Ndërlidhjet

B. BEQAJ: KOSOVA DO TË NËNSHKRUAJË MARRËVESHJE TË TJERA PËR TREGTI TË LIRË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Nënshkrimi i marrëveshjeve për tregtinë e lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit, është një prej prioriteteve kryesore të qeverisë, ka thënë sot në Prishtinë, koordinatori i zyrës së Kosovës në kuadër të Paktit të Stabilitetit, Besim Beqaj. Ai i ka bërë këto komente pas kthimit nga Portorozhi i Sllovenisë, ku më 7 dhe 8 qershor është mbajtur takimi i Paktit të Stabilitetit. Beqaj tha se beson që Kosova dhe vendet e rajonit, si Maqedonia, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, së shpejti do t’i intensifikojnë bisedimeve rreth liberalizimit të tregut, pavarësisht disa pengesave, që sipas tij po i bën Kosovës, Serbia për arritjen e këtyre marrëveshjeve:
“Duhet veçuar këtu se përkrahja e Paktit të Stabilitetit, Komisionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara se Kosova duhet të përfshihet është pa rezervë në këtë drejtim. Unë do të them sot se tendencat tona kanë qenë shumë optimiste që deri në fund të këtij vitit t’i përmbyllim marrëveshjet e tregtisë së lirë me këto tre vende. Siç e dini deri më tani Serbia e ka abuzuar në një formë dhe minuar në një formë procesin e liberalizimit të tregut, duke thënë se marrëveshjet e tregtisë së lirë të Kosovës duhet të jenë pjesë, apo anekse të marëveshjeve të Serbisë e Malit të Zi me vendet tjera. Ne këtë nuk e kemi pranuar prandaj ne do të bëjmë marrëveshje të veçanta”, tha Beqaj.
Marrëveshjen e vetme për liberalizimin e tregut, Kosova deri tani e ka të nënshkruar me Shqipërinë. Ndërkohë, Prishtina në kuadër të Paktit, prezantohet si vëzhguese në tryezën për siguri dhe luftë kundër krimit të organizuar. Ndërsa në takimin e Portorozhit, administrata e UNMIK-ut nuk ishte pajtuar që Kosova atje të përfaqësohet nga Shërbimi Policor i Kosovës, në takimin e radhës që do të mbahet në muajin nëntor, sipas Beqajt, kjo pengesë do të tejkalohet, kështu që krahas policisë së UNMIK-ut, në këtë tryezë do të jetë e përfaqësuar dhe policia e Kosovës:
“Me këtë neve na jepet e drejta që të marrim pjesë, por jo ende e drejta e votimit, mirëpo unë shpresoj se shumë shpejt që krahas avancimit të sistemeve të tjera ne do të avancojmë dhe në përfaqësimin, do të thotë në nivel të barabartë. Theksi dhe arsyetimi ynë se përse kemi insistuar në Shërbimin Policor të Kosovës është se, krimi i organizuar, korrupsioni dhe të gjitha format e kontrabandës apo çfarëdo trafikimi, i cili bëhet edhe në Kosovë apo vendet e rajonit, mund të luftohet vetëm me përkrahjen e fortë edhe të shërbimeve tona të siguirimit”, theksoi Besim Beqaj.
Përndryshe, koordinatori i zyrës së Kosovës në kuadër të Paktit të Stabilitetit, ka thënë po ashtu se qeveria vendore është duke pritur të bëjë rishikim thelbësor të marrëdhënieve me UNMIK-in, pasi që vlerësohet se UNMIK-u në këtë fazë duhet të kalojë në rolin e këshilldhënësit dhe të lejojë qeverinë të marrë më shumë përgjegjësi për të udhëhequr Kosovën. Në takimin e Portorozhit, përveç tregtisë së lirë dhe çështjes së krimit të organizuar, është debatuar dhe për demokratizimin e rajonit dhe rolin e mediave. Nga ky takim, Pakti i Stabilitetit është zgjeruar dhe me vende tjera anëtare si Letonia, Lituania, Estonia e Malta.



XS
SM
MD
LG