Ndërlidhjet

KOSOVA PARA SHPËRTHIMIT SOCIAL


Bekim Bislimi, Prishtinë

Të dhënat e fundit të cilat i ka publikuar Banka Botërore, tregojnë se varfëria në Kosovë ka shënuar rritje. 52 për qind e popullatës jeton në varfëri, ndërsa 15 për qind të tjerë jetojnë në varfëri të skajshme. Ndërkaq ndërprerja dhe bllokimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, në masë të madhe ka rritur numrin e të papunëve dhe ka ndikuar edhe në rritjen e varfërisë, thotë Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
"3 për qind është rritur varfëria e skajshme. Unë vërtet mendoj se ky është një prej sinjaleve shumë të qarta, sinjale që i bëjnë apel tërë bashkësisë ndërkombëtare, që duhet shumë shpejt që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin ekonomik. Jo me bllokada, jo me ndërprerje, sepse këto janë ato procese, të cilat do ta kthejnë Kosovën edhe shumë më mbrapa se ç'ka qenë menjëherë mbas luftës. Papunësia dhe varfëria janë në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndërlidhura me proceset ekonomike, në këtë rast edhe me vetë aktin e ndërprerjes së procesit të privatizimit."
Edhe Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike, në institutin për hulumtime zhvillimore RIINVEST, thekson se një nga faktorët e ngritjes së varfërisë është ngecja e procesit të privatizimit.
"Varfëria ekstreme në Kosovë vërtet vlerësohet të jetë rreth 15 për qind, mirëpo dhe ajo kur dihet se më se gjysma e kosovarëve jeton në zonën e një varfërie. Prandaj vërtet ngecja në procesin e privatizimit mund të konsiderohet si një faktor, i cili e përkeqëson situatën e përgjithshme sociale në Kosovë, mirëpo unë mendoj se këtu duhet përmendur edhe konteksti i të gjitha politikave ekonomike në Kosovë."
Bllokimi i procesit të privatizimit sipas zotit Ibrahimi, ka ndikuar që edhe investorët e huaj të ndihen të pasigurtë për investimet në Kosovë të cilat do të krijonin kushte për uljen e papunësisë, por edhe të varfërisë.
"Përderisa shtylla e katërt, në këtë rast UNMIK-u nuk i implementon rregulloret të cilat i ka nxjerrë vetë, çfarë mund të flitet dhe çfarë mund të pritet prej investorëve të huaj? Kush është ai investor i huaj, apo kush është ai pronar i kapitalit, që e sjell kapitalin në Kosovë dhe e di që dikush me një masë administrative, apo me lobizime shumë jokorrekte e joparimore, e bllokon një proces që absolutisht nuk ka patur arsye të bllokohet. Arsyet politike mund të jenë por ekonomiket në asnjë mënyrë."
Ndërkaq zoti Sadiku thotë:
"Kosova është një paradoks në kuadër të vendeve të Evropës Juglindore, kur dihet se reformat ekonomike në disa vende të Evropës Juglindore kanë qenë të rrezikuara nga revolta e popullatës së varfër. Në Kosovë kemi një situatë tjetër. Kemi një mbështetje për reforma ekonomike dhe për privatizim, kryesisht nga popullata e varfër dhe mendoj se qendrat e vendosjes dhe ndërkombëtare në Kosovë, duhet ta shfrytëzojnë këtë klimë, për të bërë ndryshimet e dëshiruara."
Me ndërprerjen dhe bllokimin e procesit të privatizimit siç thotë zoti Ibrahimi, është ndihmuar që Kosova të futet në errësirë dhe ngecje të rëndë ekonomike.
"Kjo do të jetë një bumerang shumë i rëndë për ata, të cilët vërtet tani për tani nuk janë duke parë disa lëvizje të cilat po ndodhin në ekonominë e Kosovës dhe me këtë rast edhe pakënaqësinë sociale e cila shumë shpejt do të shpërthejë. Binduni se një ushtri e tërë e të rinjve, që shëtisin rrugëve e që presin që të hapen vendet e reja të punës, vërtet një ditë do të fillojnë ose t'i marrin kufijtë dhe të dalin në perëndim, e t'u krijojnë probleme atyre të cilët sot nuk janë duke na dëgjuar ne, ose të shndërrohet në një lëvizje që do të jetë e papranueshme dhe e pakëndshme për të gjithë ne."
Edhe zoti Sadiku tërheq vërejtjen se pakënaqësitë sociale mund të shpërthejnë:
"Në takime të ndryshme shpesh herë bisedohet se Kosova mund të përballet me ndonjë bombë sociale. Kjo do të thotë se niveli i pakënaqësisë së kosovarëve me gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë është duke u rritur me të madhe. Në bazë të sondazheve dhe analizave që ka bërë RIINVEST-i del që 73 për qind e kosovarëve nuk është e kënaqur me situatën sociale. Dhe kjo si rezultat i thellimit, i përkeqësimit të situatës sociale në përgjithësi dhe në veçanti rezultat i përkeqësimit në aspektin e varfërisë."





XS
SM
MD
LG