Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESI I SHPK-SË NUK LEJOHET TË MARRË PJESË NË TRYEZËN E PAKTIT TË STABILITETIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zyra e kryeministrit të Kosovës, ka protestuar sot ndaj një vendimi të administratës së UNMIK-ut, me të cilin nuk është lejuar përfaqësimi i Shërbimit Policor të Kosovës në kuadër të tryezës së Paktit të Stabilitetit, që ka të bëjë me sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar në rajon. Sipas këshilltarit të kryeministrit Bajram Rexhepi, njëherit shefit të zyrës koordinuese të Kosovës në kuadër të Paktit të Stabilitetit Besim Beqajt, Pakti i Stabilitetit që nga prilli i këtij viti e ka ftuar dhe përfaqësuesin e policisë së Kosovës, që në rolin e vëzhguesit të marrë pjesë në tryezat që kanë të bëjnë me sigurinë dhe krimin e organizuar në rajon, dhe ka marrë ftesën për pjesëmarje edhe në takimin e radhës që mbahet më 7 dhe 8 qershor në Portorozh të Sllovenisë, mirëpo administrata e UNMIK-ut nuk e ka pranuar këtë ftesë dhe ka vendosur që Kosova atje të përfaqësohet vetëm nga policia e UNMIK-ut:
“Unë mendoj që me këtë UNMIK-u tregon se nuk është shumë i gatshëm për të krijuar partneritet dhe të tregojë se edhe pas ngjarjeve të marsit, ka ndërruar filozofinë e veprimit në UNMIK. Kam frikë se mësimet që është dashur të mësohen pas marsit në Kosovë, nuk janë mësuar mirë ende as nga UNMIK-u, por as nga institucionet tona, të cilat në momente të caktuara nganjëherë duhet të jenë shumë më këmbëngulëse për veprimet e tyre”, tha Besim Beqaj, duke shtuar se Kosova për shkak të statusit të saj të pazgjidhur, nuk mund të jetë anëtare e barabartë në tryezën për siguri. Prandaj ajo ka më shumë se 18 muaj që ka konkurruar vetëm për rolin e vëzhguesit, ndërsa pasi që Pakti i Stabilitetit i kishte pranuar këtë rol, UNMIK-u e ka kundërshtuar përfaqësimin e policisë së Kosovës në këtë tryezë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Neeraj Sing, tha se Kosova në tryezën për siguri ka vetëm një vend përfaqësimi, kështu që duke e pasur parasysh se siguria është në kompetencë dhe përgjegjësi të UNMIK-ut, Kosova atje duhet të përfaqësohet vetëm nga policia ndërkombëtare.
“Arsyeja pse ai nuk është lejuar të shkojë në takim, është se në këtë fazë ne konsiderojmë se është shumë herët që një zyrtar i policisë së Kosovës të shkojë në një takim të tillë, ngase ai është një takim ku patjetër duhet që përfaqësimi të bëhet nga ana e policisë së UNMIK-ut”, tha Sing, duke shtuar se fjala është për zyrtarin e lartë të policisë së Kosovës, Behar Selimin, i cili duhet të presë një fazë tjetër për ta përfaqësuar Kosovën në tryeza të tilla.
Përndryshe, në takimin e radhës së Paktit të Stabilitetit, përveç tryezës për sigurinë, ku institucioneve vendore u janë paraqitur pengesa në përfaqësim, sipas Besim Beqajt do të organizohen dhe tryeza tjera rajonale, në të cilat Kosova do të përfaqësohet nga UNMIK-u dhe ministritë e qeverisë vendore. Beqaj tha se angazhimi kryesor i Kosovës do të jetë përfaqësimi i saj në të gjitha marrëveshjet dhe projektet rajonale:
“Fokusi i ynë, kryesisht do të jetë në tryezën e dytë, do të thotë të arriturat e zhvillimit ekonomik dhe do të kërkojmë që Kosova edhe më tutje të jetë sa më prezente në liberalizimin e tregut, në memorandumet e mirëkuptimit dhe të përfshihet në të gjitha projektet rajonale”, theksoi Beqaj.
Takimi i Portorozhit u përket sesioneve të rregullta gjashtë mujore të Paktit të Stabilitetit, ku kryesisht bëhet vlerësimi i përparimeve të bëra në marrëveshjet dhe projektet rajonale në nivelin politik, por njëkohësisht do të bëhet dhe vlerësimi i përparimeve në tre tryeza të nivelit teknik të Paktit, asaj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, zhvillim ekonomik dhe tryezës për siguri dhe luftimin e krimit të organizuar në rajon.


XS
SM
MD
LG