Ndërlidhjet

BRAJSHORI: JANË RINDËRTUAR 31 % TË SHTËPIVE TË DËMTUARA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Asnjë proces në Kosovë nuk ka shkuar më shpejt sesa rindërtimi i shtëpive të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, ndërsa kritikat e Grupit Përkrahës të Kosovës dhe të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian Havier Solana, janë dëshirë e mirë për përshpejtimin e rindërtimit, ka deklaruar sot në Prishtinë, kryetari i komisionit të qeverisë për rindërtimin e shtëpive dhe objekteve të tjera të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, ministri Bexhet Brajshori, sipas të cilit puna e deritashme ka qenë e suksesshme dhe do të përfundojë deri në mesin e tetorit.
"Këtë qeveria do ta realizojë me një kusht, ose me një kusht e gjysëm do thoja dhe ai është: nevoja e bashkëpunimit konkret dhe të sinqertë të komunitetit serb me komisionin dhe me komunat për të siguruar nënshkrimin e nevojshëm të pronarit, dhe e dyta ndihma e UNMIK-ut, ose heqja dorë e disa segmenteve brenda UNMIK-ut të cilat i inkurajojnë në momente të caktuara përfaqësuesit e komunitetit serb me kërkesa të reja herë pas here."
Ministri Brajshori tha se disa segmente të UNMIK-ut në disa raste kanë inkurajuar përfaqësuesit e komunitetit serb që të shtrohen kërkesa të reja në kuadër të vendimit të qeverisë, duke shkaktuar probleme shtesë për qeverinë, e cila prioritet do t'u kushtojë objekteve të banimit. Ministri Brajshori tha se deri më tani janë rindërtuar ose janë në proces të rindërtimit 31 % nga gjithësej 843 shtëpi të dëmtuara gjatë trazirave të marsit. Ai ka komentuar dhe të dhënat detaje për të gjitha komunat e Kosovës në disa prej të cilave tashmë kanë përfunduar punimet, e disa të tjera janë në fazën e eleminimit të dëmeve apo të shpalljes së tendereve për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara. Mirëpo përfaqësuesit e serbëve janë shprehur të pakënaqur nga ritmi i deritanishëm i rindërtimit të shtëpive.
"Çështja e rindërtimit nuk shkon aspak siç duhet dhe përgjegjësinë duhet ta bartin përgjegjësit për këtë: qeveria dhe komisioni për rindërtim", tha Oliver Ivanoviç, duke kërkuar që pasojat për moskryerjen me kohë të punëve, t'i bartin pikërisht këta njerëz. Duke ju përgjigjur këtyre kritikave dhe atyre të dy ditëve të shkuara, nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Solana dhe nga Grupi Përkrahës për Kosovën, lidhur me ritmin e ngadalshëm të rindërtimit të shtëpive, ministri Brajshori tha se ato kritika i sheh si vullnet të mirë që proceset në Kosovë të ecin mbarë. "Asnjë proces në Kosovë në periudhën e pasluftës nuk ka shkuar me dinamikë më të shpejtë, dhe sipas dinamikës është paraparë sesa proces i rëndësishëm është rindërtimi i objekteve gjatë ngjarjeve të 17-18 marsit. Ministri Brajshori tha se nuk ka mundësi të shkohet më shpejt pasi nuk ka mundësi të bëhen shkeljet e ligjit, edhe pse në disa raste janë bërë shkelje në interes të përshpejtimit të programit, siç është shkurtimi i afatit të tendereve nga 30 në 7 ditë.



XS
SM
MD
LG