërkaq tha se Kosova është në konfuzion të thellë legal për shkak të definimit të sovranitetit të brendshëm, pasi ka përzierje ligjesh, që nga ato të vitit 1989, deri te ligjet e pakta të Kuvendit të Kosovës dhe rregulloret e UNMIK-ut.
"Meqenëse procesi i privatizimit është bllokuar për shkaqe të paqartësisë juridike, ky proces privatizimi nuk duhet rifilluar, për dy arsye themelore. E para se mund të ndërpitet edhe një herë dhe e dyta se në thelb ky proces nuk e subjektivizon Kosovën si entetit juridik".
Zoti Surroi tha se kjo është e rëndësishme pasi brenda 12 muajve të ardhshëm do të bëhen marrëveshje të reja politike në Kosovë.
Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit Riinvest tha se Forumi 2015 do të hartojë konkluzionet e tryezës së sotme dhe do t’ia dërgojë qeverisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që shoqëria civile të përfshihet në proces.


XS
SM
MD
LG