Ndërlidhjet

KAEN, FRANCË


Me ceremomi të ndryshme sot shumë liderë botëror dhe veteranë të Luftës së Dytë Botërore u bënë nderime mijëra trupave të forcave aleate që u vranë gjatë zbarkimit në Normandi të Francës para 60 vitesh. Presidenti amerikan, George Bush dhe ai i Francës, Jacques Chirac u shprehën se liderët botëror e kanë për detyrë ta nderojnë atë që e bënë ushtarët të cilët dhanë jetën e tyre duke qëndruar së bashku për çështjen e lirisë dhe të demokracisë.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan, George Bush, pos tjerash tha:
-Përgjatë Evropës, amerikanët luftuan së bashku me britanikët, me kanadezët, me polakët, me francezët e lirë dhe me qytetarët trima nga vendet e tjera që u rikthyen një–nga një nga pushtimi nazist. Në sakrificat totale të luftës ne u bëmë aleatë të pandarë. Vendet që e çliruan Evropën e pushtuar do të qëndronin së bashku për lirinë e gjithë Evropës. Vendet që luftuan përgjatë kontinentit do të bëheshin partnerë të besueshëm për çështjen e paqes. Prandaj, aleanca jonë e madhe e lirisë është e fortë. Ajo është e nevojshme edhe sot.

Presidenti francez, Chirak, theksoi se miqësia francezo – amerikane mbetet edhe në ditët e sotme. Mëtutje ai tha:
-Për gjithë Amerikën, që e ndanë këtë moment solemn me ne, për të gjitha gratë dhe të gjithë burrat, që paguan çmimin përfundimtar të atyre ditëve heroike, mesazhi i Francës është vërtetë mesazh i miqësisë dhe i vëllazërimit, është mesazh i falënderimit dhe i mirënjohjes.

Në këto ceremnoni, mori pjesë edhe kancelari, Gerhard Schroeder që është kancelari i parë gjerman që merr pjesë në shënimin e përvjetorit të këtillë. Zbarkimi i forcave aleate në Normandi të Francës, më 6 qershor të vitit 1944, çoi në çlirimin e Evropës nga Nazizmi.
XS
SM
MD
LG