Ndërlidhjet

MOORE:"SHBA-të DUHET TË PRIJNË NË ÇËSHTJEN E KOSOVËS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, këto ditë është bërë e ditur se senatori Kerri do të angazhohet që Shtetet e Bashkuara të prijnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai gjithashtu mendon se Ballkani është sukses i politikës së Shteteve të Bashkuara dhe se do të ishte gabim nëse trupat amerikane tërhiqen nga Kosova. Si i komentoni ju këto qëndrime?

PATRICK MOORE
Le të shohim fillimisht çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë lidhur me këtë çështje. Kjo ka qenë një intervistë e bërë nga Xhejms Rubin, i cili ishte zëdhënësi për shtyp i Madlin Ollbrajt kur ajo ishte Sekretare e Shtetit. Mendoj që do dinim shumë më tepër kur senatori Kerri t'i drejtohet përmes fjalës apo shkrimeve publikut amerikan në tërësi sa i përket qëllimeve të politikës së tij të jashtme. Në këtë mënyrë do t'i shohim gjërat shumë më qartë. Deri tani gjithçka që ka thënë janë deklarata të përgjithshme dhe jo shumë specifike si përshembull çfarë do të bënte ai për Kosovën dhe Ballkanin. Pikat që ngritët në pyetjen tuaj së pari që SHBA-të duhet të udhëheqin në zgjidhjen e këtij problemi në Kosovë, që Ballkani ka qenë një sukses i politikës amerikane dhe që do të ishte një gabim që të tërhiqeshin, qëndrojnë dhe unë jam plotësisht dakort. Mendoj që do të ishte e mrekulli nëse do të shpreheshin kështu qoftë zoti Kerri, qoftë presidenti Bush vetë, personalisht, para një publiku kombëtar amerikan.

RADIO EVROPA E LIRË
"Boston Globe" këto ditë ka shkruar se në rast të fitores së senatorit Kerri në vendet kyçe të administratës së tij do të mund të gjendeshin Riçard Holbruk, gjenerali Uesli Klark, pra personalitete që kanë qenë të angazhuara dhe që njohin shumë mirë rrethanat në Ballkan. Çdo të thoshte një gjë e tillë eventuale për Ballkanin dhe Kosovën?

PATRICK MOORE
Kohët e fundit lexova një artikull në shtypin amerikan se kush është ekipi i politikës së jashtme që qëndron prapa senatorit Kerri dhe duket që ka një numër njerëzish, emrat e të cilëve janë shumë të dëgjuar, edhe pse duhet të kemi parasysh se edhe pse Kerri është nga e njëjta parti me ish presidentin Klinton, ai nuk ka qenë pjesë e grupit mbështetës të Klintonit brenda Partisë demokratike. Ka dy emra shumë të njohur të epokës Klinton të cilët dolën në skenë si figura të politikës së jashtme në ekipin e Kerrit. Le të supozojmë që njëri nga këto dy personalitete, përshembull zoti Hollbruk, i cili ka qenë më i diskutuar rreth kësaj çështjeje, do të bëhet Sekretar i ri i Shtetit. Ai nuk do të harrojë Kosovën dhe Bosnjen, po ashtu as gjenerali Klark....Por, nuk ka asnjë garanci që për shkak të të kaluarës së tyre, ata do të kenë një lidhje jetëgjatë me këtë rajon për gjithë karrierën e tyre politike që u mbetet. Mund të ndodhë që ata do të përfshihen në probleme jo vetëm le të themi në Irak dhe në Afganistan, por në një zonë krize në të një ardhme, ndoshta mund të jetë Indonezia, kush e di. Ajo që po përpiqem të them është se fakti që këta njerëz kanë qenë të angazhuar në Bosnje dhe Kosovë në të kaluarën, nuk do të thotë që ata do të kenë gjithmonë një identifikim më të afërt me rajonin.
Megjithate, duket qartë se nëse do të bëhen zyrtarë të lartë sigurisht nuk do e harrojnë Ballkanin.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka dallime ndërmjet republikanëve dhe demokratëve kur bëhet fjalë për Ballkanin dhe Kosovën, apo ato janë të parëndësishme?

PATRICK MOORE
Kjo nuk është e qartë sepse, nuk e dimë realisht se cila do të jetë politika e zotit Kerri për Ballkanin dhe nuk e dimë se çfarë do të bënte zoti Bush në një mandat të dytë presidencial. Lidhur me zotin Bush, kemi parë se çfarë ka ndodhur deri tani por nuk e dimë nëse republikanët do duan që të tërheqin të gjitha trupat amerikane nga Ballkani për t'i përqëndruar ata në Irak dhe Afganistan, apo siç mendojnë shumë veta se është më e mundur, do të mbajnë të paktën një forcë të vogël në Kosovë dhe në Bosnje, si për të siguruar popullatat mike në këto dy vende, ashtu dhe për të mbajtur një post të përparuar për Amerikën në një zonë që konsiderohet e rëndësishme në luftën kundër terrorizmit. Pra nuk e dimë se cilin nga këto dy kurse do të ndjekë zoti Bush në një mandat të dytë: të tërheqë gjithë trupat apo të mbajë një prani amerikane. Në kursin e demokratëve nuk e dimë nëse do bëjnë atë që la të kuptohet zoti Rubin dhe të vazhdojnë të jenë të angazhuar në rajon. Por, të angazhuar për sa kohë? Për 4 vjet pas zgjidhjes së çështjes së statusit?, 4 muaj pas saj? Nuk është e qartë sa kohë do mund të mbeteshin të angazhuar, edhe nëse do donin të mbeteshin të tillë. Apo në vend që të mbeten të angazhuar në Ballkan, ndoshta demokratët të cilët flasin shumë për përmirësimin e marrëdhënieve me Gjermaninë dhe Francën mund të jenë të prirur të thonë: "Zoti Shrëder, zoti Shirak, ne duam të jemi miq të mirë me ju, Bashkimi juaj Evropian do që të marrë përsipër Ballkanin, kështu që po ua lemë këtë angazhim për Ballkanin dhe po i marrim trupat tonë prapa". Ajo që dua të sugjeroj është që ka arsye llogjike që të mendojmë se republikanët mund të rrinë ose të braktisin Balkanin. Ka po njëlloj arsye të tjera llogjike që të çojnë të mendosh se demokratët mund të qëndrojnë ose të largohen. Ende nuk ja dimë përgjigjen kësaj pyetjeje. Kemi 5 muaj deri në zgjedhje dhe le të presim e të shohim....

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG